Sot Berati përkujton 69-vjetorin e çlirimit

2399
Sigal

CEREMONI PËRKUJTIMI/ Me heroizëm të madh qyteti muze i dha atdheut 322 dëshmorë

Në një ceremoni përkujtimi në nder të të rënëve, Berati feston dot 69-vjetorin e çlirimit nga pushtuesit nazifashistë. Berati këtë vit ka tre data të rëndësishme historike, 13 shtatorin 1944 që është 69-vjetori i çlirimit të tij, 22 tetorin krijimin e Qeverisë së Parë Demokratike dhe Kongresin e Gruas Antifashiste. Këto data na kujtojnë heroizmin e madh që ka dhënë populli i Beratit në luftën Nacional Çlirimtare duke iu përgjigjur ftesës së Partisë Komuniste për t’u ngritur në luftë. Populli i Beratit e çojë më tej traditën e luftës për liri duke kontribuar në lëvizjen e Vlorës 1912 për shpalljen e Pavarësisë, në luftë kundër shovinistëve grek 1913. Qysh në vitet 1942 në Berat u krijuan celulat partizane, njësitet guerilje, komiteti qarkor u krijuan çetat partizane si çeta e Shpiragut, malit i Bardhë, Sheqas. U krijua batalioni “Margarita Tutulani”. U krijuan këshillat Nacional Çlirimtare në fshatrat dhe qytet. Më 5 gusht 1943, u krijua shtabi i ushtrisë Nacional Çlirimtare për Qarkun e Beratit. U krijua batalioni i “Mesit të Urave”. Në mars të 1944 u krijua Brigada e VII Sulmuese, Brigada XVI Sulmuese,  Brigada e X Sulmuese dhe në shtator të 1944 pothuajse të gjitha fshatrat e Beratit ishin të çliruara. Gjermanët ishin strukur brenda në qytet. Me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm të vetë Komandantit Enver Hoxha, u dha urdhër që të çlirohej Berati, ku u caktua Brigada e VII Sulmuese në të gdhirë të 13 shtatorit. Brigada VII Sulmuese e mbështetur dhe nga forcat e tjera partizane, çliroi Beratin. Pas çlirimit të Beratit, u krijuan kushte që në këtë qytet të vinte Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë. Këtu nën drejtimin e Enver hoxhës u krijua Qeveria e Parë Demokratike, ku Berati u bë 4 ditë kryeqyteti i vendit. Qeveria Demokratike mori vendime shumë të rëndësishme për çlirimin e vendit. Berati i dha atdheut 322 dëshmorë.

Si e pret sot Berati 69-vjetorin e çlirimit

Berati është një qytet me një histori dhe kulturë të lashtë. I shpallur qendër e rëndësishme muzeale nga UNESCO, sot po përjeton një situatë tepër të rëndë. Pas çlirimit qeveria e atëhershme i vuri një rëndësi të madhe qytetit muze 2500- vjeçar. Në këtë qytet u kryen shumë ndërtime në industrinë e lehtë dhe mekanike. Kjo për t’u ardhur në ndihmë këtyre banorëve e për të rritur mirëqenien pasi pas luftës ky qytet ka pasur një ekonomi të shkatërruar. U ndërtuan fabrika të ndryshme të përpunimit të pijeve alkoolike, prodhimit ushqimor. U ndërtua Kombinati Tekstilë më i madhi në Ballkan, parku i transportit, SMT që shërbente për të zhvilluar bujqësinë etj.. Gradualisht jeta në këtë qytet mori një formë shumë të mirë dhe mirëqenia po pësonte një rritje. Berati në ato kohëra ishte vetëm 40 mijë banorë dhe kishte të punësuar 20 mijë. Ky ishte një tregues shumë i mirë që ndikoi në rritjen e mirëqenies. Gradualisht duke u rritur numri i popullsisë qeveria e saj kohe merrte masa duke ndërtuar industrinë. Në qytet u rrit edhe numri i popullsisë. Fëmijët sa mbaronin shkollat e kishin të sigurt vendet e punës, sipas profesioneve që atë kishin marrë. Papunësia në këtë qytet nuk njihej. Sipas statistikave qyteti numëronte 23 fabrika punishte të ndryshme uzina dhe kombinatin. Pas ndryshimit të sistemit nga ai socialiste në atë demokratike, këtu filloi dhe ndryshimi i jetesës. Shumë ndërmarrje u vodhën më pas u shkatërruan. Një pjesë e tyre u blenë nga një grusht njerëzish për një kafshatë buke. Por edhe politikanët që nuk realizuan dot interesat e tyre në këtë qytet, e lanë në mëshirë të fatit. Papunësia arriti kulmin, janë 20 mijë të papunë nga 67 mijë që është sot popullsia e këtij qyteti. Studentët sapo mbarojnë studimet nuk pranojnë të vijnë më në qytetin e lindjes kjo për arsye se ata nuk shikojnë ndonjë dritë jeshile. Kjo është panorama e një qyteti që sot feston 69-vjetorin e çlirimit.

FAMILJET E ORGANIZATËS SË DËSHMORËVE

Të ndërtohet muzeu i luftës, lagështira po dëmton dosjet e dëshmorëve

Organizatë e Familjeve të Dëshmorëve me rastin e 70-vjetorit të rënies së dëshmorëve të rrethit, kanë organizuar një takim, në ish-shtëpinë e ushtarakëve. Aty merrnin pjesë pjesëtarë të familjeve të dëshmorëve, drejtuesit e pushtetit lokal si dhe përfaqësues të Organizatës së Veteranëve. Kryetari i Organizatës së Familjeve të Dëshmorëve, Skënder Mustafarai, foli për trimërinë e dëshmorëve që dhanë jetën në lulen e rinisë për çlirimin e vendit nga Nazifashistët. Ai tha se Berati ka 322 dëshmorë  që dhanë jetën dhe ne sot përulemi para tyre për kontributet që ata dhanë për një Shqipëri të lirë dhe sovrane. Pjesëtarët e familjeve treguan episode nga jeta e dëshmorëve, të cilët ata i mbajnë në kujdesën e tyre. Shumë ish-partizanë dhe shokë të dëshmorëve treguan se 322 dëshmorët që dhanë jetën për Shqipërinë duhet të kujtohen brez pas brezi. Në këtë takim foli dhe vëllai i dëshmorit Thoma Arbëri, nën kryetari veteranëve Anastas Arbëri. Ai në fjalën e tij tha: “Ata janë 322 dëshmorë që do të ndriçojnë edhe për brezat e ardhshëm. Ne i kujtojmë me nderim të madhe, sot në 70-vjetorin e rënies së tyre në betejat me nazifashistë, të cilët luftuan dhe çliruan Shqipërinë. Por ne i bëjmë një apel drejtuesit të Bashkisë, Fadil Nasufi, që të mbajë premtimin e dhënë për të hapur një ambient për muzeun e luftës. Janë 322 dosje që po shkatërrohen nga lagështia, të cilat janë hedhur në një bodrum në Pallatin e Kulturës. Kjo është absurde, që një qytet me një histori të madhe luftarake dhe kulturore të mos ketë një muze. Ku do të njihen brezat e ardhshëm me historinë e Beratit?”, u shpreh Arbëri. Po dhe familjarët e dëshmorëve, i kanë bërë apel kreut të bashkisë që sa më shpejtë të krijoje ambientin për muzeun, i cili është pjesë e jetës dhe kulturës të një qyteti 2500-vjeçare. Të pranishmit që morën fjalën në këtë takim vlerësuan kontributin që dhanë dëshmorët, por sipas tyre këtë gjak po e shkatërron  lagështi në bodrumet e Pallatit të Kulturës, ku 322 dosje po humbasin vlerat e tyre nga lagështia.