Sondazhi me bizneset, 70% nuk kanë mundësi të paguajnë

618
Çfarë me detyrimet e prapambetura ndaj organeve tatimore, ku përfshihen sigurimet dhe taksat e bashkisë 
Drejtoria e Tatimeve ka nisur një fushatë për mbledhjen e detyrimeve të prapambetura nga subjektet debitore, por pjesa më e madhe e tyre shprehen të paaftë për të paguar. Qendra e Kërkimeve “Monitor” realizoi një sondazh me subjektet që rezultojnë debitorë tek tatimet. Në dy sondazhet e para janë anketuar subjektet që kishim mbyllur aktivitetin dhe kishin kaluar në status pasiv dhe rreth 70% e tyre deklaruan si arsye kryesore krizën. Pothuajse i njëjti nivel biznesesh debitore ka deklaruar edhe pamundësinë për të shlyer detyrimet. Vetëm gjysma e subjekteve të kontaktuara ishin në dijeni të detyrimit që kishin ndaj tatimeve, 27% e subjekteve të intervistuara nuk kishin në dijeni që kishin ndonjë detyrim, ndërsa 23% e subjekteve nuk kanë të sakta të dhënat në ekstraktin e shkarkuar nga Qendra Kombëtare e Biznesit (ndonëse u konstatua që shumë prej tyre kishin urdhra bllokimi). Disa ishin subjekte në pronësi të shtetasve italianë, për të cilët nuk ka më informacion se ku ndodhen, ndërsa disa të tjerë ishin larguar fare nga vendi. Sipas rezultateve të sondazhit, pamundësia ishte arsyeja e mospagimit të detyrimit për 70% të subjekteve debitorë, 10% e tyre deklaruan se ishin në proces gjyqësor ose në proces ankimi te tatimet dhe 20% refuzojnë që të paguajnë borxhin dhe të japin arsye për mospagimin e detyrimeve. Të dhënat e sondazhit janë në një linjë me atë të dy anketimeve të mëparshme të “Monitor”, ku 70% e subjekteve që mbylleshin pranuan se arsyeja kryesore ishte rënia e shitjeve si pasojë e krizës, ose shtimit të konkurrencës. Sipas pas të dhënave zyrtare të Drejtorisë së Tatimeve, detyrimi aktual i subjekteve me barrë hipotekore, që bizneset i kanë shtetit, është 78 miliardë lekë. Peshën më të madhe në vlerën e detyrimeve e zënë subjektet e Drejtorisë Rajonale të Tatimpaguesve të Mëdhenj, 38%, më pas vjen Drejtoria e Tiranës, e cila në fakt ka një numër absolutisht më të madh të tatimpaguesve, me 35,6%, Durrësi rreth 5%. Sipas të dhënave të fundit të Tatimeve, nga procesi aktual i fshirjes së detyrimeve të prapambetura, janë 14,6 miliardë lekë detyrime të prapambetura e të falura, të krijuara para vitit 2010 (sipas ligjit të faljes, detyrimet deri në vitin 2010 fshihen pa kushte 100%), ku rreth 37% e tyre janë administruar në Drejtorinë Rajonale Tatimore të Tiranës. Nga lista me 18,540 subjekte debitorë e publikuar nga Tatimet, u anketua, me përzgjedhje rastësore një kampion prej 180 biznesesh, të cilët u pyetën mbi llojin e detyrimit që kishin, arsyen përse nuk ishte paguar detyrimi dhe në rast se kishin mundësi ta paguanin atë në një periudhë të afërt. Subjektet e anketuara ishin nga të gjitha rrethet në bazë të peshës përkatëse të subjekteve debitorë. Në anketim nuk u përfshinë subjektet tatimpaguese të mëdha, të ashtuquajtura biznese VIP.
Sigal