Sot Festa e Ashures, ditë e shënuar për bektashinjtë

3773
Kujtim Boriçi
Syrja Xhelaj
Kryegjyshi Botëror Bektashian, Dede Edmond Brahimaj: Është ditë e përkujtimit të sakrificave të martirëve të Qerrbelasë, ditë apeli për paqe e mirësi. Ceremonia tradicionale, sot në 1000 në Selinë e Shenjtë
Sot, në mjediset e Selisë së Shenjtë Bektashiane, është ceremonia e Ashures, një riti tradicional bektashian. Nën përkujdesjen e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Hirësisë së Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, janë marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti tepër të rëndësishëm. 

“Festa e Ashures që ne kremtojmë sot, është një ceremonial i thjeshtë në dukje, por i pa zëvendësueshëm për traditën tonë bektashiane, ka për ata që do të jenë të pranishëm nga mjediset e Selisë sonë të Shenjtë, si dhe mijëra të tjerë në teqetë tona më të largëta, në Kosovë, Maqedoni, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Kanada etj… Kemi agjëruar së bashku nëntë dit të matemit, kemi biseduar e përcjellë së bashku ngjarjet tragjike të Qerrbelasë. Kemi kujtuar dhe sjellë ndër mend aktin sublim të 72 dëshmorëve dhe kalorësin e pavdekshëm Imam Hysenin, paqja qoftë mbi ‘Të. Kemi parë dhe kemi folur se deri në çfarë mase mund të shkojë djallëzia dhe ligësia njerëzore e trupëzuar tek Jezidi dhe Mavija. Mallkimi i Zotit të Lartë i përcjelltë ata dhe ndjekësit e tyre! Dhe apeli jonë mbetet, më shumë mirësi, paqe dashuri e unitet mes njerëzve, pa dallim race, ngjyre, ideje apo feje”- pohon midis të tjerave Kryegjyshi Botëror Bektashian, Hirësia e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.
Ç’është matemi?
Matemi, është agjërimi i zisë, ose zija përkujtimore në nderim të veprës së martirëve të Qerrbelasë. Agjërimi i bektashinjve dhe i tarikateve të tjerë alevian, zgjat 10 ditë të muajit hënor të Muharremit.. Gjatë këtyre ditëve besimtarët bektashian, mysliman dhe alevian kudo që ndodhen në botë, për 10 ditë me radhë përkujtojnë në shenjë zie e respekti 72 dëshmorët që ranë heronjtë në Qerrbela, me në krye Imam Hysenin, në shekullin e shtatë, afërsisht 20 tetor të vitit 680, në Irak. Këto ditë bektashinjtë e të tjerë mblidhen në teqetë e ndryshme, ku udhërrëfyesit (klerikët) lexojnë me zë të lartë “Hadikanë”, bëjnë ritualin e përditshëm, duke përkujtuar vuajtjet e profetëve e ngjarjen tragjike të Qerrbelasë, për shërbimin e tyre të shenjtë në të mirë të njerëzisë, duke predikuar rrugën e drejtësisë, paqes, vëllazërisë dhe përsosmërisë njerëzore. Natën e parë u kushtohet vuajtjeve të profetëve: Adem, Nuh, Ibrahim, Jusuf, Musa dhe Krisht, të dytën për Profetin Muhamet, të tretën për Imam Aliun, të katërtën për Imam Hasanin, të pestën për Imam Hysenin (lindja dhe jeta e tij), të gjashtën për Imam Hysenin, ikja e tij nga Medina në Mekë, të shtatën për Myslym Akilin vrasja e tij dhe dy djemve të tij, Myftarin dhe Ibrahimin, të tetën për Imam Hysenin nisja e tij për në Kufë, të nëntën për Imam Hysenin (mbërritja në Qerrbela) dhe natën e dhjetë për martirizimi i tij dhe dëshmorët e tjerë. Për arsye që trimat e kësaj tragjedie shkuan në ahiret, buzëtharë, në këto ditë nuk pihet ujë.
Ashurja
Ditën e dhjetë të Matemit, për t’i dhënë fund kësaj periudhe agjërimi, zhvillohet një ceremoni e fundit në teqe. Kjo ceremoni fillon në fund të natës së dhjetë. Besimtarët pinë ujin e jetës, sherbetin dhe mbas kësaj vihet ashurja në zjarr dhe vazhdon të nesërmen “Dita e Ashures”. Ashurja është ëmbëlsira e posaçme që merr emrin e kësaj dite – Dita e dhjetë do të thotë Ashure. Ashurja të dhjetën ditë të muajit Muharrem shënon përvjetorin e vdekjes së Imam Hysenit në Qerrbela. Ashurja gatuhet me grurë, ujë, niseshte, fasule, bathë, misër, fiq të thatë, rrush të thatë, arra, sheqer ( ose mjaltë, pekmez, musht), kanellë. Në ceremoninë fetare recitohet me zë të lartë (nerthije) bëhen lutje fetare në një heshtje zie. Pastaj bëhen vizita, populli dhe besimtarët shijojnë ashuren, përmendin heroin e Qerrbelasë Hysenin. …Në mesin e ngjarjeve historike “Ashura“ dhe “Martirët e Qerrbelasë” zënë një vend të veçantë, dhe kjo skenë heroike e përjetshme dhe të gjitha skenat heroike të Ashures, janë model i njerëzve që kërkojnë të vërtetën dhe luftojnë shtypjen ashtu sikurse “Ehli Bejti (a.s)” në përgjithësi është model i jetës dhe i vdekjes,i moralit dhe i xhihadit, i përsosmërisë së njeriut si dhe i mënyrës së jetesës dhe i vdekjes. Për këtë arsye edhe ne lutemi; O Zot jeta dhe vdekja jonë të jetë e ngjashme me jetën dhe vdekjen e Muhamedit (s.a.v.s) dhe familjes së tij.
Sot në Selinë e Shenjtë
Selia e Shenjtë Bektashiane, sot prêt mijëra besimtarë bektashianë, vizitorë të shumë, përfshi drejtues të lartë shtetëror dhe përfaqësi diplomatike të akredituara në Tiranë. Njëkohësisht, krahas riteve tradicionale për këtë ditë të shënuar, janë parashikuar dhe aktivitete të tjera me objekt këtë festë, me qëllim bërjen sa më të ‘prekshme; mistikën dhe madhështinë e kësaj dite. Po ashtu, kjo atmosferë është sot prezent në të gjitha teqetë e objektet bektashiane kudo që ato ndodhen, në Shqipëri e vende të tjera të botës.
“Festa e Ashures, është një ceremonial i thjeshtë në dukje, por i pa zëvendësueshëm për traditën tonë bektashiane… Kemi agjëruar së bashku nëntë dit të matemit, kemi biseduar e përcjellë së bashku ngjarjet tragjike të Qerrbelasë. Kemi kujtuar dhe sjellë ndër mend aktin sublim të 72 dëshmorëve dhe kalorësin e pavdekshëm Imam Hysenin, paqja qoftë mbi ‘Të. Kemi parë dhe kemi folur se deri në çfarë mase mund të shkojë djallëzia dhe ligësia njerëzore e trupëzuar tek Jezidi dhe Mavija. Mallkimi i Zotit të Lartë i përcjelltë ata dhe ndjekësit e tyre! Dhe apeli jonë mbetet, më shumë mirësi, paqe dashuri e unitet mes njerëzve, pa dallim race, ngjyre, ideje apo feje”
Sigal