Sot, 74-vjetori i Qeverisë së Parë Demokratike. Si u kthye qyteti muze në “Kryeqytetin e parë të lirisë”

1411
Sigal

Përgatiti: Ëngjëll Musai

Drejtor i “Telegraf”

Berat/ Muaji Tetor ka tre data të rëndësishme për qytetin 2400-vjeçar. Me heroizëm të madh qyteti muze i dha atdheut 322 dëshmorë

01- Berati sapo festoi 74-vjetorin e çlirimit nga pushtuesit nazifashistë. Berati këtë vit ka tre data të rëndësishme historike, 13 Shtatorin 1944 – 2018 që ishte 74-vjetori i çlirimit të tij, 22 Tetorin e 1944-ës, që është krijimi i Qeverisë së Parë Demokratike dhe Kongresin e Gruas Antifashiste. Këto data na kujtojnë heroizmin dhe kontributin e madh që ka dhënë populli i Qarkut të Beratit në Luftën Nacional-Çlirimtare, duke iu përgjigjur ftesës së Partisë Komuniste për t’u ngritur në Luftë. Populli i Beratit e çoi më tej traditën e luftës për liri, duke kontribuar në lëvizjen e Vlorës 1912 për shpalljen e Pavarësisë, në luftën kundër shovinistëve grekë, më 1913. Qysh në vitet 1942 në Berat u krijuan celulat partizane, njësitet guerile, komiteti qarkor u krijuan çetat partizane si çeta e Shpiragut, Malit të Bardhë, Sheqas. U krijua batalioni “Margarita Tutulani”. U krijuan këshillat Nacional Çlirimtare në fshatra dhe qytet. Më 5 gusht 1943, u krijua Shtabi i Ushtrisë Nacional Çlirimtare për Qarkun e Beratit. U krijua batalioni i “Mesit të Urave”. Në mars të 1944 u krijua në Skrapar Brigada VII dhe XVI Sulmuese, Brigada X Sulmuese dhe në shtator të 1944 pothuajse të gjitha fshatrat e Beratit ishin të çliruara. Gjermanët ishin strukur brenda në qytet. Me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm e të vetë Komandantit Enver Hoxha, u dha urdhër që të çlirohej Berati. U caktua Brigada VII Sulmuese. Në të gdhirë të 13 shtatorit Brigata VII Sulmuese e mbështetur dhe nga forcat e tjera partizane, çliroi Beratin. Pas çlirimit të Beratit, u krijuan kushte që në këtë qytet të vinte Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë. Këtu nën drejtimin e Enver Hoxhës u krijua Qeveria e Parë Demokratike dhe Berati u bë 4 ditë kryeqyteti i vendit. Qeveria Demokratike mori vendime shumë të rëndësishme për çlirimin e vendit dhe qarku i Beratit i dha atdheut 322 dëshmorë.

02- Si u shndërrua Komiteti Antifashist Nacional-Çlirimtar i zgjedhur në Përmet, në Qeverinë Demokratike të Shqipërisë

70 vjet më parë, përkatësisht në datat 20-23 Tetor 1944, në qytetin e Beratit u realizua mbledhja e dytë, pas asaj të Kongresit të Përmetit 24-28 Maj 1944, si dhe pas operacionit të fuqishëm të Qershorit 1944 dhe mbas çlirimit të qytetit të Beratit, lindi nevoja e konsolidimit të mëtejshëm të vendimeve të Kongresit të Përmetit dhe hedhja e një hapi tjetër shumë të rëndësishëm, i cili ishte ai i krijimit të qeverisë Demokratike të Shqipërisë, pasi lufta po vinte drejt fundit. Pra në këtë mbledhje, u vendos që Komiteti Antifashist Nacional-Çlirimtar i zgjedhur në Përmet, të shndërrohet në Qeverinë Demokratike të Shqipërisë. Po në këtë mbledhje u vendos që këshillat Nacional-Çlirimtar që ishin ngritur kudo, do të kryenin vetëm detyra pushteti, ndërsa Fronti do të kishte këshillat e tij. U vendos që të hartohen ligje dhe rregulla që të zbatoheshin për zgjedhjet e reja në organet lokale të pushtetit. Qeveria e krijuar 74 vjet më parë shpalli programin e saj, ku në politikën e brendshme parashikoheshin masa për normalizimin e gjendjes ekonomike të shkatërruar nga Lufta. Berati u zgjodh si vendi i mbledhjes së dytë dhe krijimin të qeverisë demokratike, pasi Berati ishte qytet i çliruar, populli ishte liridashës, një popull i cili ka luftuar kurdoherë për liri dhe pavarësi kundër pushtuesve që në kohët më të hershme dhe, se vendimet e rëndësishme të këtij kuvendi do të shënonin një pikë kthese pas Luftës sonë çlirimtare.

03- Omer Nishani, kryetari i LANÇ, si e shpalli qeveria në Berat, më 1944, Kartën për të Drejtat e Njeriut

Qeveria provizore përgatiti “Deklaratën e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar të Shqipërisë mbi të drejtat e qytetarëve”. Më 20 tetor të vitit 1944 shpallet një dokument me 17 pika, ku çdo qytetari i garantohet e drejta e fjalës, e pronës, e fesë, e zgjedhjes etj. Si në vendet me demokraci të zhvilluar, ashtu dhe Shqipëria iu paraqitet ndërkombëtarëve me këto të drejta të sanksionuara në këtë Deklaratë, që në fakt nuk rezultoi më tepër se një kartë false, pasi asnjë prej tyre nuk u zbatua në realitet për qytetarët shqiptarë pas çlirimit. 

Mbledhja e Dytë të Këshillit Nacionalçlirimtar në qytetin e Berat (KANÇ-i) i bëri të ditur popullit shqiptar, si edhe opinionit publik ndërkombëtar një dokument programatik. U quajt “Deklaratë e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar të Shqipërisë mbi të drejtat e qytetarëve”, duke na kujtuar “Deklaratën e të Drejtave të Njeriut dhe të Qytetarëve”, të formuluar nga revolucioni francez, më 25 gusht 1789, e cila përmbledh në 17 pika thelbin më pozitiv të përvojës demokratike të mëparshme, përfshi edhe “Deklaratën e Pavarësisë” të SHBA-ve. Kjo deklaratë e Beratit premtonte tërë demokracinë perëndimore. Teksti autentik i saj ishte i mbushur me këto fjalë: “…Duke shprehur dëshirat e drejta të popullit dhe vullnetin e tij për të ndërtuar një shoqëri njerëzore plot liri e dinjitet, pushteti demokratik i popullit shqiptar, i konkretizuar në Këshillat Nacionalçlirimtare dhe në Këshillin Antifashist Nacionalçlirimtar të Shqipërisë, garanton:

-Të drejtat e barabarta përpara ligjit të të gjithë nënshtetasve shqiptarë.

-Lirinë e fesë dhe të ndërgjegjes, si dhe të drejtat e barabarta të të gjitha feve.

-Lirinë e mbledhjes, të fjalës, të shoqërimit dhe të shtypit.

-Pronësinë private dhe sigurinë personale të qytetarit, si dhe lirinë e iniciativës private në jetën ekonomike.

-Të drejtat e barabarta të gruas me ato të burrit, si në jetën politike të vendit, ashtu edhe në veprimtarinë shoqërore.

-Të drejtën e zgjedhjes në Shqipërinë demokratike, të cilën zgjedhësit do ta ushtrojnë me votim të fshehtë, në bazë të së drejtës të zgjedhjes universale, të njëjtë dhe direkt. Të drejtën e zgjedhjes dhe të drejtën për t’u zgjedhur e ka çdo qytetar dhe qytetare që kanë mbushur moshën 18 vjeç dhe që nuk janë të zhveshur nga kjo e drejtë në bazë të ligjit. Luftëtarët e UNÇ e kanë këtë të drejtë pavarësisht nga mosha e tyre. Nga parimi i votimit të fshehtë dhe direkt mund të hiqet dorë për kohën e zgjatjes së Luftës Nacionalçlirimtare me vendim të KANÇ.

-Çdo qytetari i garantohet e drejta e ankimit për vendimet e organeve të pushtetit, si edhe e drejta e lutjes dhe e padisë të të gjithë organeve të pushtetit shtetëror.

-Askush nuk mund të dënohet pa u zhvilluar më parë procedurat gjyqësore.

-Është nder dhe detyrë për çdo qytetar të aftë për armë, të marrë pjesë në Luftën Çlirimtare si ushtar i UNÇ.

-Pushteti demokratik popullor u siguron me anë të ligjeve të gjithë punëtorëve të qytetit dhe të fshatit një jetë të pajtueshme me konceptin modern të së drejtës shoqërore dhe me dinjitetin njerëzor.

-Për të mbrojtur rendin demokratik dhe për të siguruar rezultatet e LANÇ, ndalohen të gjitha organizatat fashiste dhe profashiste e ndiqen të gjithë personat që merren me veprimtari fashiste dhe profashiste”.