Sot, 16 vjet nga vrasja në atentat, e liderit të Dhjetorit Azem Hajdari, para selisë së PD-së

217

 Sali Berisha ndaj rivalit Azem Hajdari, si Enver Hoxha ndaj rivalit Qemal Stafa

 Sot është 16 -vjetori i vrasjes së liderit të lëvizjes studentore të dhjetorit 1990. Nuk e di nëse lideri historik i PD do të shkoj fizikisht të vendos lule e të derdh lot pranë memorialit e familjes së tij, apo do të dërgojë mesazh në “FB”. Ajo që dua të publikoj është një “investigim” historik, bërë 1 vit më parë për të krahasuar dy figura të njohura të politikës shqiptare, njeri Qemal Stafa vrarë në pritë më 5 maj 1943 në oborrin e bazës së partisë, ndërsa tjetri Azem Hajdari, vrarë po në pritë në oborrin e partisë së tij, më 12 shtator 1998. E kam fjalën për një krahasim vlerësimesh të bëra për këto dy figura, prej dy udhëheqësve të tyre: Enver Hoxha dhe Sali Berisha edhe pse akuzohen të dy, se janë skenaristët e vrasjes së dy bashkëpunëtorëve të tyre të afërt. Këtë krahasim, ma rekomandoi një miku im studiues historie. Bëra krahasimin dhe më rezultoi se janë pothuajse vlerësime totalisht të njëjta. Nga dëshmitarë të kohës dhe botime të shumta historike, thuhet se Enver Hoxha e konsideronte Qemal Stafën si rival potencial për kreun e PKSH. Edhe Sali Berisha, thuhet se e konsideronte Azem Hajdarin si rival potencial për kreun e PD-së.

Sali Berisha, ja nderimet për Azem Hajdarin

1. Sali Berisha akuzohet se çoi në pritë Azem Hajdarin, duke e nxjerrë në pritë nga mbledhja natën e 12 shtatorit, duke i thënë se e kërkonin “disa miq”.

2. Sali Berisha, bëri sikur nuk e dinte që Azemin e vranë përballë PD-së, por sikur “e njoftuan shokët e PD-së për vrasjen”.

3. Sali Berisha, sa mori vesh lajmin për vrasjen e Azem Hajdarit, filloi të derdhte lot pikëllimi, për mikun e tij bashkë-luftëtarë të idealeve të Dhjetorit 1990 (siç e quante).

4. Sali Berisha, pas vrasjes së Azemit, doli në ballkonin e PD-së dhe deklaroi se do të merrte hakun e Azemit dhe se vrasësit e tij do ta paguanin shtrenjtë.

5. Sali Berisha, pas vrasjes së Azemit, urdhëroi besnikët e tij të PD-së, që t’i merrnin rrobat, ditarin, çantën, celularin, çelësat e zyrës dhe gjithë dokumentet e zyrës së Azemit dhe t’ia çonin atij.

6. Sali Berisha, pas vrasjes së Azemit urdhëroi besnikët e tij të PD, që të bllokonin zyrën e Azemit dhe të mos hynte askush atje, pa shkuar më parë ai.

7. Sali Berisha, natën e vrasjes së Azemit shkoi urgjent dhe vendosi lule të freskëta tek vendi, ku u ekzekutua Azem Hajdari, duke prekur e puthur tokën.

8. Sali Berisha e ktheu varrimin e Azem Hajdarit, në ditë dhe lëvizje proteste kundër vrasësit të tij Fatos Nano (siç e shpalli), duke sulmuar institucionet me dhunë.

9. Sali Berisha e shpalli 12 shtatorin, ditën e vrasjes së Azem Hajdarit, si ditën e “Dëshmorëve të demokracisë shqiptare”.

10. Sali Berisha, pas vrasjes i ngriti këngë Azem Hajdarit, me vargjet: “Azem, Azem/ Ti je gjallë…”

11. Sali Berisha, pas vrasjes e shpalli Azem Hajdarin: “Heroi i Demokracisë” e më pas “Nderi Kombit”.

12. Sali Berisha, prej 16 vitesh, shkon çdo vit, në çdo 12 Shtator për vizitë “nderimi e përkujtimi” në familjen e Azem Hajdarit.

13. Sali Berisha, çdo 12 shtator, prej 16 vitesh shkon te memoriali dhe varri i Azem Hajdarit e vendos lule plastike.

14. Sali Berisha, urdhëroi të bëhet kujdes maksimal për familjen e Azemit, që t’i krijoheshin gjithë kushtet dhe privilegjet për jetesë.

15. Sali Berisha dha urdhër, që gjithë familjarët dhe fisi i Azemit të trajtohen si familje heroi.

16. Sali Berisha, sa herë flet për lëvizjen demokratike, tregon për zgjuarsinë, guximin, pjekurinë dhe trimëritë e Azem Hajdarit.

17. Sali Berisha, në përkujtim dhe nderim të Azemit, emërtoi disa sheshe, rrugë e shkolla me emrin “Azem Hajdari.

18. Sali Berisha, çdo 5 maj përkujton dhe nderon “Heroin e Demokracisë” Azem Hajdarin, duke i çuar lule në ditën e dëshmorëve.

19. Sali Berisha, i ngriti bust Azem Hajdarit në “Qytetin Studenti” edhe pse premtoi se do t’ia ngrinte në qendër të Tiranës.

20. Sali Berisha e zhvarrosi Azem Hajdarin 15 vjet pas vrasjes dhe 7 vite pas pushtetit, duke e rivarrosur në varrezat e Dëshmorëve të Kombit.

 

Enver Hoxha, ja nderimet për Qemal Stafën

1. Enver Hoxha akuzohet se e çoi në pritë Qemal Stafën, duke e nisur me shërbim partie pas mbledhjes natën e 5 majit, duke i thënë se “duhej të nisej urgjent, për një takim partie në Vlorë”.

2. Enver Hoxha, bëri sikur nuk e dinte që Qemal Stafën e vranë në pritë përballë bazës ilegale të partisë, por deklaroi se “e njoftuan shokët e Partisë Komuniste për vrasjen”.

3. Enver Hoxha, sa mori vesh lajmin për vrasjen e Qemal Safës, filloi të derdhte lot pikëllimi për mikun e tij bashkë-luftëtarë të idealeve komuniste, të 8 nëntorit 1941.

4. Enver Hoxha, pas vrasjes së Qemal Stafës, mblodhi komunistët në librarinë “Flora” dhe deklaroi, se do të merrte hakun e Qemalit dhe se vrasësit e tij, do ta paguanin shtrenjtë.

5. Enver Hoxha, natën e vrasjes së Qemal Stafës, shkoi urgjent dhe vendosi lule të freskëta tek vendi, ku u ekzekutua Qemali, duke prekur e puthur tokën.

6. Enver Hoxha e ktheu ditën e varrimit të Qemal Stafës, në ditë dhe lëvizje proteste e atentatesh me bomba, kundër zyrave të pushtetit fashist.

7. Enver Hoxha, pas vrasjes së Qemalit, urdhëroi besnikët e tij të PKSH-së, që të bllokonin dhomën, ku punonte Qemali dhe të mos hynte askush atje, pa shkuar më parë ai.

8. Enver Hoxha e shpalli 5 Majin, ditën e vrasjes së Qemal Stafës, si ditën e ‘Dëshmorëve të Atdheut”.

9. Enver Hoxha, pas vrasjes së Qemal Stafës, i ngriti menjëherë këngë Qemal Stafës, me vargjet: Brenda në Tiranë/ Afër një spitali/ U vra Qemal Stafa/ Një trim nga të malit…

10. Enver Hoxha, pas vrasjes së Qemal Safës, deklaroi se i kishte humbur miku dhe bashkëpunëtori më i mirë, më i flaktë më i zjarrti i betejave për liri.

11. Enver Hoxha, pas vrasjes së Qemal Stafës, urdhëroi komunistët që t’i merrnin rrobat, ditarin, çantën dhe gjithë dokumentet sekrete të Qemal Stafës dhe t’ia çonin atij.

12. Enver Hoxha, pas vrasjes e shpalli Qemal Stafën “Hero i Popullit” dhe e varrosi në varrezat e “Dëshmorëve të Kombit”.

13. Enver Hoxha, në 40 vite sa ishte gjallë, shkonte çdo 5 Maj për vizitë “nderimi” e “përkujtimi” në familjen e Qemal Stafës.

14. Enver Hoxha urdhëroi të bëhej kujdes për familjen e Qemalit, që t’i krijoheshin gjithë kushtet dhe privilegjet e jetesës

15. Enver Hoxha, dha urdhër që gjithë familjarët dhe fisi i Qemalit, të trajtoheshin si familje heroi.

16. Enver Hoxha, sa herë shkruante kujtimet e luftës, tregonte për zgjuarsinë, guximin, pjekurinë dhe trimëritë e Qemal Stafës.

17. Enver Hoxha, në përkujtim dhe nderim të Qemalit, emërtoi disa sheshe, stadium, rrugë e shkolla me emrin “Qemal Stafa”.

18. Enver Hoxha, çdo 5 maj, prej 42 vitesh shkonte tek busti dhe varri i Qemal Stafës dhe vendoste lule të freskëta.

19. Enver Hoxha i ngriti bust Qemal Stafës, në vendin, ku u vra dhe në një shesh të Tiranës.

20. Enver Hoxha e zhvarrosi Qemal Stafën pas luftës, duke e rivarrosur në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit

Sali Berisha për vrasjen e Azem Hajdarit

 “…Sot, komunistët na vranë liderin e Dhjetorit, udhëheqësin e shquar të lëvizjes anti-komuniste studentore. Sot, na vranë mikun, shokun, bashkë-luftëtarin tonë trim, një prej figurave më të ndritura të PD, të lëvizjes demokratike, simbolin e lirisë. Sot, ndihem i pikëlluar, mbasi nuk kam më në krahë bashkë-luftëtarin dhe mikun tim të idealit, Azem Hajdarin, njeriun që më shumë se kushdo, i kushtoi gjithçka atdheut e demokracisë. Sot, më shumë se kurrë, duhet të mos ligështohemi, të mos dorëzohemi, por të mbahemi të fortë, të qëndrojmë të patrembur në betejën tonë anti-komuniste, për të sjell lirinë e vërtetë të shqiptarëve. Nderim për Azem Hajdarin, të cilin do të kujtojmë sa të jetë jeta ne dhe brezat që do vijnë pas nesh, sepse ai sakrifikoi rininë e tij, punoi, luftoi e u vra për lirinë tonë të përbashkët që gëzojmë sot”.

 Enver Hoxha për vrasjen e Qemal Stafës

Sot mësova për vrasjen e mikut dhe bashkë-luftëtarit tim të idealit, Qemal Stafa. Sot ndihem i pikëlluar në zemër, që dora fashiste na ndau prej nesh, prej luftës tonë për liri, mikun tonë të shtrenjtë të idealit, një nga udhëheqësit më të shquar të partisë, një nga luftëtarët e paepur të idealit komunist, që sakrifikoi dhe luftoi me devocion e heroizëm kundër fashizmit e tradhtarëve të vendit. Ne sot, po i japim lamtumirën e fundit shokut të idealit komunist. Sot, më shumë se kurrë, ne duhet të mbahemi të fortë, të qëndrojmë të patrembur në betejën tonë anti-fashiste, për të sjell lirinë e vërtetë të popullit. Nderim për Qemal Stafën, të cilin do të kujtojmë sa të jetë jeta ne dhe brezat që do vijnë pas nesh, sepse ai sakrifikoi rininë e tij, punoi, luftoi dhe u vra për lirinë tonë të përbashkët që gëzojmë sot.

 Përparim HALILI