Sot, ceremonia e 7-vjetorit të ndarjes nga kjo jetë e Dede Reshat Bardhit

587
Nga Syrja Xhelaj
Kryegjyshi Botëror Bektashian, Dede Edmond Brahimaj: Dede Reshat Bardhi i ka kaluar të gjitha etapat, jo vetëm tradicionale, por edhe morale e hyjnore, çka besimi bektashian të ofron
Sot në mjediset e Selisë Bektashiane në Tiranë, përkujtohet 7-vjetori i ndarjes nga kjo jetë, i ish-Kryegjyshit Botëror Bektashian, Dede Reshat Bardhit. Mjediset e Selisë së Shenjtë mbushen sot me qindra besimtarë, klerikë bektashianë e të tjerë, për të qenë së bashku sot në këtë ditë të shënuar. Ky përvjetor, përkujtohet gjithashtu dhe në institucione të tjera bektashiane brenda e jashtë Shqipërisë, atje ku jetojnë e punojnë besimtarët bektashianë. Nën përkujdesjen e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Hirësisë së Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, janë marrë të gjitha masat për ceremoninë përkujtimore, këtë ngjarje të shënuar për bektashinjtë.

Si e kam njohur unë dede Reshatin
Dede Reshat Bardhi u lind në Lusnën e largët të Kukësit më 4 mars të vitit 1935, në2 një familje të madhe, siç ishin atë kohë të gjitha familjet e mëdha në Shqipërinë e Veriut. Fëmijëria e tij do të udhëtonte me fatin e brezit të vet, i cili do të jetonte dramën vrastare të Luftës së Dytë Botërore. Diçka e çuditshme ka ndodhur sigurisht me nënën e tij, Hanen, e cila prej një temperature të lartë dhe disa fjalëve përçart të Reshatit trevjeçar, ka shkuar tek dervish Smajli dhe ka kërkuar ndihmë. Fjalët e dervishit se djali do të bëhet mirë, por ai nuk do të ishte më i saj, të thëna aq njerëzisht dhe butë, atëkohë shkaktuan çudi në Lusnë. Ndërsa dervishi tjetër i Katundit Fshat një pinjoll i kadrinjve katërqindvjeçar në atë trevë, do t’i kumtonte nënë Hanes, se shumë shpejt, kur dikush të trokiste në derën e shtëpisë e ajo të dilte e të mos shihte njeri, atëherë duhej t’i jepte hakun shenjave të Zotit. Pra, një siguri virtual do t’i mbështillte paskëtaj, krejt dhimbshurinë e një nëne kuksiane, për të birin e saj, ende të parritur.

Rreth kësaj e më pas, kur u dogj shtëpia, në një nga bisedat e shumta me të, Dede Reshati më pati thënë: “…E kam ende në kujtesë klithmën e Hanes, nënës sime dhe tamam si ajo shqiponja që mundohet për zogjtë e vet, sillej nëpër shtëpi. Na kapte për dore, na nxirrte përjashta. Pasi nxori prej flakëve dhe motrën tonë dy vjeçe, ngriti duart drejt qiellit dhe u lut: ‘O Zot, na ndihmo!’” 

…Itinerari i detyrueshëm familjar, e sjell djaloshin Reshat Bardhi, nga Lusna në Tiranë. Në rastet më të zakonshme, përveç një oguri të bardhë, kjo rutinë e modeluar sipas togfjalëshit “për një copë bukë” nuk paralajmëronte diçka tjetër. Por ndryshonte puna në itinerarin shpirtëror. Asnjë lëvizje e detyruar materiale, nuk ngjitej dot në të fshehtat e djalit nga Lusna. Ndonëse ndiqte mësimet në shkollën shtatëvjeçare, ai, netët e verës i kalonte në kodrat pranë Selisë së Shenjtë Bektashiane. Kishte takuar dervish. Kishte bërë muhabete me baballarë. Pati dëgjuar nga goja e baba Sulejman Hodos, i cili përcillte për mirësi fjalët e Ebu Hasan Nuriut, sipas të cilave, bektashizmi, është të heqësh dorë nga të gjitha kënaqësitë. Edhe ato thelbësore, edhe ato formale. Heqja dorë nga kënaqësia është një akt burrërorë. Ndërsa shuarja krejt e kënaqësisë, është një akt hyjnor. Marrja dorë e tij në vitin 1951, është padyshim një ngjarje e madhe. Një lloj përpjekje mendore ose “philosophia divina”, kish mundur të depërtonte në thellësi të shpirtit dhe mendjes së tij, duke zbuluar bashkëjetesën e teologjisë me filozofinë bektashiane. … Ndërsa konsakrimi si dervish i Reshat Bardhit , në 22 shtatorin e vitit 1954, është në një farë kuptimi, tërheqje pas të fshehtave të mëdha. Dervishët vijnë në natën e tyre të mejdanit, jo vetëm si interpretues dhe zbatues të denjë të formulave të betimit, por gjithashtu si njerëz që e kanë përmbushur misionin tokësor të tyre. Por më duhet të kujtoj këtu në këto rreshta, se prej erërave që frynin në Shqipërinë politike të saj kohe, bektashizmi , ashtu sikundër edhe fetë e besimet e tjerë, nuk mund të liheshin të lirë dhe të ‘pa shtërnguar’ në misionin e tyre. Vëmendja shtetërore kishte nisur, qysh me miratimin e një dekret-ligji në parlamentin shqiptar të vitit 1949, ku feja vihej nën kontrollin e plotë dhe absolut të qeverisë. Kishin nisur në msë të gjerë burgimet, dënimet deri dhe në vdekje të klerikëve nën falsitetin grotesk të akuzave dhe luftës pa kompromis të ideologjisë fetare. Çdo lloj lëvizje me karakter fetar pse jo të tillë, në komunitetet tradicional, vrojtohej përmes kaleidoskopit politik të totalitarizmit. Pra, dervish Reshat Bardhit, i duhej të zgjidhte midis dervishit të lëkundur prej erërave dhe furtunave shpirtërore dhe atij të traditës apo klerikut pa bujë, që merr përsipër të kryej misionin e tij, deri në sakrificën sublime. Kthim prapa nuk mund të kishte për ‘të. Ndonëse sapo kishte trokitur në derë të Zotit. Në bektashizëm, po u ktheve pas natës së mejdanit, jeton jetën fizike si një kufomë e pakallur në varr. Ndonëse vrundujt e absurdit të kohës e flakën së bashku me myrshidin e tij, dede Ahmet Myftarin, në Drizar të Mallakastrës, ai nuk u tkurr shpirtërisht. Në mënyrë krejt intuitive , duke kërkuar nëpër etnitetet para kozmikë të mesazheve të dymbëdhjetë imamëve, duke u mbështetur në traditën e mrekullueshme të bektashizmit shqiptar, këto dy patriarkë e shndërruan teqenë e Drizarit në një fole të besimit të kthjellët dhe besimit të dlirë. Të dashuruar pas një ezoterizmi stoik, në nëntë vitet e qëndrimit të tyre në atë humbëtirë shpirtërore, ata mundën jo vetëm t’u mbijetonin grackave të ish-sigurimit shtetëror, por mundën të zbresin në tokë mirësi të Zotit, për të dëgjuar, për të parë dhe zgjidhur hallet e besimtarëve mallakastriotë. Një shembull domethënës që mund të ndriçojë sadopak atë antë të gjatë të qëndrimit në Drizar, është biseda në teqe në vitin 1962, nga një bektashian i viseve shqiptare të Strugës, i cili fshehurazi i kishte sjellë fjalët e baba Rexhebit nga Shtetet e Bashkuara ët Amerikës: “Nuk do fiket qiriri i Haxhi Bektashit, sado erë të fryjë. Qëndroni të pastërt. Forcën ua japin erenlerët”. E çuditshme është se si kishin ardhur fjalët e shenjtorit bektashian shqiptar, në teqenë e Detroidit-Miçigan, baba Rexhebit, në kohën kur radarët e sofistikuar në kufijtë e Shqipërisë politike, ishin të ndjeshëm edhe ndaj fluturimit të zogjve. Por nëse thërrasim për ndihmë madhështinë e Gazulit të dikurshëm, mund të ripërsërisim mendimin se bota e dukshme, mbetet ende si pikënisje drejt botës të mbretërisë qiellore. …Pandehma e partisë-shtet se me dërgimin në internim të dy klerikëve bektashinj, kundërshtarë të hapur të ideologjisë së saj, do të fashitej ajo dreq-drite e fesë, rezultoi e gabuar. Si rrallëkund në historinë e bektashizmit shqiptar dhe atij botëror, mijëra besimtarë bektashianë, ndonëse me vetëdijen e sulmuar prej ideologjive të lindura mijëra kilometra larg tyre, hapur apo fshehurazi dëshmuan mbështetjen ndaj dedeit, ish-partizan i Brigadës së Parë Sulmuese dhe dervishit besnik nga Kukësi. Ky akt, nuk mund të shihet si i veçantë, përkrah një kontinuiteti tradicional dhe në dimensione shenjtërie, të dashuruesit për Të Dashurin. Ndërkaq, totalitarizmi shtetëror, e shihte rrënimin e kishave, xhamive dhe teqeve si përballjen e fundme fizike me godinën fetare… Sikundër të gjithë klerikët e tjerë shqiptarë edhe dervish Reshat Bardhi, duhej të flakte tej, në harresë, rrobën e shenjtë dhe simbolet 800 vjeçare të një besimi, që lindi, u rrit e shpërndahej nëpër botë, si nevojë për të falur dashuri njerëzore dhe vëllazëri. Çdo të bëhej me këtë dervish kaq krenar në syrgjynosjen fizike gati 10 vjeçare? Vitet që erdhën e shkuan, ishin të mbushura përplot me dhunë psikike dhe fizike, me një terror sistematik që kërkonte jo vetëm pastrimin e shpirtit të tij prej ‘paragjykimeve fetare’, por edhe anatemimin publik të tyre, në shkëmbim të një jete të qetë… Dhe ndërsa makina e turpshme shtetërore vazhdonte të kundronte përmes tragjizmit kombëtar, përpjekjet e mundshme të dervish Reshatit për të mos t’u ndarë prej Zotit, ishin mijëra të tjerë, besimtarë të heshtur që ndiqnin këtë dyluftim me përgjërimin karakteristik të bektashiut. Ndonëse i rrethuar prej rrjetave të merimangave, të endura prej segmenteve më brutalë të diktaturës. Mbishqisa e dervishit, vështrimi i së cilës tejkalonte pamjet e gjendjeve të zakonshme, shihte shumë larg. Tashmë, ky dervish ilegal, shndërrohet në “korpus musticum” ose e thënë ndryshe, në një zjarr që digjet ditë e natë për të ndriçuar skutat më të errëta, së paku për ndjekësit shqiptar të bektashizmit. Ashtu siç më ka dëshmuar edhe vetë në qindra raste, vendi i tij i punës në fermën “Gjergj Dimitrov” në Tiranë, mistikisht u projektua si një vend i shenjtë, ku po të shkoje, po të takoheshe me dervishin, edhe një mollë a hurmë të merrje nga dora e tij, kishe marrë bekimin e Haxhi Bektash Veliut. Për shumë syresh, ndofta nuk i përkisnin besimit bektashian, takimi dhe fjalosja fshehtas me ‘të, përbënte një nga mrekullitë që Zoti në qiell, ruante në mënyrë diskrete shpresën për besimtarët e vet. Të ardhur nga Lazarati dhe Dibra, nga Vlora dhe Kolonja, nga Delvina dhe Tropoja, madje dhe nga vise të Kosovës e Tetovës, besimtarë bektashianë, kishin kapërcyer në atë kohë jo vetëm pengesa fizike, inskenime të trishta të burokracisë shtetërore, por edhe dilemën e madhe të rikthimit apo jo, të vetë Zotit. Një moment tejet domethënës, në jetën e dervish Reshat Bardhit, është padyshim kalimi nga kjo jetë e përkohshme e dede Ahmet Myftarit, në prag të viteve 80-të. Si dy male të mbështetur në sup të njëri-tjetrit, këta prej një çerek shekulli, i kishin pritur së bashku llohërat dhe stuhitë, duke dëshmuar jo vetëm qëndresë gjenetike, por edhe urtësinë emblematike atë tipar të vyer që baballarët bektashianë e përcollën në kohëra jo si stoli, por si një realitet të mrekullueshëm, të pasuruar nga shekulli në shekull deh nga teqeja ën teqe. Pavarësisht se çfarë ishin testamentet me gojë dhe em shkrim të dede Ahmetit, bektashinjtë e lodhur dhe të drobitur prej mekanizmave ateistë të diktaturës, mund të humbnin rrugën në atë suferinë ideologjish të mprapshta. …Besimtarët bektashianë të trevave shqiptare, duke u mb2ështetur me shpirt tek dervishi i tyre, mundën të ruanin të dlirë jo vetëm segmente doktrinorë, por më së shumti edhe vizione të vyer moralë, të detyruar të bashkudhëtonin me trajta groteske të ideologjisë së importuar.

Kësisoj, për të ardhur në pragun fatlum të viteve 90-të. E kam të vizatuar në mendje tregimin e dede Reshat Bardhit, të cilin e përsëriste shpesh edhe në praninë kureshtare të ndërkombëtarëve: “Të premten e parë të janarit të vitit 1991, ne shkuam të organizuar mbi pesëdhjetë vetë, në xhaminë e Et’hem Beut në Tiranë përkrah vëllezërve tanë, ndjekës të Islamit. Kishim vite pa u parë me Hafiz Sabri Koçin dhe pas faljes, ndejtëm gjatë. Ai solli ndër mend disa prej dervishëve dhe baballarëve me të cilët kishte ndarë kafshatën e bukës në burgjet e tmerrshme. Me atë thjeshtësinë karakteristike më pyeti për punët tona. Unë i tregova se po organizoheshim së bashku me baba Bajramin treguam, ç’kishim bërë. Ky na uroi. Pas faljes, shkuam të gjithë bashkë, siç ishim, në Selinë tonë të Shenjtë. Por kur u afruam, vumë re se midis besimtarëve bektashianë, ishin futur edhe të tjerë, syni dhe të krishterë. Baba Bajrami dërgoi një nipin e tij tek ushqimorja pranë teqesë. Ky bleu disa pako me llokume dhe ua shpërndau vizitorëve, që i shihnim për herë të parë. Nga vini? Në emër të kujt? Ceremoni më të bukur nuk kam parë ndonjëherë. Na panë ne që puthëm pragun e portës dhe ashtu bënë edhe ata. Ishin veshur keq. Ishte ftohtë. Por besimi na mbante larg të qarave të kësaj jete. Më erdhi ndër mend vargu i Kuranit: O njerëz! Më i lartësuar prej jush, në shikimin e Allahut është më i devotshmi prej jush!”.

Zgjedhja e tij në vitin 1993 si Kryegjysh Botëror Bektashian, në mënyrë unanime, jo vetëm nga bektashinjtë e Ballkanit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por dhe me pëlqimin e dhjetëra përfaqësuesve të komuniteteve bektashianë nga vende të ndryshme të botës, kam idenë se mund të jetë parë midis të tjerëve jo vetëm si një shpërblim për qëndresën epokale të tij, kundruall totalitarizmit shterues, por në krye të herës, si një ekuivalencë e sinqertë e besimit, se përmes dritës që shpërndanë mund të ecej më lehtë dhe natyrshëm në shtigjet e bektashizmit, kudo ku ai jetonte. …Gjithçka e ngritur në këta vite të post-diktaturës në infrastrukturën shpirtërore dhe fizike të besimit bektashian, ka frymën e dede Reshat Bardhit. Madje, jo vetëm kufijve të Shqipërisë politike, por edhe më gjerë. Fryma dhe mendimi i tij, të ndërthurur skajshëm me energji të çuditshme, bënë që të ngrihen tyrbe të lashta, ku do të vendoseshin eshtrat e hedhura tragjikisht të dervishëve e baballarëve. Bënë që të ringrihen teqetë e reja mbi rrënojat e dikurshme dhe oborret e tyre, të mbushen me zëra të gëzuar besimtarësh… Në themel të çdo nisme të Selisë së Shenjtë Bektashiane, guri i parë, derisa ai qe në këtë jetë, ish vështrim plot dritë i tij, ish interferenca shpirtërore në zgrip të besimit. A nuk thonin bektashinjtë e hershëm se “zemra nuk është gjë tjetër, veçse një det drite!”. 
Sigal