Spahiu: Brenda 2 muajve hyn në fuqi patenta me pikëzim

61

Kuvendi miraton ndryshimet në Kodin Rrugor

Ndryshimet në Kodin Rrugor i hapin tashmë rrugë sistemit të pikëzimit të patentave. “Pas hyrjes në fuqi të Kodit të ri Rrugor, drejtoria jonë është në gjendje që për një periudhë 1-2 muaj të përgatisë procedurat dhe specifikimet teknike për implementimin e lejes së drejtimit me pikë”, është shprehur për “Telegraf” drejtori i Shërbimeve të Transportit Rrugor, z.Ylli Spahiu. Maxhoranca e sotme miratoi dje në Kuvend me 84 vota (shumica e cilësuar) ndryshimet në ligjin e Kodit Rrugor. Duke folur në Kuvend, gjatë diskutimit të disa ndryshimeve në Kodin Rrugor, Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto vuri në dukje se parashikohet të përmirësohet më tej edhe teknologjia e informacionit për ta bërë procesin e marrjes së lejes së drejtimit të pamanipulueshëm. Sistemi i pikëzimit të lejeve të drejtimit synon të sjellë përgjegjësi më të madhe nga ana e drejtuesve të automjeteve. “Në këtë sistem marrin pjesë aktorë të ndryshëm që janë: Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, Policia e Shtetit, Gjykata Administrative dhe qytetari. Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor ka për detyrë të ndërtojë dhe mbajë regjistrin kombëtar të pikëve të lejeve të drejtimit, të shtojë pikët, siç e parashikon Kodi Rrugor, të ritestojë shtetasit që humbasin të drejtën e mbajtjes së lejes së drejtimit, si rezultat i shkeljeve të ndryshme, siç e parashikojnë aktet ligjore. Nga ana tjetër, Policia e Shtetit është organi që raporton pranë Drejtorisë së Shërbimeve të Transportit Rrugor heqjen e pikëve apo pezullimin e lejes së drejtimit të një shtetasi. Por, vendimi i Policisë pranë Drejtorisë së Shërbimit Rrugor ekzekutohet në momentin, kur i ka kaluar të gjitha fazat e kontestimit të penalitetit të qytetarit. Gjithashtu, Gjykata Administrative ka të drejtë të revokojë një vendim të policisë në rastet, kur ajo gjykon si jo të drejtë vendimin e saj. Dhe së fundi, por jo i fundit nga rëndësia, është qytetari i cili gëzon një leje drejtimi. Drejtoria e Shërbimit Rrugor është e detyruar që nëpërmjet faqes së saj zyrtare t’i ofrojë mundësinë qytetarit të kontrollojë gjendjen e tij të pikëve në çdo moment” shprehet për “Telegraf” z. Ylli Spahiu.

 Si funksionon leja e drejtimit me pikë

Çdo shtetasi, i cili sapo fiton të drejtën për lejedrejtimin, i jepet një total prej 20 pikësh, të cilat mund të ulen deri në 0 pikë, ose të rriten, maksimumi, deri në 30 pikë.

Ulja e pikëve

Në rast të shkeljeve të normave të sjelljes pëson zbritje të pikëve në bazë të tabelës së pikëve, të përcaktuar nga VKM përkatëse. Zbritja e pikëve, në Regjistrin Kombëtar të drejtuesve të mjeteve, bëhet vetëm në rastet kur është e formës së prere si vendim. Organi i cili heq pikët në lejen e drejtimit (Policia Rrugore) duhet të ketë njoftuar qytetarin dhe të jenë mbyllur të gjitha fazat e ankimimit nga qytetari, pra të jetë marrë një vendim i formës së prerë. Ulja e pikëve pasqyrohet në Regjistrin Kombëtar në rrugë telematike (në mënyrë elektronike, pra, duhet Regjistri Elektronik). Nuk mund të hiqen më shumë se 15 pikë njëkohësisht dhe heqja e pikëve lejohet vetëm në momentin, kur nuk është marrë vendim për pezullimin e lejes së drejtimit. Në rastet kur drejtuesi i mjetit humbet të paktën 3 herë (data e shkeljes merret si referencë) brenda një viti, ku ka si penalitet më shumë se 5 pikë në çdo shkelje, atëherë ky drejtues mjeti duhet t’i nënshtrohet rinovimit brenda 30 ditësh si drejtuesit e mjeteve që kanë 0 pikë në lejen e tyre.

Shtimi i pikëve

Shtimi i pikëve bëhet nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit Rrugor në dy raste:

– Drejtuesi i mjetit nuk ka bërë një shkelje të normave të sjelljes, të cilat çojnë në heqjen e pikëve për një periudhe dy vjeçare. Në rast se drejtuesi i mjetit në Regjistrin Kombëtar ka 20 ose më shumë pikë përfiton 2 pikë shtesë dhe nuk mund të kalojë nivelin e 30 pikëve në total. Ne rast se drejtuesi i mjetit në Regjistrin Kombëtar ka më pak se 20 pikë, por më shumë se 0, atëherë numri i pikëve i bëhet 20 në mënyrë automatike.

– Në rastet kur drejtuesi i mjetit i nënshtrohet një testimi për arsye se ka 0 pikë, ose për shtesë kategorie dhe ka më pak se 20 pikë, atëherë numri i pikëve të tij në Regjistrin Kombëtar bëhet 20 pikë automatikisht.

Testimi për rifitimin e pikëve të humbura organizohet nga DPSHTRR dhe pa pasur nevojën për autoshkollë.