Sofie, Gjiknuri: Siguri energjetike përmes diversifikimit të burimeve

636
Në cilësinë e drejtuesit të radhës së Presidencës së Komunitetit të Energjisë, në konferencën me temë “Siguria dhe infrastruktura energjitike në Evropën Jug-Lindore” në Sofie, Ministri Gjiknuri në fjalën e tij u ndal tek nevoja për diversifikimin e burimeve energjitike si rruga më e mirë për të garantuar sigurinë energjitike.
Gjiknuri insistoi se tanimë të gjitha vendet e Evropës Jug-Lindore po i kushtojnë vëmendje forcimit të lidhjeve të interkonjeksionit midis tyre për të maksimalizuar shkëmbimet e energjisë.
Në këtë linjë, Gjiknuri tha se Shqipëria e ka funksionale linjën e interkonjeksionit me Malin e Zi dhe Greqinë ndërsa vitin e ardhshëm përfundon linja e transmetimit me Kosovën. Ministri sqaroi se Shqipëria e ka garantuar mbështetjen financiare për ndërtimin edhe të linjës së interkonjeksionit me Maqedoninë çka rrit potencialisht mundësitë për shkëmbime edhe me tregun bullgar të energjisë.
Kjo linjë, deklaroi ministri, sipas parashikimeve të qeverisë shqiptare pritet që të mund të fillojë vitin e ardhshëm. “Një rrjet interkonjeksioni i plotë mes vendeve tona do të thotë mundësi më të mëdha për të ndërvepruar, si nga kompanitë publike ashtu edhe investitorët privatë në fushën e energjisë. E gjitha kjo do të kontribuojë padyshim në objektivin primar të sigurisë energjitike”, nënvizoi ministri. 
Në këtë kontekst, Ministri tha se shihet me shumë interes krijimi i kushteve për funksionimin e Tregut të përbashkët rajonal të Energjisë, duke kthyer në sinergji burimet diverse të vendeve partnere.
“Për efekt të hapësirës së vogël të tregjeve dhe fragmentarizimit ekonomik, tregu i përbashkët jo vetëm që rrit sigurinë energjitike, por ofron dhe çmime më të favorshme per konsumatorët”,- vlerësoi Gjiknuri.
Ministri u ndal edhe tek Projekti TAP i cili i jep Shqipërisë një rol të ri të rëndësishem rajonal në sektorin e energjisë, krijon sinergji pozitive ndërmjet Lindjes së Mesme dhe Europës, ndërmjet Kaspikut dhe Adriatikut.
Shqipëria, tha ministri, është duke përgatitur me konsulentë dhe me investime të Bashkimit Evropian, Masterplanin e Gazit, i cili përfundon në 2016. Synohet që një pjesë e gazit të shkojë për prodhimin e energjisë elektrike, duke përbërë një burim bazë, që i kombinuar me rezervuarët e mëdha hidro që ne i kemi, të garantojë një siguri më të madhe energjetike.
Duke lidhur projektin e gazsjellësit TAP me atë të gazsjellësit IAP, krijohen mundësi të reja investimesh në Ballkanin Perëndimor, në linjë edhe me Planin e veprimeve të Diplomacisë Energjitikë të Bashkimit Evropian, për forcimin e diversifikimit të burimeve dhe të infrastrukturës energjitike.
Gjatë konferencës, ministri Gjiknuri zhvilloi takime me zv.presidentin e Komisionit Evropian, Ministrin e Jashtem dhe Ministren e Energjise së Bullgarisë. 
Sigal