Sofia Dini në Greqi 70 vjet, duke kërkuar motrën e saj Angjeliqin në Ersekë

772
Albert Zholi

(Një rrëfim i rrallë i vitit 1997 që e ruaja në ditarin tim) 
Në qendër të Athinës është një klinikë ORL që mban emrin e zotit Themistokli Karas. Edhe pse tepër e kushtueshme në këtë klinikë u është dashur të vizitohen edhe shumë shqiptarë. Në sajë të humanizmit të pronarit të saj dhe të mjekëve të tij, shpesh, shqiptarët paguajnë vetëm diçka simbolike. Një ditë kur shkova aty, së toku me një shok për të takuar një mjek, hymë në bisedë me një grua, e cila ishte me sa dukej ishte pastruese në klinikë. Sa e pyetëm për mjekun që kërkonim, ajo buzëqeshi dhe na njohu që ishim shqiptarë.

– Flasim më mirë shqip, djem, -tha ajo befas shkoqur.
U emocionuam. E harruam mjekun për të cilin kishim vajtur. U ulëm diku në njërën nga stolat e korridorit të gjatë dhe pranuam të bisedonim me gruan për një hall, të cilin ajo donte të na e bënte të njohur. Shkurt na u prezantua.

-Jam nga fshati Plikat i Konicës, o djem, – tha ajo me atë toskërishte të atyre anëve, por që koha e kishte gërryer disi, – në fshatin tonë më shumë se gjysma flisnin shqip. Mbas shtëpisë sonë ishte ngjitur shtëpia e një shqiptari. Ngaqë ai ishte shumë shakaxhi na detyronte edhe ne të flisnim shqip. Në shtëpinë tonë bëheshim shumë fëmijë. Më e madhja e motrave ishte Angjeliqia, e cila në vitet e fundit të Luftës II Botërore duhej të ishte 16-17 vjeç. Aso kohe vinte në fshatin tonë një tregtar nga Erseka. Ai kishte shumë miq atje. Tregojnë se ai ra në dashuri me motrën tonë. E tregojnë simpatik e të zgjuar. Them e tregojnë, sepse unë isha i vogël, as 8 vjeç dhe nuk i mbaj mend shumë. Por as motrën nuk e mbaj mend mirë. Në verën e vitit 1944 tregtari martohet pa dasmë me motrën tonë dhe ikën për në Ersekë. Siç e dini pas Luftës Dytë Botërore në Greqi plasi lufta civile. Në këto kohë në fshatin tonë u luftua më shumë se gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në pamundësi për të jetuar aty prindërit e mi vendosën të shpërnguleshin në Rumani ku kishin ca të njohur. Ishte fundi i vitit 1947. Sapo i kisha kaluar të njëmbëdhjetat. U vendosëm në periferi të Bukureshtit ku kishte edhe shume grekë të tjerë, por edhe shumë shqiptarë. Pra nuk e ndjenim veten fare të huaj. Aty unë u martova me një bashkatdhetarin tim grek. Aty jetuam 40 vjet. Fillimisht punova në një fabrikë çorapesh dhe më pas, rreth 20 vjet, në një fabrikë sapuni. Edhe në Rumani, si kudo në vendet socialiste punuam dhe nuk jetuam keq. Por e keqja e atyre sistemeve ishte se të linin me gisht në gojë, pa asnjë pasuri. Më 1988 bëmë dokumentet për t’u riatdhesuar në Greqi. U çuditëm shumë që nuk na sollën asnjë pengesë. Këtu natyrisht qe ndryshe. Ndoshta ata 40 vjet po t’i kisha kaluar këtu nuk do të isha tanimë pastruese. Por jam e kënaqur nga zoti Karas, pronari ynë, por edhe nga doktorët. Zonja Sofia Dini, sepse kështu e quanin gruan, heshti papritur dhe u përlot. Ishte aq e beftë heshtja e saj sa ne vështruam njëri-tjetrin.

-Ju vini nga Shkodra, sikundër kam ardhur unë nga Rumania,-filloi të fliste vrullshëm, por unë hapur dua t’ju bëj një kërkesë. Mbase do të mund të më ndihmoni që Angjeliqia ime e mirë të mësojë se unë tanimë jam në Athinë, e jo në Bukuresht, e të vijë të më takojë. E kam amanet nga babai. Sepse ai mbylli sytë dhe nuk e pa më kurrë Angjeliqinë. Ju shqiptarët thoni një fjalë të madhe: “Guri tretet, amaneti mbetet”!

Nuk mund të mos përloteshim edhe ne. Pastaj në intimitet na tregoi se sa merte vesh, që hallexhinjtë, të cilët hynin në klinikë ishin shqiptarë, i ndihmonte me sa mundte, por hallin e saj po e zbrazte për herë të parë. Nuk dija se si ta mbaja atë premtim. Megjithatë thashë me vrull se mund të shkruaja në një gazetë shqiptare dhe lajmi do të merrej vesh.

-Shkruaje në “Zëri i popullit”, – tha prapë aq sa na habiti.
-Zakonisht shkruaj në gazeta të pavarura, – thashë unë të vërtetën, sepse deri atëherë nuk kisha shkruar në Z.P.
-Po ti shkele njëherë, sepse unë e di se ajo gazetë është më e dëgjuara në Shqipëri, nguli këmbë.

-Mbase nuk të qortojnë për një amanet të një gruaje të thjeshtë që kërkon motrën e saj! Nuk jam mirë ekonomikisht, shtoi,- pa do të hidhesha vetë ndonjë ditë deri në Ersekë e ta kërkoja, tani që u hapën rrugët.

Ajo tha “do të hidhesha deri në Ersekë”sikur të bëhej fjalë për të udhëtuar deri në qytet aty pranë. Në të vërtetë fare pranë jemi, më shkrepi në kokë, por politikanët na kanë larguar aq shumë. I premtova se do të bëja gjithçka për të gjetur motrën e saj. Edhe këto rreshta janë për atë grua të thjeshtë që nuk e di, nëse jeton sot. Janë pas kaq vitesh edhe për Angjeliqi Thanasin motrën e saj, që ajo e donte aq shumë.


Sigal