Spartak NGJELA/ Letra e Jorgaqit për Kadarenë, reagon Ngjela: “Të shenjtët nuk preken”

492
Sigal

Për përmbajtjen e letrës që shkrimtari Nasho Jorgaqit i ka dërguar Ismail Kadaresë, Ngjela është shprehur i habitur dhe i indinjuar në rrjetin e tij social facebook  “U habita posa kalova njëzetë rreshta të saj dhe e pashë se flitej për një konkurencë krijimesh letrare: përkatësisht, dy novela me të njëjtën temë. Pastaj e kuptova se nuk ishte një konkurencë, por thjesht një humbje arsyeje nga Jorgaqi. Habi e madhe, sesi ende vijojnë të godasin Kadarene, ata që ende nuk u besohet se ka rënë realizmi socialist. Si ka mundësi që të akuzosh një nga shkrimtarët më të mëdhenj të botës sot, se po pretendon me pa të drejtë që ka qenë disident kundër regjimit tiranik të Tiranës, në një kohë, që kjo s’ i jep asnjë vlerë më shumë veprës së tij? Lertërsia nuk është dëshirë për të shkruar, kjo s’ mjafton: ajo është vlerë artistike që e merr vlerësimin mes arsyes komperative të modeleve të mëdhenj. Nuk e di se çfarë mund të jetë më e rëndë për një regjim, si ai i Tiranisë hoxha, sesa një roman si “Pallati i Endërrave”. Pa dyshim që ky roman është një vlerë kombëtare në fillim, e mandej edhe botërore. Atje është stilizuar me art të madh Ferri Hoxhian, por dhe ferri i të gjitha tiranive, më saktë vetë “Komiteti Qëndror” dhe Enver Hoxha bashkë me të . Nëse nuk e kuptojnë, të paktën ta shijojnë artistikisht. Shumë vjet përpara, ndoshta rreth vitit 1994, e kam takuar Kadarenë në Hotel Dajti, pas nëntëmbëdhjetë vjetësh, dhe jo pa një ndjenjë kureshtjeje, i kam thëne: “Nga Pallati i Endërrave, ka dalë romani total që ke shkruar dhe e ke titulluar “Koncert në Fund të Dimrit”. Isha i sigurt për këtë, por nuk isha i sigurt për pohimin e autorit, sepse një pyetje si kjo nuk mund të lejohet t’ ia bësh autorit. Janë dy vepra këto që më kanë pëlqyer veçanërisht në letërsinë botërore. Por, për shume e shumë arsye, Ismaili, ndenji disa sekonda dhe pa ndrojtje dhe pa qejfmbetje më tha: “Po, nga ai ka dalë”. Me këtë dua të them se ka një kontinuitet kadareian në veprën e Ismail Kadaresë. Ato janë të lidhura, por kanë një specifikë të përbashket, tragjizëm dhe patriotizëm, histori univrsale dhe krijim tronditës që bashkon kohët, lashtësinë greke, mesjetën dhe kohët moderne. Por, Jorgaqi më detyroi që të lexoja Mjegullat e Tiranës, se kisha lënë ta lexoja në muajin Gusht. Nuk u habita nga vlera artistike e kësaj novele, por nga një fakt tjetër: Tragjiku Shqiptar, paska edhe ky një Romeo e Zhulietë moderne. Siç duket kjo qenka një propensitet natyror (tendencë natyrore) e shkrimtarëve të mëdhenj. Kurse Kritiku e “akuzonte”, se kjo novelë është shkruar tani. Si ka mundësi të flitet për datën e shkrimit për një vepër arti? Madje, sipas tij kjo ka ardhur dhe është shkruar tani se Kadareja kërkon padrejtësisht të tregohet disident kundër tiranisë Hoxha. Po ku ka disidencë kundër regjimit në këtë novelë? A mund të krahasohet kjo novelë për kundërshtinë e saj antitiranike (që s’ ka fare), sado e bukur që është, me Pallatin e Ëndrrave, apo me Gjeneralin e Ushtrisë së Vdekur, apo me Kronikë në Gur, për të mos përmendur dhe shumë të tjera? Nuk e kuptoj, përse nuk përmbahen dot ca shkrimtarë. Pastaj, si mund të atakohet një shrimtar me staturë botërore, në një kohë kur vlera e tij sot, në një sens historik, nuk është fare më shume vlerë për të, sesa për vetë Shqiptarët. Pse këta njerëz duan t’ ua zbehin shqiptarëve edhe nje vlerë të letërsisë botërore, që kanë në këtë kohë kaq të vështirë për historinë e tyre, nga naiviteti apo nga ligësia? Gjithsesi, e pse duhet ta analizoj këtë? Mjafton shprehja, që me mirëdashje dua t’ iu them disave që kanë këtë tendence: I Santi non si toçano, (Të shenjtët nuk preken) sepse nuk humbet vlera e Shenjtorit, por ajo e atakuesit. Historia, në funksion te vlerës dhe antivlerës, nuk ka kursyer asnje njeri kushdo që ka qenë ky. Edhe nëse të ka marrë temën, kjo nuk është asgje: shumica e tragjedive shekspiriane kanë qenë shkruar para se sa t’ i shkruante Shekspiri. Por, më e vështira për t’ u kuptuar është fakti që kjo temë, paska qenë një ngjarje personale e vëtë Kadaresë.