Specialët e Saimir Tahirit, si bandat e Napolon Zervës

549
Sigal

 Dhuna ndaj protestuesve në Tiranë, rast i paprecedent. Minimalisht, të shkarkohen krerët e Rendit, ministri Tahiri para drejtësisë

Dhuna çnjerëzore e policisë ndaj të rinjve që protestuan për heshtjen e shtetit shqiptar ndaj vrasjes së Ilia Karelit në burgjet greke, shënon një nga rastet më të rënda të dy dekadave të fundit, Ndërkohë, krerët e policisë dhe ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri që janë shkaktarë të kësaj dhune, jo vetëm duhet të japin dorëheqjen, por ndaj tyre, organi i Prokurorisë, duhet të nisë menjëherë hetimet. Të gjithë e panë se Specialët e Tahirit u sollën ndaj protestuesve paqësorë njëlloj si bandat e Napolon Zervës…. Ndaj, fillimi i hetimit, do të jetë një rreze shprese e shumëpritur për zbatimin e ligjit…

VRASJA E SHQIPTARIT NË GREQI

Vdekja e shqiptarit Ilia Kareli, në burgun e Nigritës në Seres të Greqisë, ka bërë që prokuroria të lëshojë 15 urdhër-arreste. Sipas mediave helene theksohet se, prokurori i çështjes ka ngritur padi për tre vepra penale kundër institucionit të burgut në fjalë, por edhe ndaj personave të veçantë. Nga hetimet e bëra, përgjegjësia kryesore bie mbi autoritetet e burgjeve të Nigritës dhe Malandrinos. Pista e hetimeve është përqendruar sidomos në burgun e Nigritës, pasi në këtë burg dyshohet se janë bërë rrahjet më brutale ndaj shqiptarit, të cilët për më shumë se dy orë ata e torturuan vazhdimisht dhe në mënyrë sistematike Ilia Karelin, me qëllim që ta ndëshkonin për vrasjen e kolegut të tyre grek, Jorgos Tsironis, më 25 mars, në burgun e Malandrinos. Gardianët e lagnin vazhdimisht me ujë Karelin, me qëllim që goditjet e tyre të shkaktonin sa më shumë dhimbje. “Duke vepruar të gjithë së bashku, ju ushtruat dhunë ndaj Ilia Karelit me grushte, me shkelma, me një çarçaf të modifikuar që kishte nyje të shumta, me gjatësi rreth 50 cm; e goditët në pjesë të ndryshme të trupit, në shpinë, në këmbë, në gjoks, në bark dhe në kokë, duke e lagur njëkohësisht me ujë, me qëllim që goditjet të shkaktojnë sa më shumë dhimbje”, theksohet në aktakuzë. Sipas dosjes, torturimi i Karelit zgjati nga ora 15:37 deri në 18:38, në dhomën e pritjes të burgut të Nigritas, dhomë që thirret si “frigorifer”, në gjuhën e gardianëve. Aty Karelin e vendosën sapo mbërriti në burgun e Nigritas, deri sa të kryheshin disa punime teknike në qelinë, ku do të dërgohej përfundimisht e do të ndërronte jetë më vonë”.  Ky është informacioni tronditës, i cili në vend që të komunikohej nga shteti shqiptar dhe institucionet e saj, zbulohet vetëm nga media greke. Madje, strukturat e të drejtave të njeriut pranë BE-së janë shumë më të ashpra në deklaratën e bërë duke paralajmëruar seriozisht shtetin helen për torturat e tipit nazist. Po ku janë strukturat shqiptare të drejtësisë, Avokatit të Popullit dhe kreut të Qeverisë. Po Presidenti i Republikës pse nuk reagon? Po të Drejtat e Njeriut me çfarë merren apo janë thjesht sa për të numëruar paratë nga fondet e projekteve pa vlerë. Duhet thënë dhe duhet pranuar që veprimi i të burgosurit shqiptar duke i marrë jetën një gardiani është i pajustifikueshëm dhe i dënueshëm. Asnjë arsye nuk mund ta mbulojë veprimin dhe krimin e kryer ndaj gardianit Jorgos Tsironis, më 25 mars, në burgun e Malandrinos. Por ajo që të tmerron dhe përbënë skenë të rrezikshme ka të bëjë me faktin se një njeri i veçantë kryen një veprim, të cilit i kundërpërgjigjen dhjetëra të tjerë, madje edhe drejtues të burgut ndërkohë që, ndaj tij duhet të vepronte me ashpërsinë më të madhe ligji dhe vetëm ligji. Pikërisht duke parë heshtjen dhe indiferencën e strukturave shtetërore një grup qytetarësh dhe përfaqësuesish politikë legalë kërkuan dhe organizuan protesta paqësore për të treguar se pa vënë dinjitetin dhe pa mbrojtur jetën e shqiptarëve të tjerë sidomos në Greqi, ky vend nuk ka për të gjetur kurrë stabilitet.

DHUNA NË TIRANË

Protestat e nisura në qendër të Tiranës dhe të zhvendosura drejt bllokut të ambasadave treguan se, shqiptarët nuk mundet më të durojnë maskaradën e disa banditëve grekë që kryejnë sistematikisht me shtetasit shqiptarë. Por askush nuk e mendonte se banditët e mbrojnë dhe e mbështesin njëri-tjetrin. Askush nuk e mendonte se banditët blu të 21 janarit na u shfaqen rozë në 12 prill të 2014. Me sa duket atje ku ka dhunë atje është ministri më i paaftë në historinë e Ministrisë Brendshme, Saimir Tahiri. Ai u ndodh në 21 janar, ku digjeshin makinat, ai u shfaq kur u rrahën barbarisht me dhjetëra shoferë furgonësh në Tiranë që protestonin për bukën e gojës. Ai shfaqet çdo ditë me aksidente dhe qindra të vrarë nëpër rrugët e vendit. Saimiri shfaqet me tritol-vënësit dhe trafikantët e hashashit në xhiro dhe mitingje. Ai shfaqet me emërimet nepotike kudo, në drejtoritë e policisë, komisariate, me njerëz që s’kanë lidhje më idealet e policisë, me të inkriminuarit e djeshëm, por që sot, kanë rregulluar biografinë me bakshishet etj.. Ka edhe të tjera që kanë të bëjnë me ‘të dhe mbështetës të tij në lokale VIP, andej nga Ndroqi, por këto me zë dhe figurë do të përbëjnë shumë shpejt skandalet më të paimagjinueshme. Veprimet e dhunshme dhe të qëllimshme të policisë speciale nuk mund të kalojnë kaq lehtë dhe te ju zoti Ministër nuk mund të justifikohen me disa masa për disa policë. Ata rrahën njëlloj sikurse rrahën policët grekë, por me një dallim të madh se, policët e tu rrahën në mes të ditës njerëz të pafajshëm, të cilët të vetmin gabim që bënë kishte të bënte me faktin se kërkonin drejtësi. Ju z. Ministër nuk keni asnjë dallim nga drejtori famëkeq i burgut grek i Nigritës në Seres të Greqisë, ku u vra Ilia Kareli. Ju e bëtë më mirë dhe më zellshëm atë që edhe vetë grekët do ju kishin zili. Ju shkelët ligjin dhe duhet të jepni dorëheqjen së bashku me dallkautët dhe drejtuesit mediokër që ju kanë rrethuar. Ku e gjeni të drejtën të poshtëroni njerëzit e medias dhe gazetarët ju zoti ministër. Gorillat e tua futi në kafaz sepse askush nuk ka të drejtë bashkë me trafikantët dhe kontrabandistët që të rrethojnë, të fshijnë filmimet dhe fotot e banditëve që do i kishte zili, edhe krimineli Napolon Zerva gjatë masakrës çame. Në kreun e dytë të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë për LIRITË DHE TË DREJTAT VETJAKE në Nenin 22 thuhet se:

1. Liria e shprehjes është e garantuar.

2. Liria e shtypit, e radios dhe e televizionit është e garantuar.

3. Censura paraprake e mjeteve të komunikimit ndalohet.

Atëherë përse e keni shkelur dhe përdhosur Kushtetutën e vendit, duke shoqëruar një gazetar, duke e dhunuar dhe fshirë fotot që ai kishte bërë gjatë momentit që banditët e tu po rrihnin barbarisht protestuesit paqësorë. Banditët e tu rrahën në mënyrë të pamëshirshme me shkopinj gome qytetarë të pafajshëm, të cilët protestonin dhe ju u mjaftuat me një këshillim. A e dini ju zoti ministër se vëllai i njërit prej drejtuesve të operacionit në Tiranë, ditën e shtunë, punon për llogari të asfalisë greke? Pyesni kolegët e tu deputetë, pyesni edhe z.Tare, se ta thotë se si është e vërteta e vëllait të të besuarit tuaj që urdhëroi pardje dhunën. Nëse ju z.ministër nuk shkarkoni drejtuesit e Rendit dhe Forcave Speciale si dhe të gjithë banditët e që i shërbyen klaneve antishqiptare, përgjegjësia do të bjerë vetëm mbi ju dhe për të cilën një ditë shpejt apo vonë do jepni llogari. Prokuroria të nisë hetimet dhe të çojë në bankën e të akuzuarve drejtuesit e policisë dhe përgjegjësit e kësaj masakre me në krye ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.