Sot, përvjetori i dytë i përurimit të Odeonit në Selinë e Shenjtë Botërore Bektashiane

723
Kujtim BORIÇI
Syrja XHELAJ
Kryegjyshi Botëror Bektashian, Hirësia e Tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj: Odeoni, pasqyrë e historisë së ndritur 800-vjeçare të bektashizmit që do pasurohet në vazhdimësi!
Si sot dy vite më parë, përkatësisht më 7 shtator të vitit 2015, në një ceremoni krejt të veçantë, me pjesëmarrjen e drejtuesve më të lartë të shtetit shqiptar, klerikëve të besimeve të ndryshme fetarë, të ftuarve të shumtë nga hapësirat mbarëshqiptare e vende të ndryshme të botës, si dhe qindra besimtarëve, në mjediset e Selisë së Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane në Tiranë, u bë ceremonia e përurimit të odeonit bektashian, një vepër madhështore dhe unikale në llojin e vet. Kjo datë mbetet një datë e shënuar për miliona besimtarë bektashinj në mbarë botën dhe njëkohësisht një festë përkujtimore e përvitshme për ‘ta. Kështu ndodh edhe sot, plot dy vite më parë. Në Selinë e Shenjtë do të mblidhen qindra besimtarë, të cilët së bashku në mjediset funksionale të odeonit, do të luten e falen tek Krijuesi, e njëkohësisht, me krenarinë e ligjshme të materializimit të një pjese të rëndësishme të historisë tetë shekullore të bektashizmit në hapësirat e këtij objekti shumë-funksional, do të meditojnë e mendojnë për më shumë paqe, mirësi e dashuri për të ardhmen. “Përkujtimi i ndërtimit të odeonit, është një vlerësim për rrugën e ndritur të besimit tonë bektashian, një kujtesë dhe obligim për çfarë kanë bërë brezat e klerikëve tanë deri tani dhe çfarë duhet të bëjmë për të ardhmen. Odeoni që ne përuruam plot dy vite më parë, është pasqyrë e historisë së ndritur 800 vjeçare të bektashizmit që do pasurohet në vazhdimësi. Në këtë ditë ne përkujtojmë me respekt iniciatorët dhe realizuesit e parë të këtij projekti, Ahmet Dede Myftari e Dede Reshat Bardhin, deri tek brezi aktual që materializoi këtë projekt…”- pohon mes të tjerave Kryegjyshi Botëror Bektashian, Hirësia e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.

Ndërtimi i Odeonit
Ideja për ndërtimin e Odeonit në Selinë e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane ka zanafillën në vitin 1960, me iniciativën Kryegjyshin Botëror Ahmet Dede Miftari. Synimi ishte që të ndërtohet një objekt shumë-funksional për historinë e bektashizmit në afro 8 shekuj, traditat atdhetare të këtij besimi dhe përcjelljen e tyre brez pas brezi te besimtarët. Ndërkohë, merita e veçantë për projektin dhe nisjen e punimeve, i takon Dede Reshat Bardhit, i cili ishte dhe mbetet kleriku që ringriti këtë besim në hapësirat shqiptare e shumë më gjerë të këtij besimi pas ndryshimeve në vitin 1990. Ndërkohë, Kryegjyshi Botëror aktual, ka meritën e realizimit të plotë të projektit, duke realizuar dhe amanetin e paraardhësve të tij. Pra, dy vite më parë, u ndërtua dhe përurua ky objekt kulti shumë-funksional. Odeoni është konceptuar, projektuar dhe ndërtuar si një vepër unikale dhe e vetme e këtij lloji në botë. Ai është një faltore unikale për besimtarët. Objekti është një kompleks shumëfunksional ku ndër të tjera përfshihen muzeu u bektashizmit, biblioteka, salla e leximit, mjediset e arkivës, salla për medien, salla e leximit e mjedise të tjera ndihmëse. Ndërkohë, që nnjë projekt i afërt, parashikon që të nisë emetimin dhe një radio.

Kur bëhet fjalë për këtë objekt të rëndësishëm të ndërtuar me kontributin e besimtarëve dhe financim të pjeshëm nga shteti, nuk duhet harruar kontributi direkt i klerikëve bektashianë, biznesmenëve dashamirës dhe qindra besimtarëve. Për Jetmir Bodinin, administrator i Selisë së Shenjtë, që ka një evidentim të saktë për gjithë ecurinë e fazave të projektit, ndërtimi i këtij objekti kulti nuk ka qenë i lehtë, por puna voluminoze dhë vështirësitë kapërceheshin me vendosmërinë dhe këmbënguljen për realizimin e amanetit të Dede Reshat Bardhit e klerikëve të tjerë që mbajtën e mbajnë mbi supe këtë barrë.

Vlerësime dhe mesazhe
Sot, në këtë ditë feste, mbeten aktualë dhe vlerësimet e bëra nga personalitetet në ditën e përurimit të Odeonit dy vite më parë. Ndër të tjera, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Hirësia e Tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj theksoi: “… Faltorja që përurojmë sot, është pjesa e dukshme dhe simbolika e një besimi të lindur 800 vite më parë. Ajo çfarë e ka bërë këtë tarikat të Islamit, t’i mbijetojë shekujve, të fitojë terrene të rinj shpirtërorë, të bashkudhëtojë me vlerat e spikatura të kohërave të sotme, është pikërisht fryma e mirëkuptimit me atë që ke në krah, ndjenja e lume për të ndërtuar ura dashurie në brigjet me fe, etni, raca e mentalitete të ndryshme… Qendra Botërore Bektashiane ka vetëm 9 dekada që është vendosur në Tiranë. Ndonëse e përndjekur prej reformave, ndonëse e mbyllur totalisht prej diktaturës ateiste që lamë pas, kjo Qendër ka mundur të luajë rolin e saj historik përmes dramash dhe pengesave gjithfarësh… Unë besoj se përurimi i Faltores sonë, përbën gëzim të veçantë për çdo besimtar, pavarësisht orientimit fetar. Pasi kjo është një shtëpi e Zotit, dhe ne besojmë tek një Zot i vetëm, pavarësisht gjuhëve, lëvizjeve dhe lutjeve që i drejtojmë Atij. Në paqe me miliona shtëpi të Zotit në këtë botë, Faltorja jonë do të ngrejë ura komunikimi dhe dialogu, në të mirë të vëllazërisë fetare, duke u larguar ndërkaq prej çdo lloj verbërie të Islamit politik apo tendence të aksioneve të terrorizmit. Në fe, nuk ka dhunë. Feja e vërtetë jep e shpërndan vetëm dashuri. Kam gjithashtu kënaqësinë e veçantë, të falënderoj përpara këtij auditori të nderuar, Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, zotin Edi Rama, i cili, bujarisht ofroi ndihmë ekonomike të çmuar për përfundimin e Faltores sonë..”. Ndërsa Kryeministri Edi Rama, ndër të tjera tha:”…Duke soditur këtë tempull të përfunduar, në harmoni me gjeometrinë filozofike dhe shpirtërore të gjeniut të përveçëm të bektashizmit dhe të gjeniut të përbotshëm të krijimtarisë, mu kujtua filozofi Jozef Ratzinger, ipeshkëv i ardhshëm i Romës. Aherë ende kardinal, i përshkuar nga një sens murgjëror vëzhgimi të hatashëm, ai pat shkruar diku se “apologjia e vërtetë e krishtërimit është arti”, perifrazë e së famshmes klithmë të Dostojevskit, “e bukura do të na shpëtojë”. Nuk e di nëse kjo është “udha” – për t’i përshtatur këtij momenti një fjalë kuptimplotë për urdhrin bektashi – që në intimitetin e ndërgjegjes së vet pat dashur të ndjekë arkitekti i vërtetë i kësaj mrekullie, i ndjeri dhe i paharruari Haxhi Dede Reshat Bardhi. Njësoj si Moisiut të cilit, i përnderuar nga bektashinjtë, po aq sa nga besimet e tjera monoteiste, ju desh të kundronte për së largu vendosjen e popullit të tij në tokën e premtuar, po ashtu Dede Reshati e sheh sot të kryer amanetin e moçëm për ngritjen e kësaj faltoreje, e kësaj mrekullie, pa qënë fizikisht të jetë i mundur këtu mes gjithë admiruesve dhe miqve të tij. Baba Reshati e deshi, e ëndërroi dhe e projektoi shumë kohë përpara se sa të kishte mundësi për ta ndërtuar, selinë bektashiane si një kopsht ku të kultivohej liria dhe larmia, ku mistika, po aq sa arsyeja dhe kultura të kishin një parcelë të zgjedhur e të shqueshme që në sy të parë. Një kopsht, ku në rrënjët e traditës, e vjetra të përtërihej, pa u shndërruar, në risitë e shekullit tonë. Nëse kur ne të hyjmë në këtë faltore do të ndihemi po aq brenda vetes sa edhe nën strehën e kësaj çarshie të madhe shpirtërore, duhet të dimë që poshtë këmbëve tona, tok me njëri-tjetrin ndodhet hapësira ku përfalet kujtimi i 12 imamëve dhe biblioteka e cila përmban gjithashtu një arkiv të pasur dokumentare dhe një mjedis pushimi për vizituesin”.

“Dede Edmond Brahimaj: Përkujtimi i ndërtimit të odeonit, është një vlerësim për rrugën e ndritur të besimit tonë bektashian, një kujtesë dhe obligim për çfarë kanë bërë brezat e klerikëve tanë deri tani dhe çfarë duhet të bëjmë për të ardhmen. Odeoni që ne përuruam plot dy vite më parë, është pasqyrë e historisë së ndritur 800 vjeçare të bektashizmit që do pasurohet në vazhdimësi. Në këtë ditë ne përkujtojmë me respekt iniciatorët dhe realizuesit e parë të këtij projekti, Ahmet Dede Myftari e Dede Reshat Bardhin, deri tek brezi aktual që materializoi këtë projekt…”
Sigal