Sot, 72 vjetori i ndarjes nga jeta i Xhaferr Sadik Dede

954
Kujtim BORIÇI
Kryegjyshi Botëror, Hirësia e Tij, Haxhi Baba Edmond Brahimaj:Ishte klerik bektashi dhe atdhetar; e përkujtojmë sot me respekt e mirënjohje!
Një ngjarje e shënuar përkujtohet sot në Selinë e Shenjtë Bektashiane në Tiranë, 72 vjetori i kalimit nga jeta i Kryegjyshit Botëror Bektashian, Xhafer Sadik Dede. Në këtë ditë të shënuar nën përkujdesjen e Hirësisë së Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, në mjediset e Selisë së Shenjtë të, ka pritje në nderim të personalitetit të këtij kleriku të njohur që gjithë jetën e tij ia kushtoi bektashizmit. Plot 72 vjet më parë, Xhafer Sadik Dede, ndërroi jetë, duke lënë për klerikët bektashinj dhe miliona besimtarë në gjithë botën, shembullin e devocionit e përkushtimit në rrugëtimin plot dritë në udhën e Haxhi Bektash Veliut. Në historinë mbi tetëqind vjeçare të bektashizmit, ndër klerikëve e shumtë që kanë dhënë kontribut për mbrojtjen dhe përhapjen e këtij besimi, një vend të rëndësishëm ka dhe Xhaferr Sadik Dede, i cili ka qenë për disa kohë dhe Kryegjysh Botëror i Bektashizmit.

“Ish-Kryegjyshi Botëror i Bektashizmit, Xhaferr Sadik Dede që kaloi nga jeta si sot 72 vite më parë, ishte dhe mbetet një shembull i punës së palodhur për këtë besim dhe nderohet e respektohet nga miliona besimtarë në gjithë botën. Kjo ditë që ne përkujtojmë këtë klerik të nderuar, është një ditë e rëndësishme, në vazhdën e aktiviteteve të kësaj natyre që organizon Kryegjyshata Botërore e Bektashinjve, në nderim të klerikëve tanë që ndër shekuj punuan e luftuan për besimin , për atdheun, për paqe e mirësi mes njerëzve, me dashurinë e pakufisshme në Zot”- shprehet midis të tjerave Kryegjyshi Botëror i Bektashizmit, Hirësia e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.

Xhafer Sadik Dede 
Xhafer Sadik Dede, ish Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve ka lindur plot 135 vite më parë në qytetin e Gjirokastrës, në familjen fisnike Baboçi, një nga familjet e njohura të kësaj treve, me tradita të spikatura bektashiane. Falë kësaj tradite, që në fëmijëri, prindërit e mëkuan me dashurinë e pashtershme ndaj Zotit dhe atdheut dhe i dhanë dashurinë dhe mirësinë duke i lartësuar shpirtin. Në pelegrinazhet që bënin prindërit e tij në teqetë e Zallit, Hajdaries e Melanit në Gjirokastër, vazhdimisht e merrnin djaloshin e vogël me vete, të cili bashkë me shtatin, dita ditës i shtohej dashuria për bektashizmin. Po nga prindërit, ndërkohë, ai merrte dhe njohuritë e para fetare të këtij besimi. 

Me kalimin e viteve, pasi bëri shkollën në vendlindje, me dëshirën e prindërve, ai u bë fillimisht myhib dhe më pas u vesh dervish në teqenë e Zallit në Gjirokastër. Periudha rreth viteve 1902, e gjen atë në Haxhi Bektash në kryeqendrën e bektashizmit, ku përgatitet në shkollën e kësaj qendre. 

Në përmbushje të dëshirës e misionit të tijë, gjatë kësaj kohe, ai realizon vizita në vendet e shenjta të Lindjes si Irak, Siri, Iran, Egjipt. Tashmë, me këtë formim të fituar, ai vjen në Përmet dhe shërben në teqenë e vjetër të këtij qyteti. Në vitet 1908-1912, ai përkrahu gjithë patriotët në çështjen e çlirimit kombëtar të vendit, duke e kthyer teqenë një vend që priste dhe përcillte luftëtarët e lirisë. Ndërkohë, ai bashkëpunonte ngushtë me teqenë e Alipostivani me baba Hajdarin, baba Abedinin e Frashërit etj…, duke marr pjesë aktive së bashku me ‘ta në përpjekjet për përhapjen e shkrimit e mësimin e gjuhës shqipe. Mbi bazëne reputacionit të arritur me punë, ai shtoi rrethin e besimtarëve, të miqve dhe të pasurisë, afroi shumë intelektualë dhe u bë shumë i njohur në Përmet e gjithë jugun e Shqipërisë. Në çdo përpjekje e evenimet në luftën për pavarësi, për Rilindjen Kombëtare, ai është i pranishëm. Për këto cilësi e veçanërisht për punën e palodhur dhe përkushtimin ndaj bektashizmit Këshilli klerikal më 25 . IV. 1945 e zgjodhi Kryegjysh Botëror të Bektashinjve. Ai punoi si Kryegjysh për katër muaj duke dhënë kontribut brenda dhe jashtë vendit deri në 8 gusht 1945 kur ndërroi jetë. Ai organizoi dhe drejtoi Selinë e Shenjtë në të gjitha veprimtaritë e saj kombëtare dhe ndërkombëtare me përkushtim si një klerik i përgatitur. Por fatkeqësisht, një aksidenti fatal në rrugën Tiranë-Elbasan, (shkonte për punë në Gjyshatën bektashiane të Elbasanit) , atij i merr jetën. Megjithëse e dërguan në spitalin e Tiranës, ai ndërroi jetë. Në vitin 1993, pas vdekjes, ai është dekoruar nga Presidenti i Republikë së Shqipërisë me Urdhrin për “Veprimtari Patriotike të Klasit I-rë”. 

Në përkujtim të klerikut të njohur
Për kontributin e dhënë për besimin bektashian, jo pak klerikë të njohur, mes tyre dhe Xhaferr Sadik Dede, janë vlerësuar dhe me vendosje të emrave në objektet e kultit bektashian. Kështu, një teqe në Përmet thirret “Teqeja e Baba Xhaferrit”, për shkak të drejtimit të gjatë nga ky klerik dhe emrit të mirë që ka lënë. Kjo teqe është themeluar më 1861 nga Bektash Babai, i ndihmuar nga Ali Haqi Babai i Gjirokastrës. Baba Xhemali dha kontribute në Shpalljen e Pavarësisë. Baba Abedini i Frashërit dhe Baba Xhemali i Përmetit organizuan mbledhjen e jashtëzakonshme më 28 nëntor 1912 në Përmet, e cila mandatoi Mit’hat Abdyl Frashërin si delegat të Përmetit në Kuvendin Historik të Vlorës . Më vonë në krye të Teqenë e Përmetit vjen Xhafer Sadik Baba nga Gjirokastra. Ai u bë edhe Dede, Kryegjysh Botëror i Bektashinjve, i cili drejtoi punimet e Kongresit IV Bektashian. Në janar të vitit 1930, Sali Njazi Dedeja, i cili u largua nga Turqia dhe erdhi në Shqipëri, për të ngritur Qendrën e Kryegjyshatës Botërore të Bektashizmit, u prit në Sarandë edhe nga Baba Xhaferi i Teqesë së Përmetit, i cili bashkë me 17 të tjerë e shoqëroi në rrugën Sarandë-Tepelenë-Përmet-Leskovik-Ersekë-Korçë. Sali Njazi Dedeja, Kryegjyshi Dëshmor i Atdheut, (vrarë në Tiranë nga pushtuesit fashist italian më 28.11.1941), qëndroi një natë në Sukë dhe disa orë në Përmet. Teqeja e Përmetit është drejtuar edhe nga Baba Sabriu, Baba Barjami dhe Baba Zeneli. Teqeja u mbyll nga monizmi më 1967 dhe u rihap më 11.10.1991, që është edhe dita e parë e rihapjes së bektashizmit në Përmet. 
Në vitet 1908-1912, Xhafer Sadik Dede, përkrahu gjithë patriotët në çështjen e çlirimit kombëtar të vendit, duke e kthyer teqenë një vend që priste dhe përcillte luftëtarët e lirisë. Ndërkohë, ai bashkëpunonte ngushtë me teqenë e Alipostivanit me baba Hajdarin, baba Abedinin e Frashërit etj, duke marr pjesë aktive së bashku me ta në përpjekjet për përhapjen e shkrimit e mësimin e shqipes
Sigal