Specialistët e ujërave: Durrësi mund të përmbytet si Shkodra, ja arsyet

727
Sigal

SPECIALE/ Protestë në ish-Kënetë, nën ujë 200 shtëpi. Flet Mejdi Islamaj, ish-përgjegjës i stacionit të pompave

Prej disa ditësh zona të plazhit të Durrësit dhe të ish-Kënetës janë nën ujë. Në plazh rreth 200 banesa janë me ujë në oborre dhe brenda. Situata është alarmante edhe pas pushimit të reshjeve të shiut pasi ujërat tashmë janë kthyer në ujëra të fjetura. Kanalet dhe oborret janë plot me to dhe perspektiva e tyre për përmirësim është mjaft e zymtë pasi nuk shihen masa energjike siç kërkohen për ta përmirësuar gjendjen. Duke u ndjerë të pashpresë për situatën e rëndë, ku ndodhen prej javësh, banorët dhe nxënës të shkollës së kënetës janë mbledhur në një protestë duke kërkuar nga pushteti qendror dhe ai vendor ndërhyrje për gjendjen katastrofike, ku ndodhen. Në ditën e parë të javës ata kanë këtë situatë. Kanalet e ujërave të larta dhe ato sekondarë kanë dalë nga shtretërit e tyre. Zona është thuajse e përmbytur ndonëse nuk ka shi. Ka banesa dhe oborre, ku ujërat janë rreth 30 -40 cm me ujëra, në të cilat janë të përziera edhe ujërat e zeza të gropave septike, pasi për banjot mungojnë kanalizimet. Në këto banesa uji ka hyrë edhe në katet e para duke shkaktuar dëme masive kundrejt pajisjeve elektro-shtëpiake. Protestuesit kanë deklaruar se janë rreth 1500 të nxënës shkollës në baltë dhe llum. Ndërkohë sipas tyre nuk ka asnjë njësi administrative në Kënetë. Po t’i bënin votimet në dimër, kanë ironizuar disa protestues, me siguri që do të mbyteshin njerëz duke shkuar tek votat. Kjo do të na bëjë që të bëjmë protestë më masive në të ardhmen. Një tjetër banor thotë se qeveritarët shihen vetëm për fushatat elektorale. “Vijnë na japin nga një thes me miell dhe gënjeshtra për fushatë. Na gënjejnë me nga 20 mijë lekë dhe nga një thes mielli për votën dhe na harrojnë. Vetëm nga moskujdesi kemi mbetur në mëshirë të fatit, sepse janë bllokuar kanalet e jemi përmbytur. Kërkojmë ndërhyrje emergjente, sepse në këtë zonë mblidhen të gjitha ujërat e Durrësit dhe përmbytemi. Pranë protestuesve ka shkuar edhe Kreu i Këshillit Bashkiak të Durrësit, Indrit Hamiti, i cili ka deklaruar se, një e katërta e Durrësit është nën ujë. Ndërkohë që ka kritikuar institucionet  që nuk kanë ndërhyrë s i Bordin e Kullimit, Inspektoratin e Ndërtimit dhe Bashkia. Ai tha se, Bordi i Kullimit ja kalon përgjegjësinë Bashkisë, ndërsa kjo e fundit nuk e ka marrë në varësi ndërmarrjen e ujësjellësit në një kohë që 80 % e këtyre ndërmarrjeve janë marrë nga Bashkitë në të gjithë vendin. Ndërkohë që Inspektorati i Ndërtimit në varësi të bashkisë nuk ka prishur asnjë prej qindra ndërtimeve pa leje të bëra mbi kolektorë e mbi kanale, e për pasojë qindra banesa janë nën ujë. Ai ka deklaruar se do të kërkonte që urgjentisht të mblidhet Shtabi i Emergjencës dhe të dali me konkluzione mbi situatën e krijuar.

Specialisti veteran i ujërave: Durrësi mund të përmbytet!

Specialisti veteran i ujërave, që nga vënia e themeleve të stacionit të pompimit në Porto Romano, e sheh gjendjen me një perspektivë të zymtë. Ai parashikon se me këto ritme që po anashkalohen problemet e kullimit të ujërave në Durrës rrezikohet që të degradojnë problemet dhe të krijohet një situatë tejet e pazakontë që mund të pasohet me përmbytje masive në Durrës. Mejdi Islamaj, ish-përgjegjës i stacionit të pompave në këtë hidrovor, ka më se 30 vite që nuk është më pjesë e personelit teknik të hidrovorit pasi ka shkuar dhe e ka parë në vend situatën ka deklaruar se: “Ai stacion është bllokuar komplet”. Ai ka paralajmëruar se situata mund të degradojë dhe të ketë një përmbytje si ajo e Shkodrës. Sipas tij, kanalet janë mbushur me dhe. Nuk ka me kanale sekondare. Kur vjen uji vjen vonë. Po të mos vonohen ujërat, në kanalet e bllokuara, ato hiqen për 3 orë. Po të punojnë kanalet normalisht, stacioni i heq ujërat për 3 orë. Kur kanalet nuk funksionojnë rrezikon të mbytet këneta. Maksimumi për 2 ore vjen kapaciteti i plotë i pompave po nuk ka personel që të pastrojnë zgarat. Personeli duhet të rrijë në sallë. Ndërmarrja e ujërave duhet që të çojë ujërat deri në Hidrovor.  Ndërkohë që ai thotë se: “Nuk ka asnjë argument për të lejuar përmbytjen”, dhe vijon të arsyetojë se  i gjithë shqetësimi specialistit vjen nga frika e bllokimit të zgarave në hyrje të hidrovorit, të cilat nuk lejojnë depërtimin e ujit. Zgarat janë 4.2 metër nën nivelin e detit dhe deri në krye të stacionit lartësia arrin në 6 m. Përqendrimi mbeturinave inerte, bllokimi nga materialet e ndryshme krijon masiv të madh duke e detyruar ujin të derdhet drejt pompave në formë katarakti, veprim që ndëshkon dhe nxjerr jashtë përdorimi pompat dhe të gjithë gatishmërinë e misionin e stacionit.

STACIONI I PORTO ROMANOS

Keqadministrimi mund të sjellë dëme kolosale

Stacioni i pompave në Porto Romano, sipas Islamajt, është venë për herë të parë në punë me 6 qershor 1963. Fillimisht me 3 pompa italiane me kapacitet të përbashkët 9 m3 ujë në sekondë dhe më pas me 2 pompa hungareze me të njëjtin kapacitet. Hidrovori u ndërtua më së shumti për të kulluar e shkripëzuar 3500 ha tokë të Kënetës, ndërkohë që pasi u vu në funksionim kujdesej për kullimin e 7000 ha tokë. Duke parë se reshjet dhe prurjet në situata të caktuara ishin mbi kapacitetin përpunues të pesë pompave u shtuan edhe katër pompa të tjera dhe të gjitha së bashku përballonin 24 m3 ujë në sekondë duke i dhënë zgjidhje përfundimtare dhe të përhershme frikës nga përmbytja. Islamaj, përgjegjësi i parë i hidrovorit, ka thënë se pompat për t’u vënë të gjitha në punë duhen detyrimisht të furnizohen me 24 m3 ujë / sek ndryshe shkaktojnë avari të mëdha. Që kjo sasi të shkojë në hidrovor lypset mirëmbajta e rreptë e rrjetit të kanaleve. Gjatë periudhës së nxehtë dhe me pak reshje nuk ndizen më shumë se dy pompa, kurse në pikun e reshjeve gjithçka varet nga sasi e prurjes dhe jo sasi e reshjeve që bien në territorin për të cilin shërben hidrovori. Islamaj pohon se para viteve 1990 ndërmarrja e kullimit kishte në gatishmëri të pastrimit të kanaleve 28 ekskavatorë, ndërsa sot ky numër është disa herë më pak duke rrezikuar shumë mirëmbajtjen e rrjetit. Specialisti bën të qartë se shumë më e rëndësishme se gatishmëria teknike është gatishmëria e shërbimit, thënë ndryshe pastrimi zgarës dhe kanaleve për ta detyruar ujin të futet në kanal. “Nëse uji rri në tokë, në arë dhe jo në kanal atëherë do të ketë përmbytje të padiskutuar pasi kanalet kanë dalë jashtë loje nga bllokimet e mbushjet”,- shprehet specialisti Islamaj. Nëse zgarat me thellësi 4.2 metra bllokohen, rritet masivi inerteve dhe zvogëlohet thithja. Kështu uji kalon mbi material dhe lëshohet si katarakt duke dëmtuar e shkatërruar kushinetat, bokullat dhe të gjithë sistemin vertikal. Mirëmbajtje duhet të ketë edhe kanali ujërave të larta që vjen përgjatë kodrës së qytetit dhe vijon në Spitallë për t’u derdhur në det paralel me hidroforin, por jo në hidrovor. Nëse kanali bllokohet atëherë uji rrjedh në mënyrë të pakontrolluar duke bërë përmbytje të tjera. Stacioni është i pajisur me dy linja të furnizimit me energji vetëm për ta pasur në gatishmëri të plotë. Për të shmangur çdo frikë nga një përmbytje e mundshme njohësi shumë i mirë i stacionit të pompimit bën të qartë se ka rëndësi mbajtja pastër e zgarës në hyrje të hidrovorit dhe kanalit kryesor, kolektorit të madh Shkozet-Kodër Rrashbulli-Kënetë-Porto Romano. Të gjithë përmbytjet e viteve të fundit Islamaj ia faturon keqadministrimit, bllokimit të kanaleve, mospastrimit sistematik të tyre. “Dëmet mund të jenë katastrofike nëse do të ketë reshje të shumta dhe prurje të pakta uji në hidrovor. Dëmet nuk do të jenë vetëm në tokë por edhe në banesa dhe njerëz”, shpreh shqetësimin e tij specialisti Mejdi Islamaj