Socialistët beratas: Nuk duam deputetë të importuar nga jashtë!

584
Sigal

Flet për “Telegraf” anëtari i asamblesë, Luan Spathara: “Kërkojmë që qendra të marrë parasysh kërkesat tona”

Në mbledhjet e ndryshme që kanë kryer socialistët e Beratit shprehja dominuese ka qenë se, nuk duan deputetë të importuar nga jashtë, por i duan nga Berati. Kjo për të vetmen arsye se të gjithë deputetët që kanë marrë votat në këtë qytet nuk kanë bërë asgjë dhe për këtë shkak Berati ndodhet sot ‘në pikë të hallit’. Qytetarët ndihen të braktisur nga qeveritarët dhe deputetët e të gjitha kaheve politike. Anëtari i asamblesë, Luan Spathara tha për “Telegraf” se, Berati ka një numër të madh intelektualësh, të cilët mund të kontribuojnë për këtë qytet muze. “Ne kërkojmë që deputetët t’i kemi nga qyteti jonë, sepse vetëm ata i dinë hallet e qytetarëve, që sot ndodhen në ‘kthetrat’ e varfërisë ekstreme dhe të papunë. Partia Socialiste që të ketë sukses në Berat duhet të vendosi kandidatura nga Berati, pasi vetëm beratasve u vjen keq për qytetin e tyre dhe banorët e tij”, -tha Spathara. Të njëjtin mendim me Spatharën ndajnë edhe disa kryetarë organizatash si: Arben Tartari e Bashkim Çela.  Anëtari i Asamblesë, Luan Spathara u shpreh: “Për të thithur sa më shumë vota, ne duhet të vendosim si kandidat për deputetë intelektualë me reputacion dhe të përgatitur në të gjitha sferat e jetës, që me aftësitë e tyre intelektuale do t’i kthejnë shpresat banorëve të këtij qyteti, të cilët e kanë humbur shumë besimin tek deputetët e importuar nga Tirana. Deputetët e Tiranës lë kandidojnë në qytetin e tyre dhe të fitojnë atje, sepse në Berat ne kërkojmë që të kandidojnë intelektualët e Beratit”,- tha Spathara.

Sugjerimi

Një grup socialistësh, kryetarët e organizatave në bazë dhe anëtarët e Asamblesë janë shprehur se një nga figurat më të spikatura për të kandiduar si deputet në Berat është Stavri Boba, ish-ushtarak, që sot është drejtor i Filialit për Parandalimin e Krimit në Shoqëri në Qarkun e Beratit. Si z. Boba ka edhe shumë intelektualë të tjerë, të cilët meritojnë të kalohen në vëmendjen e kryetarit. Ne kërkojmë që qendra lartë të marri parasysh kërkesat tona, këtu në bazë, thanë socialistët beratas. “Ne kemi 20 vjet që votojmë për të majtën dhe jemi krenar për atë që kemi bërë, por tashmë ne po vuajmë pasoja e atyre votave, pasi qyteti i Beratit vuan nga mungesa e infrastrukturës. Varfëria ka arritur kulmin. Papunësia është në shifra alarmante. Rajoni jonë nuk ka asnjë strategji zhvillimi që të nxjerrë nga kjo situatë qarkun është më i varfri në shkallë vendi. Një deputetë i dal nga qyteti i Beratit është biri i këtij qyteti dhe jam i bindur se do të punojë më shumë se ata deputetët e importuar nga Tirana. Deputeti që mund të dali nga gjiri jonë do t’i qajë më shumë hallet me qytetarin dhe mbi të gjitha do të takohen më shpesh. E them këtë, pasi deputetët që kemi tani fytyrën vetëm në zgjedhje ua kemi parë”, tha Spathara.