Sot 3.000 punëtorë të ARMO-s, në protesta

80

Bllokohet në mënyrë të paligjshme puna e rafinerive të përpunimit të naftës me qëllim rrëmbimin e aksioneve të kompanisë ARMO.

Kompania Armo  është vënë prej kohësh në një gjëndje represioni të pashembullt nga një pjesë strukturave të shtetit. Qëllimi i vetëm i këtij represioni është grabitja e aksioneve të kësaj kompanie.  Kjo grabitje aksionesh është qëllimi final dhe për këtë dëshmon e gjithë sjellja dhe gjuha e kësaj pjese të strukturave të shtetit, që rrethojnë rafineritë, bllokojnë daljen e mallit, bitumit, solarit, nënprodukteve të naftës etj. Kjo sjellje është rënduar muajt e fundit, por ajo ka qenë pranishme gjatë të paktën katër viteve, kur kërcënimi dhe gjobat u shndërruan në rutinë dhe kur kërkesa për rrëmbimin  e aksioneve u bë e qartë.

Gjobat, mjet i grabitjes shtetërore

 Përgjatë katër viteve të deritanishëm, kjo pjesë e strukturave të shtetit e kanë gjobitur kompaninë ARMO me rreth 100 milionë dollarë, ku vetëm muajt e fundit janë vendosur 60 milionë dollarë gjoba. Përpjekjet për grabitjen e aksioneve të kompanisë nuk kanë reshtur edhe me mjete të tjera. Kështu, u vendos akcizë  për solarin dhe gazin, që përdoret për konsum teknollogjik të brendshëm  nga kompania ARMO, në një kohë që asnjë vend në botë nuk përdor praktika të tilla. Qëllimi i vetëm i kësaj mase ishte goditja e ARMO-s.  Gjithashtu, u barazua niveli i akcizës së solarit me gazoilin, në një kohë që solari është një produkt që përdoret për industrinë dhe bujqësinë ndërsa gasoil është një produkt që përdoret nga makinat.  Solari zë 40% të peshës së prodhimit të kompanisë ARMO dhe ky barazim akcize  e bën këtë produkt të shitet nën kosto.  Asnjë vend tjetër në botë nuk përdor  nivel të barabartë akcize për solarin dhe gazolin. Për të penguar aktivitetin e rafinerive të kompanisë ARMO, u vendos taksë doganore në masën e 10% për naftën bruto të importit, e cila është lënda e parë e rafinerive. Asnjë vend tjetër në botë nuk aplikon taksë të tillë. Këto janë vetëm pak nga përpjekjet e shumta me presione, kërcënime,  gjoba  dhe vendime apo akte të tjera për të grabitur aksionet e kompanisë ARMO.  Kjo kompani, megjithatë  në më shumë se katër vite ka paguar rreth 120 milionë dollarë paga dhe sigurime shoqërore, ndërkohë që rafineritë e kësaj kompanie kanë punuar vetëm 11 muaj. Në këto vite kompania ka paguar rreth 12 milionë dollarë energji eklektrike për pompat e ujit, të cilat furnizojnë me ujë të pijshëm Ballshin dhe fshatrat e Mallkastrës, si ndihmë ndaj këtij komuniteti.

ARMO: Të respektohen ligjet, prona dhe njerëzit!

Kompania ARMO dëshiron të bëjë të ditur  se ajo respekton me force ligjet dhe normat e një shteti demokratik  e për këtë arsye nuk do të përkulet ndaj perpjekjeve të tilla për të grabitur një pronë private edhe  pas 22 vitesh liri. Kompania ARMO duke e çmuar të shenjtë punën, pronën dhe të drejtën e punonjësve për të punuar dhe mbajtur familjet e tyre i bëjnë thirrje këtyre struktuarve shtetërore dhe të gjithe aktoreve të tjerë që të lenë të lira rafineritë, punën dhe punosnjesit dhe të respektojnë ligjin.

           

Struktura të shtetit  i bëjnë represion kompanisë së ARMO-s

Bllokohet në mënyrë të paligjshme puna e rafinerive të përpunimit të naftës me qëllim rrëmbimin e aksioneve të kompanisë ARMO. Drejtorët e dy rafinerive, asaj të Fierit dhe të Ballshit, denoncojnë aktin e paprecedent të presionit të strukturave të qeverisë në ikje për grabitjen e aksioneve të kompanisë ARMO. Që prej 4 vitesh kjo sipërmarrje private është përballur me gjoba të paligjshme dhe arbitraritet të qëllimshëm. Vetëm në dy muajt e fundit shuma e gjobave abuzive ndaj kompanisë ARMO ka arritur mbi 60 milionë dollarë. Qëllimi i vetëm i strukturave shtetërore është të zhvasë pa asnjë lek aksionet e këtij aseti të padiskutueshëm të industrisë së naftës në Shqipëri.

Denoncimi

Drejtori i Rafinerisë së Fierit Bledar Myftari deklaron: “Jemi këtu sot të obliguar nga pjesë e strukturave shtetërore, të cilat kanë mbi 8 ditë që po bëjnë presion të vazhdueshëm nëpërmjet strukturave të hetimit tatimor dhe të tatimeve për të na penguar në prodhimin e punës. Nuk kanë asnjë urdhër bllokimi ndërkohë që kjo është një uzinë teknologjike kimike e rrezikshmërisë së shkallës së lartë dhe bllokimi i punës në të pa urdhër bllokimi do të thotë që këtu rrezikohet jeta e njerëzve, punonjësve e të gjithë njerëzve përqark. Kështu që, nisur nga ky fakt, që hetimi tatimor nuk ka asnjë urdhër bllokimi, normalisht që të gjithë punonjësit e rafinerive janë irrituar sepse ky është një veprim i paprecedentë, i cili bëhet nga pjesë të strukturave të shtetit që kërkojnë nëpërmjet gjobave apo presioneve të ndryshme aksionet e kompanisë”.

Ndërsa Aurel Stavre, drejtor i rafinerisë në Ballsh deklaroi: “Prej pesë vjetësh ne jemi nën presion të vazhdueshëm nga pjesë të caktuara të shtetit shqiptar. Kemi pese vjet që në uzinën e Ballshit ne kemi punuar vetëm 11 muaj. Kemi pesë vjet që përpiqemi të bashkëpunojmë me të gjitha kompanitë naftënxjerrëse për të punuar. Nisur nga këto fakte sot jemi para një bllokimi, ne nuk po na lejojnë që të kryejmë aktivitetin tonë. Në uzinën e Fierit naftë bruto ka, uzina po punon dhe nuk po lejohet të tregtohen nënproduktet e uzinës së Fierit. Këta njerëz janë këtu për të kërkuar të drejtën e tyre, nuk janë për të kërkuar mbështetje politike. Janë këtu vetëm për të kërkuar të drejtat e tyre”.

Strukturat e shtetit nuk kanë pasur asnjë argument zyrtar rreth këtij bllokimi

“Që nga nëntori i vitit 2008 në kompaninë ARMO presioni ka qenë i vazhdueshëm dhe muajt e fundit ne kemi marrë mbi 60 milionë dollarë gjoba nga pjesë të shtetit shqiptar. Pretendimet janë nga më të ndryshmet dhe sot ju mund të pyesni këto instanca të shtetit që kanë bllokuar uzinën e Fierit dhe nuk japin asnjë lloj argumenti pse po e bllokojnë. Nisur nga këto pretendime këta njerëz kërkojnë shpjegim. Ne si përfaqësues të uzinës kërkojmë shpjegim, ne si përfaqësues të uzinës kërkojmë të drejtën dhe ti japim shpjegime drejtorit tonë. Drejtori jonë ka në përgjegjësi tre mijë familje, ka në përgjegjësi të ardhmen e këtyre njerëzve. Duan të bëhen bashkëpronarë të një prone private”, deklaroi drejtori Stavre.

Drejtori i Rafinerisë së Fierit Bledar Myftari denoncon dhe një akt të tatimorëve. Një mjet i tyre ka përplasur njërin nga punonjësit e uzinës.

“Përfaqësuesit tanë ligjorë janë në komisariatin e policisë së Fierit për të bërë denoncimin, sepse dje në mënyrë arbitrare dhe të dhunshme një nga tatimorët nuk bëri gjë tjetër veçse përplasi me makinë një nga punonjësit tanë. Ata kishin zënë rrugën në mënyrë arbitrare pas asnjë lloj urdhëri, pa asnjë lloj komunikimi. Ka një rregullore që nëse ka bllokim duhet të na njoftojnë 72 orë para që ne të marrim masa teknologjike, por  e vetmja arsye është se, ato duan aksionet e kompanisë dhe i duan pa para dhe ky është presion që bëhet duket përdorur instanca të shtetit për ta marrë kompaninë pa para. Pronarit i thonë firmos kontratën e shitjes së aksioneve pa marrë asnjë lek dhe pastaj të heqim kontrollin prej aty”, tha Myftari.

Protesojnë punëtorët e ARMO-s: Shteti po na lë pa bukë

“Shteti po na lë pa bukë”. Me këto fjalë mijëra punëtorë të kompanisë ARMO po protestojnë kundër veprimeve arbitrare të tatim-taksave. Ata i kërkojnë qeverisë zhbllokimin e të gjitha llogarive bankare që janë bllokuar në mënyrë të padrejtë. “Nuk iki prej këtej deri sa ata ta lirojnë. Tatimorët të ikin që ne të punojmë lirisht. Është buka e fëmijëve tanë”, shprehet një punonjëse. “Ky shtet të lirojë llogaritë e kësaj ndërmarrje. Ne duam të punojmë që të marrim lekët për të ngrënë bukë. Çfarë janë këto presione?!”, shprehet një tjetër protestues. Punëtorët deklarojnë se do të përshkallëzojnë protestat deri në bllokimin e rrugës dhe nuk do të largohen nga vendet e punës pa ikur tatimorët.

Bllokimi i rafinerisë, inxhinierët paralajmërojnë katastrofën

Drejtuesit e uzines thonë se, rafineria është uzinë përpunimi dhe në bazë të rregullores duhet të njoftohet 72 orë përpara për urdhër bllokimin. Gjithashtu duke qenë uzinë e rëndësisë së shkallës së parë ka rrezikshmëri të madhe si, në jetën e njerëzve, në procesin teknologjik, dëme materiale si dhe dëm ekologjik. Rafineria e naftës në Fier mund të shpërthejë duke shkaktuar një tragjedi me përmasa të paimagjinueshme nëse puna bllokohet pa marrë parasysh parametrat teknikë.  Uzina punon në temperaturë të lartë, mbi 700 gradë celcius dhe mos dalja e bitumit nga rafineria do të thotë; shkatërrim i depozitave të bitumit. Kjo do të sillte ngrirjen e bitumit në rezervuar si dhe bllokimin e të gjitha pompave por edhe një ngërç në linjat teknologjike. Në të njëjtën kohë inxhinierët shpjegojnë se bllokimi i punës jashtë kritereve teknike çon në rritje të temperaturave të furrës, koksifikimin e tubave të saj që punojnë në mbi 700 gradë duke shkaktuar një shpërthim me përmasa katastrofike. Kjo do të  thotë humbje jetë punonjësish dhe një shkatërrim i plotë i banesave që janë rreth e rrotull, por edhe uzinës një aset i padiskutueshëm i ekonomisë shqiptare në industrinë e përpunimit të naftës.
Stafi inxhiniero teknik paralajmëron se kjo është një situatë shumë e rënduar dhe mjaft e rrezikshme që mund të bëhet shkak për dëme të pallogaritshme njerëzore dhe materiale, ndaj kërkojnë ndaljen e menjëhershme të metodave të kundraligjshme dhe lejimin e ushtrimit të sipërmarrjes së lirë, pa presione, provokime dhe arbitrarizëm.