Sokol Hysenaj/ Mallakastra e harruar

1348
Sigal

Sokol Hysenaj


Mallakastra me një kurorë të blertë
ullinjësh zbukuron supet e hajshëm të kodrave. Vjosa si një gjerdan i kaltër
gufohet nëpër gjoksin e saj.Por sot Mallakastra e varfër krenohet veç me të
kaluarën e saj. Ndonse kjo krahinë ka bukuri natyrore dhe pasuri të mëdha nëntokësore,
të rinjtë nuk shohin asnjë shpresë aty, duke marrë rrugët e ftohta të kurbetit.
I dhimbshëm ka qënë dhe eksodi i fundit i të rinjve drejtë Gjermanisë.E
fshatrat e Mallakastrës sot janë të rrudhur dhe plakur. Nëpër rrugët e tyre dëgjohet
veç tështima e thatë e pleqve. Nëpër shkollat e fshatrave bangat e nxënësve
rrallohen për ditë. Hemoragjia e emigrimit po e rrudh këtë krahinë të lashtë, të
harruar edhe nga “perënditë”
  që qëndrojnë
lartë mbi fronin e pushtetit. Mallakastra është një krahinë e lashtë dhe duket
sikur ka ardhur në jetë bashkë me njeriun.Emri i saj ka ardhur nga kështjella e
Mylit, aty janë prerë dhe monedhat e para nga mbreti Monon. Disa intelektualë në
Mallakastër mendojnë se emri i saj ka ardhur nga togfjalshi latin mela kastela
(kështjellë e keqe).Në supin e një kodre ndodhet dhe qyteti antik i Bylisit. Ndryshe
nga Apolonia dhe Durrahu që janë ndërtuar sipas modeleve të qyteteve greke,
Bylisi ka një arkitekturë ilire. Ky qytet i lashtë është i njohur për teatrin
dhe për katër bazilikat e tij që janë më të njohurat në Mesdhe. Gjatë muajve të
verës shumë turistë të huaj shkojnë në Bylis, të grishur nga kurioziteti për të
parë bazilikat e tij, që janë të mrekullueshme, ndonse të harruara. Rruga deri
në Bylis është tej e amortizuar nga gropat dhe e ngushte. Nëpër gropat e
korrupsionit janë tretur fondet e shumta që hidheshin për këtë rrugë të rëndësishme,
që do të gjeneronte turizmin në Mallakastër. Mbi muret e lashtë harliset bari
dhe kullosin bagëtia. Askush nuk kujdeset për muret e lashtë që kërrysen çdo
ditë dhe ngadalë po shkojnë drejtë degradimit. Dhe askujt
 nuk i krijohet një rrudhë trishtimi për këtë
kulturë shekullore, që humbet nën mjegullat e këtij trazicioni të gjatë, që gërryen
vendin.

Në Grykën e Poçemit është rënë dakort me
një firmë turke për ndërtimin e një HEC-i.Uji I HEC-ve do të  mbyste bukurinë dhe historinë e Mallakastrës.
Aty në Grykën e Poçemit, nën hijen e rrepeve shekullor,  janë mbledhur tre kuvende të mëdha.Kuvendi i
parë i thirrur prej Rrapo Hekalit, ku u lidh besa që djemtë të mos shkonin
nizamë nëpër shkretëtirat e Anadollit, dhe të mos i paguanin haraç turkut. Mallakastra
asqerëve të turkut iu përgjigj me krisma dyfekësh dhe jataganësh.

Besëlidhja e dytë që u mbajt në Poçem
ishte Lufta heroike e Vlorës. Mallakastra iu përgjigj burrërisht thirrjes:”Çdo
shtëpi një luftëtar dhe çdo luftëtar një pushkë”. Shumë burra mallakastriot
derdhën gjakun e tyre për të siellë agimin e kuq të lirisë.

Besëlidhja e tretë u lidh kundër
fashizmit, që i kishte zënë frymën vendit. Mizoria fashiste shkrumboi çdo shtëpi
të Mallakastrës, por nuk vrau shpirtin e saj të lirë. Nga prushi i trarëve të
shtëpive të djegura, lufta për liri e kësaj krahine u bë më e zjarrtë. Ashtu si
dje lufta digjte shtëpitë,sot varfëria djeg shpirtrat e mallakastriotëve. Me
mijra djem kanë marrë rrugët e ftohta të kurbetit. Eksodi i fundit i rrudhi
edhe më tepër vatrat mallakastriote. Nëpër sokake ka humbur zëri i të rinjve,
dhe dëgjohet  veç çak-çuku i bastuneve të
pleqve. Tashmë projekti i qeverisë për ndërtimin e HEC-it në Grykën e Poçemit,
veç historisë do të përmbyti dhe një tokë tepër pjellore, siç është Lugina e
Vjosës. Do të largoj nga vatrat e familjeve dhe ato pak të ardhura që sillte
bujqësia. Do të mbyste parcelat e ullinjve, apo pemëve të tjera frutore, e lumi
do të gllabëronte mundin e viteve të familjeve të varfra mallakastriote. E
dallga e lumit do ti përmbyti fushat e Mallakastrës, duke e bërë jetën edhe më
të vështirë.. Sot qeveria hesht, ashtu si një vit më parë për uzinën e naftës që
me mushkritë e saj të fuqishme mbante ekonominë e vendit në këmbë. Ndërsa sot,
kjo uzinë, nuk ka frymë të mbaj as veten e saj në këmbë. Korrupsioni dhe
keqmenaxhim breu ngadalë kullat e hekurta të kësaj uzine. Nëntoka
mallakastriote gëlon nga lumenj nafte, ndërsa fëmijtë e uritur brejnë koret e
thata të bukës. Ballshi deri dje qyteti i naftëtarëve, sot e mbulon trishtimi i
zymtë i varfërisë. Këta naftëtar, që kanë rrëmbyer nga gjijtë e thellë të tokës
mallakastriote me mijra tonelata naftë, duke i përpunuar në uzinën e naftës në
Ballsh, sot ushqimet i marrin me listë, pasi kjo uzinë që prej një viti ka rënë
në kllapi. Nuk ka një recetë qeverie që këtë uzinë ta ngrehi në këmbë, që
mushkritë e saj të mbajnë vetëveten, dhe qytetin e vogël të Ballshit. Qyteti
dhe uzina u rritën si binjakë dhe kur tështin njeri, dhimbje ndjen dhe tjetri. E
sot ajo uzinë gjigande hesht dhe mbi kullat e saj nuk del tym e aty
vertiten  shpend të zezë. E ndryshku i
harresës me dhëmbët e tij të mprehtë kafshon këtë uzinë dhe qytetin e vogël të
naftëtarëve. Dhe harrimi ndjellë varfërinë, që po brenë shpirtrat e
mallakastriotëve. Por Mallakastra diti të buis nga trarët e djegur të shtëpive
bisqet e jetës. Diti që pas çdo rrënimi të gëlojë nga sythet e jetës, e tillë
ka qënë Mallakastra dhe kështu e duam dhe sot. Pas harrimit çerek shekullor,
ajo do të ngrihet më e bukur dhe më e begatë. Dora e mallakastriotit dhe natyra
përherë e kanë përkëdhelur këtë krahinë të bukur dhe të begatë.