Sociologu i njohur, Anthony Gidens, sot në Tiranë

709
Sigal

Një ndër personalitetet më të shquara dhe më të respektuara të shkencës sociale në kohën e sotme dhe Anëtar Nderi i Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave, Lord Anthony Giddens ka ardhur dje në Tiranë. Universiteti Europian i Tiranës e nderon atë me titullin Doctor Honoris Causa sot, më 8 prill. Po sot në mbrëmje, Lordit Giddens i dorëzohet Diploma si Anëtar Nderi i Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave nga Presidenca e saj. Ceremonia që do zhvillohet për dorëzimin e titullit Doctor Honoris Causa Lordit Giddens, do të mbahet në Hotel Tirana International, sot në ora 18:00, me ç’rast edhe do të promovohet botimi në gjuhën

shqipe i librit të Giddens-it “Pasojat e Modernitetit”. Profesor i sociologjisë në një sërë universitetesh nga më të njohurat në Britaninë e Madhe (përfshirë edhe Cambridge University), në Kanada (Simon Fraser University) dhe në Shtetet e Bashkuara (University of California, Los Angeles), Giddens ka qenë Drejtor i London School of Economics and Political Science nga viti 1997 deri më 2003. Pas kesaj kohe ai shërbeu si këshilltar i Kryeministrit britanik Tony Blair. Sot, Giddens është anëtar i Dhomës së Lordëve në Parlamentin anglez. Anthony Giddens është anëtar i Akademisë Amerikane të Arteve dhe Shkencave, anëtar i Akademisë Ruse së Shkencave dhe anëtar për jetë i King’s College në Cambridge. Giddens është nderuar me Çmimin prestigjioz
“Princi i Asturias” për shkencat sociale, i njohur edhe si “Çmimi Nobel Spanjoll”. Ai është zgjedhur gjithashtu anëtar nderi i Akademisë Kineze të Shkencave Sociale dhe shumë akademive të tjera në vende të ndryshme, si edhe është nderuar me shumë tituj nderi nga universiteteve të ndryshme të botës. Ky është një rast i mirëpritur për të shtrënguar duart dhe për të shkëmbyer
një bisedë të shkurtër me këtë personalitet të shquar, më të cituarin ndër të gjithë teoricienët socialë në kohën tonë, të cilin kemi nderin ta kemi edhe anëtar të Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave. Fjala që Giddens do të mbajë me këtë rast titullohet: “Off the edges of history: the world in the 21st century”