Socialistët e Kuçovës i kërkojnë Dokles të mbajë premtimin për zgjedhjen e kryetarit

556
Sigal

Partia Socialiste e rrethit Kuçovë ka dy vjet pa kryetar partie. Rebelohen përkrahësit e kësaj force politike

Në rrethin e Kuçovës po zhvillohen analizat e organizatave të Partisë Socialiste, ku i ngarkuar nga Asambleja Qendrore është caktuar si koordinator i Qarkut të Beratit, Namik Dokle. Dokle po zhvillon mbledhjet në këtë rreth pas analizave të kryera të 47 organizatave të Partisë Socialiste, që janë në rrethin e Kuçovës, ku realisht kanë dalë shumë probleme. Problemi kryesor që shqetëson socialistët e Kuçovës është moszgjidhja e kryetarit të Partisë Socialiste të rrethit, ku kjo parti ka rreth dy vjet që është pa kryetar.

Analiza

Në të gjitha analizat që janë kryer në 47 organizatat e këtij rrethi, kryefjala e parë ka qenë pse nuk zgjidhet kryetari? Kush i trembet zgjedhjes së kryetarit të partisë? Shumë anëtarë të PS-së në Kuçovë i kanë kërkuar të deleguarit Namik Dokle që të mbaj premtimet e dhëna para anëtarëve të partisë të këtyre organizatave, ku ai iu ka premtuar disa muaj më parë se sapo të përfundojë konferenca e partisë në Komunën e Kozare, do të zgjidhnin kryetarin e Partisë Socialiste të rrethit Kuçovë. Nga ky premtim ka kaluar një kohë e gjatë dhe Namik Dokle nuk e ka mbajtur fjalën e dhënë kuçovarëve. Anëtarët e Partisë Socialiste, të cilët në analizat e kryera nëpër organizata janë shprehur në prezencë të të deleguarit, Dokle, se, pse nguroni ju zotërinj të asamblesë në qendër për zgjidhjen e kryetarit të partisë? Kujt i prishet interesi i zgjedhjes të kryetarit të ri të Partisë Socialiste? Mos është monopoli i një grushti njerëzish që kësaj partie i kanë zënë fytin dhe i kanë bllokuar frymëmarrjen? Ne, socialistët e Kuçovës, ju bëjmë thirrje ju zoti Dokle dhe drejtuesve të lartë të Partisë Socialiste në qendër, që të mos luani me ndjenjat tona partiake se do të ndëshkoheni shumë rëndë!

Bindjet

Një grup socialistësh të organizatave të rrethit Kuçovë janë shprehur të irrituar për “Telegraf”, se “Dihet se qyteti Kuçovës është bastioni i së majtës, por mbi të gjitha nuk është bastioni i mashtrimeve dhe gënjeshtrave. Ne i kuptojmë të gjitha intrigat që po luajnë me ne. Por ne nuk do të lejomë një mashtrim të tillë për të ruajtur konfliktet e interesave të disa individëve në Kuçovë”, thanë socialistët. Një kryetar i emëruar nuk e luan dot rolin e kryetarit të zgjedhur nga vota e asamblesë të kësaj partie. Ne bëjmë pyetje zotërinjve të qendrës të Partisë Socialiste se çfarë ndryshimi ka kryetari i emëruar nga kryetari i zgjedhur më votën e socialistëve dhe të asamblesë të kësaj partie në Kuçovë?