Socialistët e Beratit: Do t’i kërkojmë Ramës të hetojë punonjësit në ikje!

70

Anëtarët e Kryesisë së PS-së në këtë qark: Nuk jemi për hakmarrje politike, por PD-ja të detyron të veprosh kështu

Muaji shtator do të shkaktojë një ‘furtunë’ të madhe në të gjitha institucionet shtetërore që aktualisht drejtohen nga punonjësit apo simpatizantët e Partisë Demokratike, pasi 20 për qindëshi që kishte LSI u hoqën nga puna pas ‘divorcit’ që bëri LSI me këtë forcë të djathtë politike. Në Berat janë 30 institucione që drejtohen nga të djathtët dhe tashmë me fitoren e së majtës punonjësve u kanë filluar të ‘dridhurat’. Por dihet që rotacioni i ka këto ndryshime. Ne jetojmë në një vend, ku edhe sanitarja hiqet nga puna, për shkak të bindjeve politike. Disa anëtarë të Kryesisë së Partisë Socialiste në Berat janë shprehur se ata nuk janë për hakmarrje politike, por në të tilla kushte janë të detyruar, sepse drejtuesit e PD-së pa mëshirë kanë hequr nga puna edhe persona, të cilët kanë qenë njerëz hallexhinj dhe vetëm pse janë simpatizantë të PS-së. Sipas tyre, në rrugë janë hedhur që nga pastruesja e deri tek specialistët të përgatitur që punonin në polici apo në institucionet e tjera shtetërore. Anëtarët e kryesisë së PS-së thonë se u flakën në rrugë njerëz të arsimuar dhe u morën nga rruga dhe u bën drejtorë persona, të cilët ishin simpatizantë të PD-së.

Gjendja

Disa anëtarë të PS-së u shprehën ekskluzivisht për gazetën se ata nuk do të përsërisin gabimet e bëra nga Qeveria “Berisha”. “Ne do të vendosim nëpër institucionet kryesore të shtetit, jo simpatizantët që nuk janë në nivelet e nevojshme që t’i përgjigjen kërkesave të punës, por do të vendosim kuadro të specializuar dhe me nivel të lartë. Ata do ta kryejnë me profesionalizëm detyrën dhe do të vendosin në vend prestigjin që ia kanë hequr ish-qeveritarët e qeverisë “Berisha”. Sigurisht, edhe simpatizantët do të vendosen nëpër vendet e punës sipas nivelit dhe arsimit përkatës që ata kanë. Ne nuk do të vendosim kuadro që kanë marrë diploma false apo me lekë, si bënë ata që tani po i thonë lamtumirë këtyre institucioneve”, thanë anëtarët e PS-së. Shumë ndërmarrje apo institucione që sot ka Qarku i Beratit, i dinë mirë se kush janë specialist dhe drejtues të mirëfilltë që të rehabilitohen përsëri se për efekt të bindjeve të tyre politike ata i flakën në rrugë.

Kërkesa

Një grup socialistësh u shprehën se ata do t’i kërkojnë Ramës që të hetojnë të gjithë punonjësit në ikje për abuzimet që kanë bërë me detyrën dhe korrupsionet e kryera. “Abuzimet e tyre i di edhe komuniteti, i cili ishte i pafuqishëm që të bënte denoncimin e këtyre përfituesve. Gjithsesi, kjo qeveri e re që doli nga votat e populli duhet të mbajë premtimet e dhënë në fushatën elektorale, që të gjitha ata që kanë abuzuar me pasurin e popullit të dalin para ligjit. Edhe ata që janë hequr për efekt bindjesh të rikthehen nëpër detyrat apo funksionet që kanë patur”, u shprehën socialistët.