Sot Festa e madhe e Çlirimit të Atdheut

2956
Sigal

Sherbet Karuli, ish-partizan i Brigadës XXII sulmuese, rrëfen luftimet për të marrë qytetin më të madh të Veriut të Shqipërisë

Deri në 28 nëntor 1944 Shkodra, mbahej shtrënguar nga trupat e gruparmatës “E”, më përbërje të së cilit ishte Korpusit XXII dhe Divizionit 133 të cilët po tërhiqeshin me shpejtësi drejt Berlinit. Mëngjesin e 29 nëntorit qyteti i madh i veriut ra në duart e partizanëve. Vendi ishte çliruar…

…Sherbet Karuli një nga kuadrot e Brigadës XXII-S, jep hollësi mbi luftën për çlirimin e Shkodrës, ku sipas tij trupat e njësive të Ushtrisë Nacionalçlirimtare bënë të mundur hyrjen në qytet vetëm mëngjesin e datës 29 nëntor 1944.

Çfarë është 29 nëntori për ju?

Këtë vit bëhen 69 vite nga 29 Nëntori i vitit 1944, që është një datë e lavdishme e historisë së popullit shqiptar, e që njihet si Dita e Çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit e egër nazifashiste. Kjo datë qëndron në histori si një lapidar i lartë, në krah të asaj të 28 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë Kombëtare, të cilën partizanet e kanë festuar si dite feste kombëtare edhe me grykën e pushkës duke luftuar kundër nazifashistëve pushtues. Tërheqja e forcave të fundit naziste nga Shkodra, në orët e para të mëngjesit të datës 29 nëntor 1944 dhe çlirimi i saj me grykën e pushkës së gjashtë Brigadave partizane të Divizionit të II Sulmues është një fakt i pakontestueshëm historik, i shkruar me gjak.

Çfarë formacioni ishte Brigada XXII ku ju bënit pjesë?

Brigada XXII Sulmuese u formua nga 4 batalionet e Grupit të Pezës. Ajo kreu shumë luftime, në Shqipërinë e Mesme por dhe në Veri në çlirimin e Mirditës 20-26 tetor ‘44, Shpalit 19 tetor ‘44, Pukës 4 nëntor ‘44. Luftimet për marrjen e Shkodrës ishin të ashpra, por një ndihmë të madhe na dha dhe populli i qytetit të Shkodrës.

Me çfarë detyre ishit ju në atë kohë?

Në atë kohë unë isha komandant toge në batalionin 4 të Brigadës XXII, si dhe përgjegjës i rinisë komuniste. Të gjithë luftimet u bënë me vendosmëri, sepse ishin në prag të çlirimit të qytetit. Para nesh ranë shumë shokë dëshmorë. Unë vetë kisha qenë i plagosur nga luftimet e mëparshme. Gjermanët ngarkuan 4 ushtarë italianë për të minuar Shkodrën në katër pika të ndryshme dhe ta hidhnin në erë qytetin. Por italianët nuk e ndezën fitilat. Gjermanët i kapën ushtarakët italianët dhe i kanë varrosur të gjallë nga inati që nuk zbatuan urdhrin e tyre.

Në 28 nëntor 1944, në çfarë pozicioni ishin trupat partizane?

Në datë 28 nëntor batalioni ynë luftonte tek ura e Bahçallëkut. Deri në darkë nuk e kaluam dot urën pasi ajo mbrohej fort nga trupat gjermane. Luftimet vazhduan edhe natën, duke u gdhirë 29 nëntori. Vetëm mëngjesin e 29 nëntorit batalionet iu drejtuan qendrës së qytetit.

Çfarë detajesh kujtoni nga ajo ditë?

Më kujtohet se në çlirimin e Shkodrës më 29 nëntor 1944, në orën 7.30 të kësaj datë, komisari i Batalionit të Parë të kësaj brigade, Irfan Çelkupa, pati nderin e madhe të ngrejë flamurin kombëtar në ballkonin e Bashkisë së asaj kohe, si lajmëtarin që njoftonte çlirimin e plotë të Shqipërisë nga nazistët gjermanë. Njihet historikisht fjalimi që mbajti komisari nga ai ballkon, me anë të të cilit përshëndeti popullin e Shkodrës për kontributin që dha për çlirimin e qytetit, së bashku me forcat e brigadave partizane. Pas fjalimit të Irfan Çelkupës, u bë parakalimi i forcave partizane të brigadave VI-VII-XXII-XXIII-XXIV-XXVII të cilat ishin pjesëmarrëse në çlirimin e Shkodrës.

Çfarë do të bënit pas çlirimit të qytetit të fundit?

Mbas çlirimit të Shkodrës, brigada jonë, në përbërje të Divizionit të Dytë, me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm kaloi jashtë kufirit shtetëror ku zhvilloi luftime në Deçiç, Tuz, Podgoricë, Plevie, Suogora, Rudo Vishegrad. Nga Vishegradi, brigada kthehet në Senicë, Mirtrovicë, Vuçiternë, Gilan, Ferizaj, Shkup, Tetovë, Gostivar, Kërçeva, Strugë deri në 31 dhjetor 1945. Ndërsa në 1 janar 1946 brigada futet në Elbasan dhe strehohet në kazermat e Krastës ku zhvillonte stërvite të ndryshme deti në 30 prill 1946, datë kur u suprimua sipas urdhrit të Shtabit të Përgjithshëm ku partizanët shkuan në reparte të ndryshme ushtarake të kohës

Data e çlirimit e ka ndarë politikën shqiptare në dy kampe, ku pretendohet për dy data të ndryshme…?

U bë gabim kur u luajt me datën e çlirimit. Këtë datë e dinë atë që luftuan e morën plagë për të marrë qytetin e fundit të Shqipërisë. Në axhendën e festave të nëntorit e djathta në pushtet mohon përsëri 29 nëntorin. Si e tillë, ky është një qëndrim antihistorik. Kjo datë ka qëndruar e do të qëndrojë si një mal i lartë i historisë së luftërave për liri të populli shqiptar. Kjo ngriti një valë pakënaqësish e protestash të së majtës e veçanërisht të veteranëve, që kishin bërë këtë luftë çlirimtare, të organizatës së tyre, të Invalidëve të kësaj lufte dhe atë të Shoqatës Kombëtare për Dëshmorët e Atdheut, si dhe shumë historianeve serioze, që mbështetën shkencërisht vërtetësinë e 29 Nëntorit, si Ditë të Çlirimit, me shumë dokumente arkivore si të vendit, ashtu edhe të të huajve. Këto qëndrime nihiliste, nxitën Deklaratën e Përbashkët të Protestës të dhjetëra ish kuadrove të Brigadave Partizane, që morën pjesë në Operacionin e Çlirimit të Shkodrës më 29 Nëntor 1944.

Dokumentacioni për ditën e çlirimit

Janë me dhjetëra dokumentet arkivore të Shtabit të Korparmatës së I “S”, fjalimi i Nako Spirut ditën e lajmit të 29 Nëntorit, se “Shkodra u Çlirua”; lajmi i Radio Tiranës; artikulli i gjeneral Dali Ndreut në “Bashkimi”, që saktëson po këtë gjë. Po kështu luajtën rol saktësimet e historianëve tanë, si Prof. Xhemil Frashëri e Dr. Refik Kuçaj, Mojkom Zeqo,etj. Janë po kështu, dokumentet e Shtabit të Korpusit XXI gjerman, ditarët. etj. Po kështu deklarimet e historianëve të huaj si: britanikut Rexhinald Hibert, gjermani Bernard Fisher, etj., ku që në librat e tyre hedhin poshtë trillimet absurde të mohimit të Datës 29 Nëntor si datë e saktë e Çlirimit e Shqipërisë. Dhe me në fund, vetëm disa vite më parë, Koloneli gjerman VVolfram D. Hofman i NATO-s në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë i dhuroi Ministrisë së Mbrojtjes, dokumentin e largimit të ushtrisë gjermane nga Shqipëria. Është data 29 nëntor ‘44, kur Korpusi XXI alpin, me në krye gjeneralin e këmbësorisë, Ernst von Leyser ka lëshuar qytetin e Shkodrës. Sipas dokumenteve, urdhri për tërheqjen nga Shqipëria u dha më 3 tetor 1944. Korpusi i XXI alpin, nën drejtimin e gjeneralit të këmbësorisë, Ernst von Leyser (pjesa e grupit E të FT, e dislokuar në “Frontin e Adriatikut”) lëshoi me 29.11.1944 qytetin e fundit të madh të Shqipërisë, Shkodrën. Prandaj kjo datë mund të quhet si fundi i pushtimit të Shqipërisë.