Sot Biznesi i Vogël mbyll qepenët, proteston ndaj TVSH-së

612
Jakup B. GJOÇA
Kryetari i PD-së, zbardh planin për Biznesin e Vogël: 12 milionë lekë kufiri për TVSH
Qeveria, e detyruar nga reagimet e fuqishme që shkaktoi zbatimi i futjes së Biznesit të Vogël në TVSH, dha një urdhër të brendshëm, drejt drejtorive tatimore, që të mos gjobitin ata që kanë biznes të vogël dhe futen për herë të parë në skemën e re të TVSH-së, nëse bëjnë gabime. Mirëpo, kjo masë qeveritare u cilësua si qesharake nga vetë Biznesi i Vogël, i cili këmbëngul, që nuk duhet të futet fare skema e TVSH në biznesin e vogël, për shkaqe se do të sjellë falimentimin e tyre. Qeveria ende nuk jep shenja, as të tërheqjes mbrapa, por as që po e zbaton, qoftë edhe formalisht ligjin e saj. Këtu, te kjo heshtje, fshihet edhe prapaskena e qeverisë: Të fitojë kohë, ndërsa përpiqet që të përçajë drejtuesit e shoqatave të biznesit. 

Opozita në krah të Biznesit të Vogël
Ndonëse me vonesë, Opozita e kuptoi se duhet të mbështesë protestën e Biznesit të Vogël. Dje kryetari i PD-së Basha organizoi një takim me përfaqësues të biznesit të vogël, ku dëgjoi me vëmendje të gjitha problemet që u shkakton skema e re e zbatimit të TVSH-së. Kohët e fundit edhe ekspertët e FMN-së që kanë vizituar Shqipërinë, kanë kundërshtuar programin ekonomik të qeverisë së Ramës për koncesionet dhe për vendosjen e TVSH-së për biznesin e vogël, si masa anti ekonomike, me pasoja për rritjen e papunësisë, vështirësitë e të bërit biznes, mungesën e konkurrencës së lirë të tregut, monopolizimin e tepruar të ekonomisë etj. Mirëpo, deri tani, qeveria e Rilindjes i ka shpërfillur kritikat e FMN-së. 

Plani ekonomik i PD-së për Biznesin e Vogël
Kryetari i PD-së, Basha zbardhi edhe planin ekonomik të PD-së, si alternativë qeverisëse, për biznesin e vogël. Kryetari Basha: Konkretisht për biznesin e vogël, plani ynë parashikon rritjen e nivelit të të ardhurave të biznesit të vogël që të nxirren jashtë skemës së TVSh-së në 12 milionë lekë të reja’ Deri në 120 milionë lekë të vjetra në vit, biznesi do të paguajnë 0.5 % të xhiros taksë vjetore, me 3 këste dhe me vetëdeklarim. Do të ketë një pullë fiskale, e cila do të demonstrohet në ambientet e jashtme dhe kjo pullë që vërteton edhe pagesën me vetëdeklarim të 0.5 % të xhiros do të jetë njëkohësisht edhe urdhri që çdo inspektor të rrijë larg ambienteve të biznesit të vogël dhe të mesëm. Kjo është platforma jonë për biznesin e vogël.

Albert Nasto, kryetari i Shoqatës së Binzesit të Vogël dhe të Mesëm të Shqipërisë: Ne nuk do të lejojmë këta 4 -5 oligarkë që të na marrin bukën e gojës
Siç e dini ne sot jemi në një kohë mjaft kritike, ndofta kohërat më të vështira, mund ta them koha më e zezë që po kalon biznesi i vogël dhe i mesëm, por edhe biznesi shqiptar në përgjithësi. Gjatë katër viteve të kaluara, nga 2013-2017, janë mbyllur 82 mijë biznese të vogla. Këto të dhëna janë të marra nga INSTAT. Shkaku i mbylljes së bizneseve ka qenë taksat më të larta që kemi ne sot në Evropë dhe jo vetëm. Janë 36 taksa, plus 1 taksë që u vendos sivjet nga qeveria shqiptare, 37 taksa. Çmimi energjisë, çmimi i karburantit; janë çmimet më të larta jo në Evropë, por edhe më tej. Janë ndër arsyet pse janë mbyllur dhe kanë falimentuar këto biznese. Rënia e fuqisë blerëse, nga viti 2013 deri tani fuqia blerëse ka rënë me 46 %. Korrupsioni i madh dhe në rritje nga 2013 deri sot që flasim. Kontrollet e shpeshta, çdo kush nga ne se sa kontrolle ka pësuar në subjektin e vet dhe sa gjoba ka marrë. Nga të dhënat që ka shoqata jonë një biznes është kontrolluar 9-10 herë në ditë. Kryeministri premtoi se do t’i hiqte fare kontrollet. Klima për të bërë biznes. A mund të bësh biznes kur kontrollohesh 10 herë në ditë? Do të shesim apo do të rrimë në dispozicion të kontrolleve?

Sot fillon Mosbindja Civile edhe nga Biznesi i Vogël
Sot Biznesi i Vogël fillon Mosbindjen Civile. Do të mbyllë qenepët e bizneseve, duke protestuar kështu ndaj ligjit të qeverisë, për të futur në skemën e TVSH-së edhe bizneset që kanë xhiro vjetore nga 2 milionë lekë. 
Sigal