Sot Avokati i Popullit danez Jørgen Steen Sørensen vjen vizitë në Tiranë

570
Me ftesë të Avokatit të Popullit Igli Totozani, sot mbërrin për një vizitë zyrtare Jørgen Steen Sørensen. Duhet thënë se Danimarka ishte një nga vendet e BE-së, e cila për herë të tretë nuk pranoi dhënien e statusit kandidat për Shqipërinë, dhe i vetmi bashkëpunim institucional midis dy vendeve tona ka qënë Ombudsmani danez, si edhe vizita e kryeparlamentarit Ilir Meta në Danimarkë. 
Axhenda
Ombudsmani danez do të takohet sot me homologun e tij shqiptar, Igli Totozani, ku në fund të takimit do të ketë edhe deklaratë për shtyp. Po sot, Ombudsmani danez do të takohet edhe me Presidentin Nishani, ndërsa nesër zoti Jørgen Steen Sørensen do të pritet edhe nga kryetari i Parlamentit Ilir Meta dhe zvkryeministri Niko Peleshi. 
Historiku i Ombudsmanit danez
Zyra e Ombudsmanit Danez është krijuar që më 1809. Institucioni i ombudsmanit danez u bë shembull për krijimin e institucioneve të tjera homologe në disa vende të botës. Ombudsmani danez ka shërbyer si shëmbull për krijimin e Ombudsmanit në Zelandën e Re, në Austri e më tej në Afrikën Perëndimore. Aktualisht institucioni i Ombudsmanit Danez është i përqëndruar në ankesat e qytetarëve dhe në çështjet që kanë të bëjnë me vendosjen e praktikave administrative dhe jo me promovimin e të Drejtave të Njeriut. Pra ka një rol mbrojtës të të Drejtave të Njeriut. Është Instituti danez për të drejtat e njeriut (DHRI), që luan rolin promovues dhe këshillimor të të Drejtave të Njeriut. 
Promivimi i praktikave të mira administrative
E vetmja detyrë promovuese e ombudsmanit danez është ajo e promovimit të praktikave të mira administrative. “Praktikat e mira administrative”, është një term i përdorur për herë të parë nga institucioni i ombudmsanit danez, por që më vonë është përhapur ne vende të tjera, si dhe në institucionet e BE. Ombudsmani aktual danez, z. Jørgen Steen Sørensen ka inicuar një sërë reformash, të cilat kanë si synim shndërrimin e Ombudsmanit Danez në një institucion sa më proaktiv. Danimarka ka adoptuar konceptin bazë të Ombudsmanit nga Suedia në vitet e pasluftës, në kohën kur u zbatuan reformat e përgjithshme administrative. Harta e shpërndarjes së ombudsmanëve kombëtarë nuk është uniforme në të gjithë botën. Institucioni i Ombudsmanit gjen përhapje të gjerë në Evropë (me përjashtime të Gjermanisë dhe Italisë), Afrikë, Amerikën Qendrore dhe Jugore dhe pjesë të mëdha të Oqeanisë. Por nga ana tjetër, ka mjaft vende, ku ky institucion nuk është eksistent. Njëri nga këto vende është edhe Jordania, si dhe vende të tjera të botës arabe. Nën iniciativën Arabe, Ombudsmani danez ka marrë pjesë në një projekt në Jordani për të ngritur një institucion të Ombudsmanit. Si rezultat i bashkëpunimit, Jordania ka themeluar një zyrë të Avokatit të Popullit në 2008/2009, dhe sot Ombudsmani jordanez është bërë një anëtar i Institutit Ndërkombëtar të Ombudsmanëve, i cili imponon kushte të caktuara themelore të pranimit. Institucioni danez i Ombudsmanit ka një traditë të gjatë, të pjesëmarrjes aktive në bashkëpunimin dypalësh, rreth zhvillimit, krijimin dhe konsolidimin të zyrave të ombudsmanëve. Fillimisht, ideja është përcaktuar kryesisht, si rezultat i një përpjekje personale nga ana e ombudsmanëve, si në rastin e Ombudsmanit të parë danez, Stephan Hurëitz, ashtu edhe ombudsmanëve të tjerë, si ombudsmani Sir Guy Poëles nga Zelanda e Re dhe Alfred Bexelius nga Suedia. Më vonë, institucionet e ombudsmanëve dhe punonjësit e tyre, janë aktivizuar dhe përfshirë dhe në organizatat ndërkombëtare të tilla si OKB, OSBE, BE dhe IOI, të cilat kanë zhvilluar traditat për të siguruar mbështetje financiare dhe teknike. 
OPCAT/Mekanizmit të parandalimit të Torturës. 
Historiku i NPM-së së Ombudsmanit Danez, që nga themelimi i tij në kuadër të ratifikimit të OPCAT në 2006. Në çdo vit Ombudsmani danez kryen përafërsisht inspektime në 25 institucione, që përfshijnë 55 seksione. Inspektimet kryen në bashkëpunim me organizata të tjera për mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut si DHRI, apo edhe organizata DIGNITY. 
Bashkëpunimi i Avokatit të Popullit me Ombudsmanin e Danimarkës
Qeveria e Mbretërisë së Danimarkës ka dhënë mbështetjen e saj që nga themelimi i institucionit të Avokatit të Popullit në Shqipëri, përmes një granti financiar te akorduar në kuadër të marrëveshjes së dy qeverive tona, nënshkruar në Kopenhagen në korrik 1999. Bashkëpunimi me zyrën e Ombudsmanit Danez në vitet 1999-2003, përmes programit DANIDA të Qeverisë së Mbretërisë së Danimarkës ka dhënë ndikimin e vet mjaft pozitiv në të gjitha aspektet e funksionimit të zyrës së Avokatit të Popullit. Kjo mbështetje ka qenë konkrete, tepër e pranishme dhe mjaft efiçente për ngritjen dhe fuqizimin e institucionit të Avokatit të Popullit.
Lidhjet profesionale ndërmjet institucioneve homologe janë ruajtur dhe përkushtimi dhe bashkepunimi ndërmjet palëve mbetet shumë i ngushtë. Aktualisht, institucioni i Avokatit të Popullit po mbështetet nga projekti i financuar nga Qeveria Daneze dhe i zbatuar nga Instituti Danez për të Drejtat e Njeriut me titull “Forcimi i Ombudsmanit Shqiptar: Më pranë komuniteteve lokale, shoqërisë civile dhe medias (2012-2015).” Projekti ka pesë shtylla kryesore: 
1) Hartimi i një plani strategjik shumëvjeçar për institucionin; 
2) Përmirësimi i sistemit teknologjik (IT) të Institucionit; 
3) Forcimi i partneritetit me Shoqërinë civile dhe Mediat; 
4) Forcimi i partneritetit me njësitë e qeverisjes vendore; 
5) Përmirësimi i inspektimeve në sistemin e burgjeve dhe paraburgimit. 
Në kuadër të këtij projekti, për herë të parë që nga krijimi i tij, institucioni i Avokati i Popullit ka zhvilluar një Plan Strategjik, që mbulon periudhën 2013-2015. Më datë 2 tetor 2013, institucioni i Avokatit të Popullit, në një event në të cilin ishin të pranishëm përfaqësi të shumta diplomatike dhe Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, bëri prezantimin zyrtar të “Planit Strategjik 2013-2015 të institucionit të Avokati të Popullit”. Gjatë këtij viti në bashkëpunim dhe me Organizata ndërkombëtare, janë duke u zhvilluar një sërë Auditoriume, në kuadër të projektit danez dhe konkretisht në bashkëpunim me Prezencën e OSBE janë zhvilluar:
1. Auditoriumi per “Të drejtën e Pronës”
2. Auditoriumi për “Të drejtat e personave të ndaluar në burgje”
3. Auditoriumi për “Gjakmarrjen”
Dhe janë në proces dhe 9 Auditoriume të tjera në gjithë vendin.
Projektet kanë ndikuar dhe në rritjen e performancës dhe të imazhit të Institucionit të Avokatit të Popullit. 
Bashkëpunimi në të ardhmen
Mbështetje tjetër financiare të Danimarkës për një projekt të ri mbasi të mbyllet projekti aktual nëpërmjet zyrës së Ombudsmanit Danez. Bashkepunimi midis dy institucioneve nëpërmjet zhvillimit të seminareve, ku të të kenë si fokus metodologjinë e inspektimeve dhe të trajtimit të ankesave si dhe mënyrat për të patur sa më shumë ndikim tek autoritetet vendore.
Kush është Ombudsmani danez Jørgen Steen Sørensen
Ombudsmani aktual danez, z. Jørgen Steen Sørensen ka lindur në 21 prill të vitit 1965 dhe është një personalitet i rëndësishëm në fushën e jurisprudencës. Ombudsmani është zgjedhur nga Parlamenti danez dhe në fokus kryesor të misionit të tij ka trajtimin e çështjeve dhe ankesave që vijnë për administratën publike. Ombudsmani mund të kritikojë dhe të rihapë një çështje, që lidhet me administratën publike, madje dhe duke ndryshuar vendimin e tyre, por asnjëherë të vendosë vetë. Vetëm në vitet e fundit Ombudsmani ka trajtuar rreth 4000-5000 ankesa çdo, vit që vinë kryesisht nga qytetarë, të cilët mendojnë që një autoritet publik ka gabuar. Gjithashtu, Ombudsmani mund të trajtojë çështje me inisiativë kryesisht ato që janë në vëmendjen e opinionit publik dhe medias. Çdo vit ekspertët e Avokatit të Popullit kryejnë një numër të konsiderushëm vizitash në institucionet publike, si burgjet, institucionet e shëndetit mendor, apo dhe qëndrat e kujdesit shëndetësor. Gjithashtu, ekspertët e sektorit të fëmijëve brenda Ombudsmanit kryejnë inspektime të vazhdueshme në institucionet e fëmijëve për të trajtuar ankesat që mund të vijnë nga fëmijët dhe të rriturit rreth kushteve të tyre. Stafi i Ombudsmanit Danez ka rreth 100 ekspertë. 
Sigal