Sot, Dita Botërore e Popullsisë

535
11 korriku shënon Ditën Botërore të Popullsisë.
Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara, në çdo sekondë që kalon bota rritet me 3 njerëz, që do të thotë se në një ditë popullsia shtohet me 225 mijë njerëz ose afërsisht 83 milionë në vit.
OKB-ja parashikon se numri i njerëzve në botë vitin e ardhshëm do të jetë mbi 7 miliardë, ndërsa deri në vitin 2050 popullsia pritet të shkojë në 9 miliardë.
Por, krahas këtyre parashikimeve, askush nuk mund të thotë me siguri të plotë se çfarë pasoja do të ketë rritja e popullsisë së botës në mënyrën tonë të jetesës, por një gjë është e qartë: nëse të gjithë njerëzit sot do të kishin të njëjtin stil jetese siç e kanë shtresat e mesme në vendet e pasura industriale, atëherë presioni ndaj burimeve të planetit tonë të kaltër do të rritej pa masë. Do të nevojitej edhe të paktën një tokë tjetër për të furnizuar njerëzit.
OKB-ja vendosi 11 korrikun si Ditën e Popullsisë së botës për t’u kujtuar njerëzve se çdo njeri është i dobishëm, por ekziston vetëm një tokë për të gjithë.
Ditën ndërkombëtare të popullsisë së botës e shpalli Programi Zhvillimor i OKB-së, PNUD, në vitin 1989. Organizata bijë e OKB-së e zgjodhi këtë ditë sepse pikërisht më 11 korrik të vitit 1987 numri i popullsisë së botës e kaloi kufirin e 5 miliardëve.
Ditë të tilla si kjo e popullsisë së botës, caktohen me rezolutë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Ato synojnë të përkujtojnë disa arritje të bashkësisë së popujve dhe të shërbejnë si shtysë për të menduar dhe vepruar bashkë për çështje të mëdha globale.
Ditë të tilla përkujtimore ka rreth 70 si, Dita e industrializimit të Afrikës, Dita Botërore e lundrimit me anije, Dita Botërore e Postës, Dita Botërore e banesave dhe e ngulimeve, Dita Botërore e turizmit, Dita Botërore e televizorit etj.
Sigal