Sot, Olldashi “Qytetar Nderi” i Durrsit dhe promovimi i librit “unë dhe Unë”

601
Sigal

 Sot në orën 18-00, Teatrin e Komedisë “Spahivogli” do të zhvillohet promovimi i librit me poezi të Sokol Olldashit

 Sokol Olldashi bën pjesë në brezin e gazetarëve dhe poetëve të viteve të para të demokracisë që sollën një frymë të re në shoqërinë shqiptare. Ai shquhej për elekuencën në të folur, oratorinë, karizmën, debatin konstruktiv, vizionin e një politikani serioz. Familja e tij ka vuajtur një persekucion të madh në vitet e diktaturës komuniste, por ai në tërë jetën e tij si gazetar, politikan dhe si Ministër nuk ka shfaqur kurrë ndjenja urrejtjeje, egoizmi të sëmurë. I përket atij brezi që luftoi me idealizëm për një Shqipëri moderne, evropiane. Njihet si një ndër themeluesit e PD-së dhe përfaqësonte frymën më moderatore të saj Shumë njerëz e njohin Olldashin vetëm si gazetar, politikan, por ai ka qenë dhe një poet i mirë, një poet i ndjeshëm, një poet i sinqertë me një tematikë të larmishme. Sot në orën 11-00 në qytetin e Durrësit, në sallën e teatrit “Aleksandër Moisiu” Sokol Olldashit do ti jepet titulli “Qytetar Nderi”. Ky titull jepet me rastin e 1-vjetorit të ndarjes nga jeta, pas propozimit të Shoqatës Kulture Atdhetare “Durrësi” drejtuar pranë Bashkisë. Bashkia e qytetit e shtroi propozimin në Këshillin Bashkiak, i cili e votoi këtë propozim në mënyrë unanime. Në këtë ceremoni do të marrin pjesë Kryetari i Bashkisë së Durrësit z. Vangjush Dako, poetë, shkrimtarë, gazetarë, politikanë miq dhe të afërm të tij, ku do të ketë dhe recitime të poezive të tij. Njëkohësisht po sot në Teatrin e Komedisë “Spahivogli” do të zhvillohet promovimi i librit me poezi të Sokol Olldashit “Unë dhe ti”. Ky libër e sheh dritën e botimit nën kujdesin e familjes së tij. Në promovim do të marrin pjesë poetë, gazetarë, shkrimtarë, aktorë, pjesëtarë të familjes, politikanë miq dhe ish kolegë të tij. Në këtë promovim do të ketë disa recitime të poezive nga vëllimi “Unë dhe ti” që do të promovohet. A. ZHOLI

DRITËRO AGOLLI

Të shkruaj një vlerësim për një vëllim, siç po më ndodh sot me libri “Unë dhe ti” të poetit Sokol Olldashi, djalit të studentes sime të dashur Kozetës dhe nipit të mikut tim të paharruar Dashnor Mamaqit, për të cilin ruaj shumë kujtime, nuk është gjë e lehtë. Duhet të dini që 83 vjeç sa jam unë, nuk janë pak. Është një jetë e tërë, me shumë ngjarje të gëzuara apo të hidhëruara, të stuhishme apo monotone, e megjithatë, e mora këtë dosje me poezi për ta lexuar. Duke marrë shkas nga kjo poezi, dua ti them se mjeshtëria poetike e Sokol Olldashit  ka në strukturën e saj një varg të çliruar tonik, ametrik dhe arimik, por me intonacion muzikor. Vargu në poezi mund të jetë i rregullt, i çliruar, i lirë, por muzikaliteti nuk duhet të mungojë.

Dhe Sokol Olldashi këtë dhunti e ka ruajtur.

  VALSI I MERIMANGAVE

 Ndër rrjedha shtjellore merimangash jetojmë

pa mundur të lëvizim asnjë çast ndër helme

Gjysma në një rrjetë,

Gjysma në një tjetër.

Merimanga

me kokat tona kërcen vals.

I tmerrshëm është valsi i merimangave,

 lëvizje makabre gjymtyrësh plot makthe,

ndrydhje ëndrrash fatkeqe, mes rrjetash

plot vdekje.

I tmerrshëm është valsi i merimangave…

DIALOG ME PRIFTIN

Prifti i ngratë, që çapitesh kapitur,

 ndalu pak te të them një fjalë:

Unë rrugën e Zotit kurrë se shkela,

prej rrugës së Zotit nuk kam dalë.

Veç një herë e putha, hyjnisht,

më pas ika, renda si i marrë,

mu faneps një tjetër mugëtirë

veshur me vello te bardhe.

Ndaj, mos më shih ashtu ngrysur,

a nuk puthe dhe ti vallë një herë

një çapkënkë të zeshkët ndanë kishës

e këmbanat gjëmove atëherë?!

 Ti, o prift, që çapitesh kapitur,

pse përlotesh, s’ më thua një fjalë,

un’ rrugën e Zotit kurrë se shkela,

ti rrugës së Zotit s’ke dalë.

FUNERAL

Në kortezh të përmotshëm,grumbuj dykëmbëshash

pas një arkivoli që vrapon,

Ata e vranë.

Ata e përcjellin.

Ata e qajnë.

Në fund të fundit

me dhe

e mbulojnë.

Prifti bën Meshën e Fundit

u uron krimbave oreks.

Jeta është një vdekje në marshim,

një hipokrizi funebër nga pas.

Mbi të… pshurrje në formë shiu,

Njerëzit erektojnë në formë lotësh.

Unë jam një funeral i gjatë, një qefin nga një maternitet:

Në emër të Atit, Birit e Shpirtit të Shenjtë

(Në emër të tim Ati, tim Biri dhe të Shpirtit të Mbrapshtë)

AMEN…

FATI IM NJË FRYMËMARRJE

Mes baltash minutat më ngecën

Ndër gurë, në fusha, mbi mal,

në vend të gjurmëve, sekonda,

kalorës mbi një kalë të vrarë.

Endacak siç linda prapë jam

Pa këpucë, pa krevat, pa shtëpi,

Në kalldrëmet ku gjumi më zu,

Zbardhira s’ më gjeti sërish.

Të ndaloj dua vetëm një çikëz

Të fshij djersët, pak buzët të njom,

Fati im një frymëmarrje, më pas,

Porsi lumin, jashtë shtratit lëshomë.

UNË DHE DIMERI

Dimër i thatë, eja or mik

Për darkë nga unë, raki të pimë,

Pa m’ u në dreq të vejë i ftohti,

Rrebeshi me tërsëllimë.

Thinjoshi shtrembër më kundroi,

Pastaj mëdyshas, nuk u gjegj.

Or mik, nxito, I fola prapë,

Era fytyrën po ma regj!

I marri plak çapiti lehtë:

-Ku të kam parë?-tha nën zë.

-Kur ti nis rrugën, kthehem beftë,

Gjurmëve të tua, zjarrin u vë.

Kur sosem, zjarr të madh ndeza,

Gjer në agim zjarr pa fund,

Iu shkrinë thinjat perandorit

E krejt i dehur u përkund.

Ra, rashë dhe unë mbi

të gjorin dimër babaxhan.

U zgjuam. Dimri, krejt pranverë,

Unë, krejt i ngirë, kallkan.

ASGJË S’ PRES, GJITHÇKA KËRKOJ

Unë jam gjithmonë vetëm

në këto mure betonarmeje,

ku ajri kalbet dhe kthehet në myshk

e vetëdija rrjedh pareteve.

Gjithçka hyn dhe asgjë s’vjen

gjithçka del dhe asgjë s’ ikën

asgjë s’pres, gjithçka kërkoj

asgjë s’dua, gjithçka ndjej

Ditët, ah, këto ditët  e mia!…

Janë zhytur në honet

e pakënaqësisë,

ku revolta s’ është vetëm trishtim

e trishtimi s’ është veç lot.

Aty është mendimi i lig

apo më mirë ligësi e menduar,

që si stuhi akulloresh

shtresëzohet mbi kotësinë,

duke na lënë në dorë

kaushet e bëra me gazetat e ditës,

ku rrotullohen fytyrat tona,

që rreken që të mos thonë gjë…

Unë jam gjithmonë vetëm

në këtë mungesë dimensioni

në këtë humbëtirë të paanë.

Edhe kur ju, jeni,

unë, prapë vetëm jam.

NË VEND TË PASTHËNIES

 Libri poetik “Unë dhe ti” i Sokol Olldashit do të jetë një befasi e këndshme për lexuesit. Prej poezive të tij këndonjësi merr kënaqësi estetike sipas mënyrës së leximit të tekstit poetik dhe shijeve të tij. Pasuria e mjeteve figurative  poetike është e larmishme, sidomos me metafora e simbole të ndryshme. Është poezi realiste, ajsbergiane dhe moderne.

Këndonjësi elitar, përtej të dukshmes në shtresat e tekstit poetik, zbulon edhe të padukshmen në nënshtresat e tij, prej nga burojnë mendime dhe kumte të vyera e të fuqishme. Autori poetikisht shpreh të bukurën dhe të shëmtuarën, të mirën dhe të keqen e në të njëjtën kohë mospajtimin në këtë të fundit dhe kundërshtimin e rebelimin ndaj botës së ndyrë dhe të pistë, që të vret kur s’e pret dhe të qan me lot krokodili para arkivolit.