Sondazhi: Ngacmimin moral, shqiptarët s’e njohin, atë seksual kanë frikë ta denoncojnë

539
Ngacmimi seksual në zyra, shqiptarët kanë frikë të tregojnë nga pasojat në familje

Punonjësit e administratës shqiptar, sipas një sondazhi nga Avokati i Popullit, në një pjesë të madhe kanë njohje të pakët lidhur me ngacmimin moral, por edhe janë ngurrues e kanë frikë të denoncojnë qoftë rastet e ngacmimeve morale, ashtu edhe të atyre seksuale.

Avokati i Popullit prezantoi sot studimin: “Ngacmimi moral dhe seksual në administratën publike”. Për realizimin e këtij studimi, Avokati i Popullit angazhoi ekspertë të specializuar.

“Ne duhet të hedhim dritë mbi këtë zonë gri të administratës publike, por edhe asaj private. Si çdo fenomen tjetër, përpara se ai të trajtohet ka nevojë të njihet, ” tha Avokati i Popullit, z. Igli Totozani.

Studimi i kryer nga Qendra LIST, (Legal Information and Study Team) realizoi një analizë krahasimore të kuadrit ligjor dhe institucional shqiptar dhe atij europian. Gjithashtu, ky fenomen u monitorua përmes një pyetësori pilot me punonjësit e administratës publike nëpër ministri, me qëllim krijimin e një pamje më të qartë për situatën reale të ngacmimit moral dhe seksual në administratën publike shqiptare.

Nga sondazhi rezultoi se një pjesë e madhe e punonjësve në administratë kanë njohje të ulët lidhur me ngacmimin moral, por edhe janë ngurrues e kanë frikë të denoncojnë qoftë rastet e ngacmimeve morale, ashtu edhe të atyre seksuale.

Studimi vëren se është shqetësues fakti se deri më tani jurisprudenca e gjykatave në këtë drejtim mungon pothuajse plotësisht. Rastet e ngacmimit seksual janë shumë të pakta, ndërsa ato të ngacmimit moral janë më tepër të lidhura me kërkesat për dëmshpërblim për dëmin moral ose jomaterial.

Aktualisht, legjislacioni shqiptar që trajton drejtpërdrejt çështjet e ngacmimit moral dhe seksual është i kufizuar vetëm në pak akte kryesore siç është Kodi i Punës apo ligji për nëpunësin civil. Mungesa e legjislacionit dytësor apo e atij që quhet “legjislacion i butë” mungon. Kodet e Etikës nëpër institucionet duhet të përmirësohen në këtë drejtim. Shtimi i rregullimit ligjor në akte të tjera dhe detajimi i tij do të kontribuojnë në rritjen e shkallës së njohjes ndaj fenomenit dhe përpjekjeve për parandalimin e tij. Në këtë drejtim, vlen të përmendet edhe mungesa totale dhe e theksuar e trajnimeve jo vetëm të punonjësve, por edhe të titullarëve të institucioneve dhe të institucioneve ligjzbatuese.

Ndërkohë që Kodi Penal nuk parashikon ndëshkim për ngacmimin moral, 70% e atyre që iu përgjigjën pyetësorit thanë se ngacmimi moral ndëshkohej nga Kodi Penal. Ky përfundim është tregues i shkallës së ulët të njohjes së situatës reale dhe dhënies së përgjigjeve nisur nga perceptimi dhe gjykimi me atë se si duhet të jetë. Po ashtu, përgjigjet se ngacmimi moral dhe seksual në administratë është në nivele të ulëta është jo vetëm haptazi në kontradiktë me perceptimin dhe përvojën në administratë, por është dhe tregues i ngurrimit dhe frikës për të denoncuar këto fenomene tek autoritetet garantuese dhe tregues i faktit të “dorëzimit” dhe “pranimit” të situatës dhe të viktimizimit.

Disa nga statistikat e pyetesorit tregojnë se:
Arsyet kryesore të cilat do të frenonin një punonjës administrate të mos e denonconte ngacmimin seksual dhe atë moral janë 1) pasojat që mund ti vijnë familjes (27.5%), 2) mungesa e besimit tek institucionet publike (20%) dhe 3) përhapja e opinionit të keq në publik (15%).

Forma më pak e suksesshme ka qenë ajo e zgjidhjes nëpërmjet rrugës gjyqësore me 7.5%.

42.55 deklarojnë se janë informuar nga media rreth ngacmimit moral, 17.5% nga bisedat me miqtë (17.5%) dhe vetëm 10% e të anketuarve deklarojnë se janë informuar nëpërmjet trajnimeve.

75% nuk kanë pasur një eksperiencë personale në lidhje me ngacmimin moral në 3 vitet e fundit. 7.5% janë ngacmuar çdo vit në 3 vitet e fundit dhe 17.5% e tyre deklarojnë se janë ngacmuar të paktën 1 herë për të njëjtën periudhë kohore.

Disa nga rekomandimet më të rëndësishme që propozohen nga studimi janë: 

• Neni 108/a “Ngacmimi seksual” në Kodin Penal duhet të ndryshohet me qëllim përfshirjen në të rasteve kur ngacmimi seksual ndodh prej punëdhënësit, eprorit, kolegut apo të tretit me të cilin viktima ka një status të veçantë varësie ose mes tyre ka një ndërveprim që rrjedh nga marrëdhëniet e punës.

• Në Kodin Penal duhet të shtohet një nen i veçantë për kriminalizimin e ngacmimit moral si kundërvajtje penale. Një pjesë e mirë e vendeve evropiane e kanë përfshirë ngacmimin moral në kodet e tyre penale.

• Sigurimi i statistikave në rang kombëtar, do të ishte një indikator mjaft i vlefshëm, në vlerësimin e shtrirjes së këtyre fenomeneve dhe për adresimin sa më të plotë të tyre si në legjislacion ashtu dhe në politikbërje.

• Duhet të rritet ndërgjegjësimi dhe njohja e ngacmimit moral dhe atij seksual në të gjitha institucionet qendrore dhe lokale. Ndërtimi i një kulture të respektit në vendin e punës është shumë i rëndësishëm. Ndërgjegjësimi dhe njohja e koncepteve, si dhe njohuritë mbi ngacmimin moral dhe atë seksual, ndryshojnë në mënyrë të konsiderueshme, në shkallë kombëtare dhe atë lokale, në institucionet qendrore dhe ato lokale dhe e njëjta gjë vlen të theksohet dhe për gjykatat.

• Të trajnohen gjyqtarët, prokurorët dhe avokatët për zbatimin e parimit të barazisë si dhe specifikisht për rastet e ngacmimit moral dhe atij seksual.Njohja e thellë e legjislacionit në këtë fushë po dhe e praktikave gjyqësore evropiane në këtë aspekt, do t’i shërbente zbatimit më mirë të këtij legjislacioni në Shqipëri.
Sigal