Sot 78-vjetori i Akademikut Rexhep Qosja

126
Sigal

Rexhep Qosja, trashëgimtari më i shquar i Rilindjes Kombëtare Shqiptare

Më 25 qershor 2014 Akademiku Rexhep Qosja mbush 78 vjeç. Pikërisht në këtë ditë në Muzeun Historik Kombëtar do të shfaqet filmi dokumentar “Rexhep Qosja, Rilindësi i kohës tonë” realizuar nga gazetarja Rudina Xhunga. Prof. Begzad Baliu do të shprehej: “Shqiptarët, kudo janë, në Kosovë a në hapësirën shqiptare, në Europë a në hapësirën globale përgjithësisht, kanë arsye t’i gëzohen jo vetëm moshës së tij, mbi mesataren europiane, por edhe shëndetit fizik e elokuencës mendore, të cilin Profesor Qosja e dëshmon me paraqitje të shpeshta publike: në takime shkencore, kulturore dhe madje politike. Shqiptarët, për më tej, ende kanë arsye t’i gëzohen muzës së tij krijuese të gjithëkohshme, të cilën e shpreh me veprat dhe me oratorinë e shkëlqyeshme në paraqitjet e tij”.

Rexhep Qosja është lindur më 1936 në Vuthaj të Kelmendit, Malit të Zi. Shkollën fillore e përfundoi në fshatin e lindjes, tetëvjeçaren e mbaroi në Guci. Shkollën Normale e mbaroi në Prishtinë. Më 1964 u diplomua në degën Gjuhë-Letërsi të Universitetit të Prishtinës. Studimet pasuniversitare i kreu në Universitetin e Beogradit,  ku në vitin 1971 mori titullin “Doktor i Shkencave Filologjike” me temën “Asdreni-jeta dhe veprat”. Ishte punonjës shkencor në Institutin Albanologjik të Universitetit të Prishtinës dhe drejtor i këtij Instituti prej vitit 1972 deri më 1981. Që në fillimet e veta, duke folur për rolin e kritikës dhe modernitetit, Rexhep Qosja pohoi se, “realizmi socialist nuk është as realizëm, sepse është romantizëm”. Duke mbrojtur dhe ushtruar një kritikë të tillë dhe duke hequr dorë nga glorifikimi i një orientimi të vetëm u siguroi studimeve të veta dimensione të reja që i përkasin të gjitha kohërave.

Tituj të veprave

Myrvete & Begzad Baliu

Historian i letërsisë, estet, kritik letrar, publicist, prozator e dramaturg, polemist e gojëtar, Rexhep Qosja u lind më 25 qershor 1936 në Vuthaj të Malit të Zi. Gjimnazin e mbaroi në Ivangrad, Normalen në Prishtinë, studimet posdiplomike në Beograd, ndërsa doktoratën në Prishtinë. Ishte anëtar dhe drejtues i pothuajse të gjitha institucioneve arsimore, shkencore dhe kulturore të Kosovës nga viti 1968 e këndej. Profesor Rexhep Qosja për më shumë se 50 vjet shquhet për angazhimin e tij krijues në botën intelektuale, shkencore, arsimore dhe kulturore e politike shqiptare. Me tekstet e tij metodologjikisht antidogmatike, me gjuhën e tij polemizuese, me mendimin e tij kritik, me konceptet bashkëkohore të njohjes, fillimisht në fushë të mendimit kritik e më tej edhe mendimit kulturor, shkencor, historiko-letrar dhe politik, Rexhep Qosja, ka sjellë kurdoherë diskutime të gjera në opinionin e kohës. Në fushën e mendimit historiko-letrar Rexhep Qosja është i njohur për sintezat e mëdha shkencore: “Historia e letërsisë shqipe” I-III, “Çështja shqiptare – historia dhe politika”, “Porosia e madhe”, traktatin “Tri mënyrat e shkrimit shqip” etj.. Me këto vepra dhe me të tjera të kësaj natyre ai  e ka bërë për herë të parë sintezën integrale të historisë së popullit shqiptar, të letërsisë dhe të kulturës së tij, pa ndarje kufijsh politikë, kulturorë dhe historikë, duke i parë ata si të tërë në fatet historike të Europës Juglindore dhe si një etni sociokulturore e politike e gjuhësore në zhvillimin e qytetërimit të tij. Në këtë rrjedhë, veprën e tij për më shumë se gjysmë shekulli e ka shquar koncepti antidogmatik dhe qasja moderne e metodologjisë së hulumtimit.

 Adem Demaçi: Jeta dhe veprimtaria e tij intelektuale e krijuese ka kaluar nwpwr faza fort të vështira politike e shoqërore nwn një robëri të gjatë sllave, prandaj dhe qëndrimet, veprimet e krijimet e tij janë plot larmishmwri, por mbi tw gjitha ishte dhe mbeti përplot energji begati e origjinalitet. Në shumësinë e intelektualeve të kombit tonë mbetet i gjithanshëm e i  pashoq.

 Ilir Shaqiri, këngëtar. Të parën gjë që bëri profesori  në ditën e 2 qershorit të vitit 1999, kur hyri në zyrën e tij nr.12 të Institutit Albanologjik, ishte vendosja e portretit, pikturës së mendjendriturit Naimit, në vendin e mëhershëm. Do të vinte më vonë piktori Gjelosh Gjokaj, që t’ia qepte plagët mendjendriturit, por jo, profesori do ta mbante ashtu Naimin, me katër plagë në mjekër?!  Po të kishte fuqinë hyjnore profesori Qosja, do t’ia mbyllte sa çel e mbyll sytë të gjitha plagët Kosovës që i mori në kwtë luftë, e tek atëherë do t’ia mbyllte edhe katër plagët e hapura  portretit të Naimit, portret, i cili do të qëndrojw aty, nw krye tavolinës së punës të profesorit, duke biseduar përditshëm me të, për bërjen e Shqipërisë dhe shqiptarëve.

 Luan Omari

Figura e Rexhep Qosjes është një figurë kaq poliedrike sa do të duhej një emision i gjatë televiziv apo numra të tëra gazetash për të shkruar për ‘të. Por unë në gjithë morinë e meritave që ai ka si krijues letrar, si kritik letrar, si publicist,  por edhe si atdhetar unë do të veçoj: Ai mbetet trashëgimtari, nga më të shquarit i Rilindjes Kombëtare shqiptare. Kjo shprehet në aspektin intelektual, moral dhe atdhetar. Këtë meritë pak intelektual e kanë gëzuar dhe merituar.

 Pëllumb Xhufi

 Rexhep  Qosja është një figurë emblematike e kombit shqiptar e këtyre dekadave të fundit. Ai ka lënë gjurmë për  diturinë e jashtëzakonshme, për lidhjen e tij me Rilindjen Kombëtare që ka qenë objekt i studimit të tij, për të cilat ka lënë vepra të pashlyeshme, të papërsëritshme. Është njw figurë që ka pasur një koherencë në këto dekada të fundit të tranzicionit si në Shqipëri dhe në Kosovë. Një burrë i madh dhe i ditur që e ka thënë  fjalën e tij në mënyrë të drejtpërdrejtë që e ka kritikuar në mënyrë parimore, cilindo që është orientuar  keq në këto kohë të vështira. Ai mbi të gjitha  ka kritikuar dhe veten e tij që është gjë shumë e rrallë, në inteligjencën shqiptare që të ketë njerëz të shquar  si Prof. Qosja, që të jenë kritikw ndaj vetes. Ai kritikon edhe veten, pasi ka dhe qejfmbetjet e veta edhe me veten e tij, të cilat i bën dhe publike. Këto gjëra i bën vetëm një njeri me integritet të lartë moral dhe intelektual. Por unë jam i bindur për një gjë, në të nesërmen jo të largët shumë kush do t’i jetë mirënjohës Prof. Qosjes për pozicionimet e tij në ngjarjet e fundit që kanë trazuar shqiptarët këndej dhe andej kufirit në të gjitha kufijtë, ku banojnë shqiptarw. Prof. Qosja ka qenë një Yll Polar, për rininë kosovare për rininë kosovare, për qëndrimet e tij parimore në mbështetje të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Ai me fjalën e tij me veprat e tij ka frymëzuar dhe ushtarët e UÇK-së. Ai ka orientuar edhe politikën shqiptare, por ka ndikuar edhe në politikën ndërkombëtare për fatet e Kosovës. Këtu mjafton të përmendim rolin e tij të  jashtëzakonshëm në procesin e Rambujesë në vitin 1997, muaji Mars, ku u vendos përfundimisht fati i Kosovës, shkëputja e saj nga Serbia. Ai ka ditur që të lëvizë në mënyrë parimore, në shumë pasiguri, të cilat i kishte edhe delegacioni shqiptar dhe ai i Kosovës. Jam i bindur që ai do të ketë një rol të veçantë në këtë ngjarje që parapërgatiti për ndërhyrjen e NATO-s në ish- Jugosllavi. Të gjitha këto bëjnw që luftërat e rinisë kosovare dhe puna diplomatike e njerëzve si Qosja të bëjnë që sot Kosova të gëzojë lirinë dhe të krijojë shtetin e saj demokratik  të orientuar drejt vlerave perëndimore, drejt vlerave Euroatlantike. Ne si anëtarw të shoqatës “Labëria” kemi një nder të veçantë që kemi President Nderi Prof. Rexhep Qosjen. Në Kongresin e fundit që mbajtëm në Gjirokastër, ai erdhi  me gjithë moshën dhe problemet shëndetësore dhe mbajti një fjalim mjaft kuptimplotë, ku preku të gjithë pjesëmarrësit. Ai e lartësoi këtë trevë, për trimërinë, zgjuarsinë dhe diturinë. Ai përmendi të gjithë trevat jugore, ku përmendi dhe Çamërinë, por dhe tre vëllezërit Frashëri, të cilët ai i ka skanuar në mënyrë gjeniale. Të gjitha këto tregojnë se ai mbetet një shqiptar i madh, i cili ka absorbuar  mësimet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e cila donte krijimin e një Shqipërie të pavarur, me kufijtë e saj etnikw, të një Shqipërie të Bashkuar, duke kapërcyer ndarjet krahinore, ndarjet fetare, ndarjet ideore. Këtë ide ai e mishëronte në përditshmërinë e tij, me aktivitetin e tij, me veprimtarinë e tij dhe me sjelljet e tij. Ai është një shembull, si studiues, është një shembull për ne të gjithë për rrugën që duhet të ndjekë çdo intelektual në shërbim të kombit të tij. Sfidat që ka kombi ynë për t’u orientuar në strukturat Euroatlantike, mund të kalohen në mënyrë korrekte me njerëz të ditur, të mençur, të urtë si Prof. Qosja. Vetëm kështu ne mund të realizojmë dëshirat dhe qëllimet për të cilat aspirojmë.

Feride PAPLEKA

 DIALOG I PËRHERSHWM

 Është një dialog i përhershëm që vendoset me shkrimtarinë e Rexhep Qosjes, një lidhje e frytshme lexues-autor. Tërë krijimtaria e tij ushqehet nga një lloj frymëzimi, ky dialog i përhershëm me njeriun, me botën shqiptare. Nga ana tjetër, zotërimi i shprehësisë  së kulluar shqipe dhe fiksioni shpien  në ligjërimin e bukur artistik. Fraza lapidare e lëmuar, në të cilën përsëritja, monologu, dialogu, fjalitë pyetëse retorike, pikëpyetjet dhe pikëçuditjet shndërrohen në një tingëllim ritmik të fjalës dhe i japin mendimit fuqi transmetuese. Si stilist i papërsëritshëm, Qosja përfaqëson edhe një univers me dije të jashtëzakonshme, një univers në të cilin përzihen në mënyrë harmonike regjistrat të shumtë letrarë dhe jashtëletrarë.

Që në romanin e parë “Vdekja më vjen prej syve të tillë” (1974), kemi një ligjërim të brendshëm konceptual, por edhe një pozicionim horizontal, historik të shqiptarit. Shqiptari në Kosovë jepet si një shpirt i vetmuar, te i cili, përjetohet ankthi, një ndjesi papërshtatshmërie me botën, një pështjellim i jashtësisë me brendësinë. Dihet që brendësia është streha e artit të vërtetë, por është si të thuash edhe lënda që i shërben autorit për të ndërtuar një skenë absurde të jetës nën alibinë komuniste të “bashkim-vëllazërimit”.  I shkruar me një stil modern, të panjohur në letrat shqipe te këndej kufirit, romani “Vdekja më vjen prej syve të tillë” shquhet për nga faktura origjinale, nga “kundërshtimi” i kodeve romaneske tradicionale. Lidhja e njeriut me botën ngre një strukturë të shpërndarë. Një subjekt i pakapshëm, i mjegullt, një shqetësim ekzistencial. Aty ligjërimi është një lojë pasqyrimesh, në të cilën zhbëhen pareshtur themelet e komunikimit. Një rrëfim i vërtetë kafkian. Qenia jonë intime lëkundet. Ndikimi i kësaj vepre është në embrionin e çdo vepre të mëvonshme letrare të autorit. Nga ky libër kuptohet se misioni themelor i letërsisë është të fitojë për njeriun hapësirën e humbur.

Nga Prof. Dr. Ago NEZHA

 Një urim i përzemërt nga Labëria në 78 -vjetorin e lindjes të Akademikut Rexhep Qosja, rilindës i kohës tonë

 Shoqata Kulturore Atdhetare “Labëria” i përcjell urimet më të përzemërta Profesor Rexhep Qosjes, në 78 -vjetorin e lindjes së tij, urime që vijnë si një iso labe e jehonës së maleve dhe valëve të detit me mesazhin edhe 100 vjet të tjera në të mirën e kulturës dhe letrave shqipe.

Shoqata Kulturore Atdhetare “Labëria” është e privilegjuar që ka Kryetar Nderi një personalitet gjigand të mendimit filozofik, publicistik dhe letraro-artistik të kombit.

Profesor Qosja, është ndër ato simbole unikalw të kombit që me veprat dhe krijimtarinë e tij të pashtershme si historian i letërsisë shqipe, kritik, eseist, romancier, dramaturg dhe publicist, ka dhënë dhe po jep një kontribut të çmuar dhe ka zënë vend në fondin e artë të letërsisë shqipe. Krijimtaria e tij e vyer i ka kaluar kufijtë e Kosovës dhe Shqipërisë dhe është bërë pronë e shumë popujve të Ballkanit, e më gjerë. Veprat e tij madhore, korpusi prej mbi 30 tituj si: “Historia e letërsisë shqipe” në tre vëllime, “Fjalori demokratik”, “Porosia e madhe”, “Çështja Shqiptare, historia dhe politika”, “Popull i ndaluar”, “Strategjia e bashkimit Shqiptar”, “Vdekja më vjen prej syve të tillw” e shumë të tjera që janë në qarkullim janë bërë pronë e institucioneve arsimore e kulturore e bibliotekave personale dhe i gjen në duart e lexuesve të shtresave të ndryshme të shoqërisë. Me punën dhe talentin e tij, ai është bërë protagonist i aristokracisë letrare. Megjithë erërat dhe korrentet e forta që kanë fryrë nga veriu dhe nga jugu, Akademikun Rexhep Qosja nuk e kanë gjunjëzuar dot, sepse ai nuk është një kallam moçalesh, por një lis i madh i rritur në malet e Kosovës, që nuk përkulet. Dijetar dhe shkrimtar të përmasave të Qoses, janë ambasadorë të fuqishëm që i japin emër dhe e bëjnë të njohur vendin në arenën ndërkombëtare. Duke nderuar dhe respektuar figura madhore si Profesor Rexhep Qosja, ne nderojmë dhe respektojmë kombin. Kushdo që kërkon të hedhë baltë mbi jetën dhe veprën e njerëzve të shquar i bën një shërbim të vyer antishqiptarizmës.  Më shumë se kushdo tjetër një vend i  vogël si ky i yni e ka të nevojshme që figurat e shquara t’i ketë të vendosura në piedestalin e vet. Me veprën dhe kontributin e tij madhor, me qëndrimin e tij të paepur dhe pa kompromis në të gjitha periudhat historike, duke qenë në shënjestër si askush tjetër të shovinizmit serb, duke e parë si një rrezik potencial të regjimit obskurantist, ai diti të frymëzojë masat me idetë dhe veprën e tij. Akademiku Qosja, pa mëdyshje dhe pa kontestim është “Rilindësi i kohës tonë” nderi i kombit dhe i mbarë shqiptarizmës kudo në botë.

Për këtë kontribut dhe sakrificë të gjatë jetësore, ai meriton urimet në pakufi të gjithë shqiptarëve dhe veçanërisht të Labërisë dhe Shoqatës së saj, që ka nderin dhe privilegjin që e ka Kryetar Nderi që nga kuvendi i parë i saj.

Në këtë përvjetor, i urojmë jetë të gjatë për të mirën e familjes, Labërisë dhe Shqipërisë.

 Fatmir Toçi

REXHEP QOSJA – NJË RILIDAS NË EPOKËN E RILINDJES

Ndodh jo shpesh në historinë njerëzore që e gjithë jeta e një njeriu të jetë kaq dinamike dhe e lidhur kaq ngushtësisht me fatet e vendit, siç ndodh me Prof. Rexhep Qosjen, të cilit sot të gjithë bashkë do t’i festojmë 78 – vjetorin e lindjes.

Rexhep Qosja është padyshim një prej personaliteteve më  të shquar dhe protagonist prej disa dekadash i realitetit të sotëm historik e kulturor shqiptar, historian dhe studiues i shquar i letërsisë kombëtare shqiptare, shkrimtar, dramaturg, kritik letrar, eseistit dhe publicistit, mendimtar dhe pedagog, publicist i palodhur dhe polemist i pandalshëm,  intelektual i mirëfilltë, atdhetar, vepra e të cilit është e lidhur ngushtësisht me fatet e kombit të tij.

Treguesi më i plotë i këtij vlerësimi është vepra e plotë e tij botuar në më shumë se 20.000 faqe, përmbledhur në 29 vëllime të zgjedhura dhe 9 vëllime ditarwsh gjysmëshekullorë, ku veç të tjerash, filli i kuq i kësaj vepre jetësore është  çështja kombëtare shqiptare, të cilës, Prof. Rexhep Qosja i ka kushtuar pjesën më të madhe të veprës së tij. Me këtë vepër Prof. Rexhep Qosja shfaqet para shqiptarëve me përmasat dhe kontributin e një institucioni dhe është shprehje e ndërgjegjes së popullit të vet në kohën që po jetojmë. Është kuptimplotë fakti që në këtë ditë të shënuar të jetës së tij Prof. Rexhep Qosja ka zgjedhur Tiranën për të ndarë gëzimin me familjen, miqtë, bashkëpunëtorët dhe lexuesit e tij të shumtë, një ditë pas marrjes së statusit të vendit kandidat përkrah vendeve të BE-së, një vit pas fitores së Rilindjes në Shqipëri, ku ai me mendjen, fjalën e penën e tij ishte pjesë e rëndësishme e fitores së saj. Kemi pasur fatin të jemi përçuesit e veprës së Prof. Qosjes me rreth 40 tituj të botuar në gjithën botën shqiptare, kudo ku jetojnë, punojnë e mësojnë ata që flasin gjuhën e bukur shqipe.

Në këtë rol dhe bashkëpunim të gjatë gati dy dekadash, Prof. Qosja ka qenë dhe mbetet për ne jo vetëm krenaria, por edhe emblema e shtëpisë botuese “Toena” dhe Institutit të Libri dhe Promocionit.

Jetë të gjatë me penë ne dorë, Prof. Rexhepi!

Alfred Moisiu

 Rexhep Qosja është një figurë e madhe e letërsisë dhe patriotizmës shqiptare. Vepra e tij ka qenë shumë domethënëse dhe shumë dimensionale. Vepra e tij si studiues i shquar i letërsisë kombëtare shqiptare, apo si kritik letrar, shkrimtar, eseistit, publicistit, mendimtar kryesisht tregon për gjerësinë e mendimit duke studiuar jo vetëm arkivat e huaja, por edhe ato shqiptare.

Sabit Brokaj

 Prof. Rexhep Qosja, emërtimi rilindës i kohëve  moderne është një emërtim plotësisht i merituar, pasi i përmbledh të gjitha çka duhet për një njeri mendjendritur. Me figura të tilla si intelektual, patriot, me të gjitha kualitet, kombi ynë nuk do të zhbëhet kurrë.

 Fatos Klosi

I urojmë jetë të gjatë! Të jetë akoma aktiv në jetën e tij, pasi  puna dhe pena e tij kanë qenë shumë të rëndësishme për kombin shqiptar. Kryesisht vepra për studimin e punës së rilindësve në interes kombëtar ka qenë shumë sinjifikative.