Spiro Bellkameni, atdhetar dhe luftëtar i vendosur

2560
Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Çeta kryengritëse e Spiro Bellkamenit
Në fund të shek. XIX dhe në fillim të shek. XX, Perandoria Osmane, ishte e brejtur nga kriza dhe kontradiktat e thella. Ajo ishte e detyruar të bënte mjaft lëshime në dëm të interesave shqiptare, me qëllim për të kënaqur lakmitë e Fuqive të Mëdha dhe të përkrahësve të tyre. Në Shqipëri, në këto kushte po rritej lëvizja antiosmane, antiimperialiste e antishoviniste, gjë që çoi dhe forcoi më tej ndjenjën kombëtare. Kështu u krijuan disa komitete të fshehta “Për lirinë e Shqipërisë”. Nën kryesinë e patriotit Bajo Topulli, një i tillë u krijua në Manastir në vitin 1905. Si qëllim kryesor kishte “Të ngjallurit e Shqipërisë, mbjellja e vëllazërisë, dashurisë dhe e bashkimit të popullit shqiptar, përdorimi i çdo mjeti për mbrothësinë e Shqipërisë”. Më tej edhe Spiro Bellkameni me çetën e tij u përfshi në këtë lëvizje të madhe. Ai jetoi dhe luftoi në këtë periudhë plot me ngjarje të mëdha për kombin tonë. Në vitin 1907 Spiro Bellkameni si përfaqësues i patriotëve shqiptare, dërgohet për ngritjen dhe hapjen e shkollës shqipe të Progrit. Aty ai përshëndet popullin për këtë shkëndijë të shqiptarizmës dhe i uron nxënësit, duke iu drejtuar: Ju “u bëfshi të vlefshëm për mbrothësine e mëmëdheut”. Ndërsa më 1 nëntor 1907 shkollën shqipe ai e çel edhe në Bellkamen, fshatin e tij të lindjes. Përfaqësuesit e klerit, në këto krahina i kërkuan që t’i ndihmonte për të mos lejuar ngritjen e shkollave. Qëllimi i tyre ishte se “elenizmi” nga shkollat shqipe po humbet. Por, Spirua iu përgjigj se “shkolla shqipe do të hapet patjetër dhe se unë do t’i dal zot, se jam shqiptar”. Spiro Bellkameni, si shumë patriotë e luftëtarë të tjerë që kishin mbushur radhët e çetave kryengritëse, ishin të bindur se liria e pavarësia e Shqipërisë nuk do të vinin me reformat dhe premtimet e xhonturqve e shërbëtorëve të tyre, por përmes rrugës së luftës të armatosur kundër sunduesve turq dhe planeve të fuqive imperialiste e shoviniste, të cilët synonin të pushtonin dhe të gllabëronin tokat shqiptare. Jehonën e kryengritjes së Kosovës dhe të Malësisë së Madhe kundër ekspeditave ndëshkimore ushtarake turke të Xhavit Pashës e Turgut Pashës, si dhe Memorandumi i Grërçes, pati jehonë të madhe në Shqipërinë e Jugut.

Zona e Korçës, nën udhëheqjen e Themistokli Gërmenjit, Qamil Panaritit, Spiro Bellkamenit, Mendu Zavalanit, Pandeli Calës, Sali Butkës e të mjaft patriotëve e luftëtarëve të tjerë gjatë vitit 1911, ngritën dhe shtuan me luftëtarë të rinj mjaft çeta kryengritëse. Presioni i çetave ndaj administratës turke u bë i gjithanshëm dhe nga të gjitha drejtimet. Ndaj dhe në këto kushte, qeveria turke kërkoi me çdo kusht që të shtypte kryengritjen. Kështu, më 21 korrik 1911 ushtria turke, e armatosur me mjetet më moderne të kohës futet në Korçë. Ajo me dhunë dhe forcë shpërthen me tërbim kundër popullsisë e patriotëve. Nis kudo bastisje dhe arrestime në masë, ku midis tyre ishin dhe Themistokli Germenji dhe Mihal Grameno. Me kushtet dhe situatën e krijuar vihet në lëvizje çeta kryengritëse e Spiro Bellkamenit. Me çetën e tij ai takohet me çetën e Qamil Panaritin dhe bisedojnë për gjendjen e vështirë dhe situatën të krijuar. Në këto kushte ata vendosin të sulmojnë burgun e Korçës për të liruar patriotët e arrestuar. Kështu, të dyja çetat zbresin në fushën e Korçës afër fshatit Orman Çiflik. Në natën e 29-30 korrikut 1911, këto çeta u ndeshen me forca të mëdha të ushtrisë turke. Këtu u ndez një luftë e ashpër dhe e pabarabartë, në forca dhe mjete. Luftëtaret e lirisë luftuan kundër më shumë se 400 forcave ushtarake turke të armatosura më së mirë, të cilët synonin të rrethonin luftëtarët e lirisë. Me një mbrojtje të manovruar dhe të vendosur, si dhe me një luftë të guximshme plani i armiqve për shpartallimin e çetave dështoi. Çetat, mbasi vranë e plagosën pushtuesin, çanë rrethimin dhe u sistemuan në vende të sigurta në krahinë. Por në fushën e betejës e të nderit ranë 6 dëshmorët e Orman Çifligut, Kristaq Furxhi, Bajazit Hehova, Odhise K. Pjasto, Kostaq Kosturi, Petraq Krastafilaku dhe Nuçi Lapi,

Spiro Bellkameni, një luftëtar i sprovuar
Çeta e Spiro Bellkamenit, pasi doli nga rrethimi manovroi me shpejtësi në drejtim të Malit të Thatë. Ajo zbulon dhe u zë pritë te ura e Kadiut (midis Zvezdës e Zëmblakut) një reparti ndjekës të ushtrisë turke, e rrethon atë dhe e detyron të dorëzohet. Si rezultat i luftës kryengritëse nga fillimi i vitit 1912, lirohet nga burgu Themistokli Gërmenji dhe mjaft patriotet e tjerë. Në këtë kohë në Korçë riorganizohet komiteti kryengritës dhe zgjerohet veprimtaria e çetave kryengritëse. Spiro Bellkameni, si një luftëtar i sprovuar shkon në zona të tjera për të vendosur lidhjet e për të bashkërenduar veprimet me çetat e tjera që vepronin në Kolonjë, në Dangëlli, në Përmet etj. Ndërsa në gusht të 1912-s çeta e Spiro Bellkamenit duke zbatuar vendimin e komitetit kryengritës, vret në mes të Korçës, komandantin e xhandarmërisë, të milicisë dhe të administratës turke për krahinën e Korçës.

U sakrifikua për çështjen kombëtare
Përpjekjet dhe luftimet e luftëtarëve patriotë në këtë periudhë ngritën më lart vrullin e kryengritjes së armatosur për liri e pavarësi. Në malet e Shqipërisë së Jugut dhe të Veriut gjetën strehë dhe u mbushën me çeta kryengritëse. Këto veç e veç dhe të gjitha së bashku bënë një punë të madhe për të shkoqur e demoralizuar ushtrinë turke. Kjo punë e mirë dha frytet e saj në qershor 1912, ku nga korpusi i ushtrisë turke të Manastirit dezertuan dhe u bashkuan me çetat rreth 150 ushtarë e oficerë shqiptarë. Më tej dezertuan edhe 30 oficerë e mbi 400 ushtarë. Në këto kushte u mbaj Kuvendi dhe Memorandumi i Sinjës, kërkesat e të cilit ishin të njëjta me vendimet e Gërçes, që e ngriti më lart hovin kryengritës të luftëtarëve.

Pas kësaj pune të bërë dhe hovit të kryengritjes, më 21 gusht 1912 luftëtarët e çetave hynë triumfalisht në Korçë. Atdhetari dhe luftëtari i flaktë i Shqipërisë Mihal Grameno e përshkruan me këto fjalë këtë ngjarje “…udha prej Korçe e gjer në Orman Çiflik ishte mbuluar nga të dy anët me njerëz, gëzim i madh për të gjithë. Çeta e parë që hyri në Korçë ishte ajo e të dëgjuarit atdhetar e luftëtar Spiro Bellkamenit, i cili me kordhelën e Shqipërisë në kraharor hiqte tërë karvanin kryengritës në Korçë…”. Në tetor 1912 Spiro Bellkameni gjendet në fshatin e tij dhe pranë prindërve, ku përgatitej të martohej. Por qeveria dhe garnizoni turk i Neveskës bënte plane për ta shtënë në dorë Spiro Bellkamenin. Ushtarë turq dhe qeveritarë i shkojnë në shtëpi për ta arrestuar, por kur shikojnë se ky plan nuk mund të realizohet, shkojnë si miq. Pas kësaj pritjeje në shtëpinë e fshatit të Spiros, qeveritari turk e fton atë për vizitë në shtëpinë e tij në qytet. Këtu ai përgatit dhe i ngre kurth, duke e kapur në pabesi këtë trim e luftëtar së bashku me 4 shokët e tij. Mbas torturash çnjerëzore, i vrasin më 14 tetor 1912, dy ditë para dasmës.

Jeta e Spiro Bellkamenit ishte e shkurtër, 26 vjet. Ajo ishte jeta e një luftëtari të vendosur për çështjen e Shqipërisë, e një trimi të papërkulur, e një atdhetari të flaktë për gjuhën shqipe, për lirinë e pavarësinë e Shqipërisë. Në këtë periudhë të shkurtër luftarake ai u dallua për karakterin e tij luftarak, duke qenë gjithnjë i armatosur dhe i gatshëm. Ai luftoi dhe u sakrifikuar për çështjen kombëtare, duke qenë i rreptë me armiqtë, i dashur me miqtë, krenar, kryelartë për kombin e tij. Dhe populli do ta përjetësonte jetën e tij me vargjet: 

“Qaj moj Shqipëri e gjorë
Djemtë e tu që t’adhurojnë
Që për ty bien therorë
Dhe flamurin ta nderojnë
Qani Spiro Bellkamenë
Trimnë që ra për Atdhenë”. 

Për Spiro Bellkamenin është shkruar në vijimësi, janë bërë piktura dhe ngritur buste, si dhe është shpallur Dëshmor i Atdheut.
Sigal