Sot 16 vjet nga emisioni i parë i Bashkim Hoxhës “Koha për t’u zgjuar”

649
Sigal

Në vend të ziles së sahatit, sigla e emisionit të Bashkim Hoxhës, “Koha për t’u zgjuar”, i tregon të gjithëve, se ora 7:00 e mëngjesit, mban brenda melhemin, që u duhet njerëzve për të shëruar pasigurinë dhe për të gjetur, në trafikun e autostradës, gurin e kilometrazhit të shpresës. Të gjithë ata që kanë pësuar infarkt gjatë natës, kanë përfunduar në reaminacion, por shumica e atyre që ndodhen në mes të ngërçit shpirtëror, e kanë një foltore, ku të qetësojnë pulsin e tronditur. Disa thonë se duke mos qenë mjek, ai është kthyer në një psikolog që i bën psikoterapi shoqërisë shqiptare, por në thelb Bashkim Hoxha është më tepër se kaq. Ai është një pjesëtar i familjeve tona një mik, a një i afërt që vjen të dëgjojë hallin e secilit, ose të na thotë se çfarë hallesh përjetojnë të tjerët rreth e rrotull nesh. Bashkim Hoxha është një termometër që mat temperaturën e mjedisit shoqëror, por njëkohësisht ai është edhe një qetësues për zemrat. Sa herë që dikush e ka përgëzuar për këtë emision, ne e kemi mbështetur me zë të ulët, sa herë që dikush e ka pyetur për ndonjë problem, ne kemi mbajtur qetësi për të dëgjuar një mendim të mençur dhe sa herë që ndokush i mërzitur me veten e vet, ka lëshuar fyerje ndaj tij, ne kemi kafshuar buzën. Sot mbushen 16 vjet që “Koha për t’u zgjuar”, përzihet me pagjumësinë tonë, për të na kristalizuar, dyshimet, dilemat, apo paqartësitë tona të përjetshme. Ky emision karakterizohet nga urtësia dhe mençuria e pjesëmarrësve, por aty ka raste kur dëgjohen edhe sharje në adresë të politikanëve, apo kundërshtarëve politikë. Por duhet thënë se ky emision, nuk i “ndez” njerëzit për të sharë njëri-tjetrit, veçse përpiqet të ndezë një qiri, që secili të mund të gjejë rrugën e humbur, ose të paktën të shohë veten. Dhe kjo gjë na kujton postulatin e Nënë Terezës që thotë se: “Më mirë ndiz një qiri, se sa të shash errësirën”. Duke përsëritur porosinë e urtë që thotë se, “për një gjë që ka vlera të verifikuar, nuk ka nevojë të zgjatesh, sepse qëllimi humbet masën”, pra, për këtë arsye u detyrova të numëroj rreshtat, dhe pasi numërova 16 rreshta u tremba se mos isha zgjatur. Por ky merak më iku, pasi kujtova se ky emision ka 16 vjet që mbledh urime, të cilat verifikohen nga padurimi i njerëzve në pritje të “Kohës për t’u zgjuar”. Në fakt, kjo ndodh se megjithëqë shumica e qytetarëve kalojnë një pagjumësi klinike, ata kërkojnë të verifikojnë radioskopinë e gjykimit të tyre, duke e trembur nga fakti se ndofta jeta e tyre ka kaluar në gjumë. Dhe “Koha për t’u zgjuar”, është pikërisht, terapia më mirë për rritjen e besimit, nëpërmjet të vërtetës me të cilën parashtrohen ngjarjet e kaluara dhe pritshmëritë. Asnjë komision krijuesish, nëse do të mblidhet ndonjë ditë për të ndryshuar emrin e këtij emisioni, nuk do të gjejë dot, asnjë emër tjetër më qetësues dhe më tronditës se ky. “Ora për t’u zgjuar”, është koha që ndan në mes pagjumësinë e  natës, me shpresën, se së bashku me njerëz të tjerë, mund t’ia dalim.