Spiropali: Denion Meidani u pezullua për paaftësi

522
Sigal

Drejtoresha e Doganave sqaron shkarkimin e djalit të ish Presidentit

Gazeta “Telegraf” publikoi e para shkarkimin e shefit të antikontrabandës, nga segmentet përkatëse të Drejtorisë së Doganave, duke kërkuar transparencë. Dje, Drejtoresha e Përgjithshme e Doganave, Elisa Spiropali nëpërmjet një letre ka sqaruar aryset e pezullimit të drejtorit të Departamentit të Antikontrabandës në Administratën Doganore, Denion Meidani. Sipas Spiropalit, Denion Meidani u pezullua për paaftësi dhe për shkelje të “Kodit të Etikës”.

Letra e Spiropalit

Jo për ish-shefin e Antikontrabandës, se ish-shefi, meqënëse shkelësi është vetë ai, flet si i intereson. Problem është për gjithë të tjerët që zënë kokën me duar kur shohin dhe dëgjojnë cilin paskan pasur shef të Antikontrabandës, emëruar në të ngrysur të qeverisë që na la të gjitha përveç shëndetit. Kur Etika respektohet, harrohen shkeljet e rralla të saj. Kur Etika nuk respektohet harrohen shkeljet e shpeshta. Ky i dyti është rasti me ish-shefin. Pas këtij “harrimi” të ish-shefit, kemi plotësisht të drejtë të mendojmë se ky ish-shef rastet e respektimit të Etikes i ka pasur aq të rralla sa i mban mend, ndërsa rastet e shkeljes së Etikës aq të shpeshta sa nuk i mban mend. Por ish-shefi i Antikontrabandës s’mjaftohet me shkeljet e shumta që nuk i mban mend, shkon edhe më larg. Si shkelës i regjur i çdo kodi detyre, si në disa detyra të larta ku ka qenë dhe është shkarkuar vazhdimisht, me shkeljet s’ka të sosur. Del, për shembull, në televizor, ku, mes tjerash, dy vapora me rrena deshi t’i shesë për dy vapora me skrap.  Në atë dalje televizive ku provoi me gojën e vet marrdhënien e deformuar që ka me etikën dhe logjikën, mua si Drejtore e Administratës Doganore më bëri të reflektoj lidhur me masën e dënimit aq të lehtë që i dhashë vetëm duke e pezulluar. Por vrapi i ish-shefit të Antikontrabandës për të shkelur të gjitha kodet duke shqiptuar vapora me rrena, s’ka të ndalur. Atë mbrëmje në televizor, jo vetëm gënjeu, por gënjeu si një mashtrues i regjur, buzagaz, duke ngatërruar përmes kombinacionesh delirante, deri edhe kompani të mëdha, madje deri edhe shtete të mëdha, e të tjera e të tjera.  Nuk më përket mua t’i kujtoj ish-vartësit tim atë që ish-vartësi im e ka harruar. Unë nuk jam Drejtore e Doganave për t’u kujtuar vartësave në administratën doganore shkeljet. Unë këtë detyrë e kam, ndër të tjera, edhe qe vartësat për shkeljet t’i dënoj. Ish-shefi dhe ndonjë tjetër që ende nuk e di, le ta mësojë se; Edukatën e jep familia dhe dijet i jep shkolla. Kur nis një punë është e nënkuptuar se je edhe i edukuar edhe i mësuar. Puna nuk është familje që të edukon, as shkollë që të mëson. Nëse ndodh, si në rastin e ish-shefit, që gjatë punës nuk rezulton të jesh fort i edukuar dhe as fort i mësuar, jo vetëm unë, cilido Drejtor merr masa. Sado shkolla të kesh bërë, sado tituj të të kenë dhuruar, sado vapora me rrena të përhapësh me anë të televizorit. Me këtë rast dua t’i bëj publikut të ditur disa gjëra. Numri i bashkëshortëve, bashkëshorteve, bijve, bijve, kunatave, nipave dhe stërnipave, xhaxhallarëve, dajave, hallave, që ende përkohësisht vazhdojnë të jenë të punësuar në dogana, është pabesueshmërisht i madh. Numri i telefonatave që po më bëhen për të mbajtur në punë këtë oqean nepotizmi dhe klientelizmi, është gjithashtu tej çdo përfytyrimi. Botkuptimi im si njeri që çdo milimetër të rrugës së jetës e kam bërë me forcat e mia, është në kundërshtim të hapur dhe flagrant, totalisht i kundërt me sa po më shohin sytë e po më dëgjojnë veshët. Përgjegjësia ime intelektuale, humane, profesionale, nuk e pranon kurrsesi këtë gjendje. Kjo letër nuk i drejtohet kurrsesi personit apo personave të sipërpërmendur. Këtë letër unë j’a adresoj kurrkujt tjetër përpos të vetmit ndaj të cilit kam borxh; Publikut”, përfundon Spiropali.