Spitali i Beratit s’ka laborator për analizën e tiroides, pacientët, “me dhunë” tek privati

603
Sigal

E sëmura, Savete Murizi: “Mjeku specialist nuk të viziton nëse nuk bënë analizën 120 mijë lekë të vjetra, te kolegu i tij” 

Mungesa e një laboratori në Spitalin Rajonal të Beratit për kryerjen e analizave, për ata persona që vuajnë nga tiroidet, ka bërë që shumë të sëmurë të mos e marrin këtë shërbim pasi nuk kanë mundësi financiare. Personat që vuajnë nga gjëndrat shprehen për gazetën se, përveç darovitjes së mjekëve janë të detyruar që të shkojmë tek laboratorët privat për të bërë analizat. “Kur ne paraqitemi tek mjekët specialistë për t’u vizituar shprehja e parë është ‘shkoni bëni analizat se unë nuk jap recetë për t’u mjekuar’. Edhe pse ne ja qajmë hallin se nuk kemi mundësi financiare për t’i kryer ato, përgjigja është ‘si të doni, unë pa analiza nuk lëshoj recetë’. Të mërzitur largohemi të sëmurë dhe i drejtohemi shtëpisë për t’u qetësuar. Unë jam shumë e sëmurë, si do të shkojë kjo puna jonë nuk e di. Mjekët të kërkojnë analizat edhe për një vizitë rutinë”, u shpreh për “Telegraf”, Savete Murizi, 53-vjeçarja e sëmurë me gjëndra tiroide. “Kam shumë vite që vuaj prej tyre, prandaj shkova tek mjeku specialist këtë herë, se nuk isha mirë, por ai  nuk më vizitoi, thjesht më tha ‘shko tek laboratori privat bëj analizat se unë nuk të jap asnjë lloj mjekimi’. Unë jetoj me një përkrahje sociale 45 mijë lekë të vjetra dhe ushqehemi 5 veta, si do të shkojë unë të bëjë këto analiza. Unë nuk kam bukë për të ngrënë dhe jo të bëjë analizat 120 mijë lekë”, tha ajo.

Tek mjeku

Në orarin e vizitave numri i të sëmurëve është tej mase i lartë. Një pjesë e tyre që qëndrojnë pas dere janë të papunë, një pjesë tjetër pensionistë dhe një numër i vogël mund të jetë i punësuar dhe merr një rrugë minimale për të jetuar. Të sëmurët pasi marrin përgjigjen e mjekut specialistë se nuk lëshon recetë pa kryer një herë analizat largohen të shqetësuar dhe të sëmurë njëkohësisht, se mjekët nuk u kanë zgjidhur hallin e tyre. Shumica e të sëmurëve që presin në radhë për t’u vizituar në gjendjen që janë shkojnë sërish në shtëpi dhe luftojnë me sëmundjen, e cila ju rrezikon seriozisht jetën, pasi mundësit për të kryer një analizë, nuk i kanë të gjithë. Të sëmurë u shprehen për gazetën me tone të ashpra se fajin për këtë e ka spitali rajonal, i cili nuk ka një laborator të tillë, ku mund të kryejnë analizat të gjithë personat që vuajnë nga gjëndrat. Duke shkuar tek privati me rekomandim të mjekëve po ‘rripen” dita ditës të sëmurët. Këto veprime, sipas tyre bëhen në bashkëpunim dhe me mjekët, të cilët ndoshta mund të kenë pjesën e tyre.