SMS-t: Shqiptari që u vra nga ISIS ishte zhgënjyer nga xhihadi

163
Vritet nga ISIS xhihadisti shqiptar në Siri

“Bris, aty je se s’mundem të flas me zë. Ervini nuk është më. Ka shku…Ka vdek. E vdekur jam edhe unë”!
Mesazhi i nisur nga një kamp lufte në Siri mbërriti mëngjesin e 4 prillit në telefonin e Brisilda Hasanajt dhe tronditi jetën e saj. Vajza 20 vjeçare, emigrante në Greqi e pati të vështirë të besonte se vëllai i vetëm nuk jetonte më.
“Isha e para që mësova nga kunata ime se vëllai ishte vrarë në Siri. Ajo ka mbetur tani atje, bashkë me dy vajzat e vogla,” thotë Brisilda Hasanaj për BIRN.
Ervin Hasanaj, i identifikuar nga autoritetet shqiptare si një nga 90 xhihadistët shqiptarë në konfliktin sirian është vrarë mbrëmjen e 1 prillit, në rrethana ende të paqarta zyrtarisht. 24 vjeçari ndodhej prej 3 vitesh në Siri bashkë me të shoqen, Nexhmijen dhe dy vajzat e mitura, ndërsa mendohet se luftonte përkrah militantëve të Shtetit Islamik.
Hasanaj është shqiptari i 13 që ka humbur jetën në Siri, por ndryshe nga të tjerët, ai u ndëshkua se u zhgënjye nga xhihadi.
Një burim konfidencial i tha BIRN se dyshohet që 24 vjeçari të jetë vrarë nga vëllezërit e tij myslimanë të Shtetit Islamik. “Dyshojmë se ai ka refuzuar të përfshihej në luftë, ndaj edhe është ekzekutuar,” i tha burimi BIRN.
Një konfirmim i këtij dyshimi, vështirë se mund të mbërrijë në rrugë zyrtare në Tiranë. Megjithatë, një muaj e gjysmë pas vrasjes së Ervin Hasanajt, edhe familjarët e tij janë dyshues dhe të paqartë.
Njësoj si e bija në Greqi, edhe nëna e Brisildës e ka të vështirë të besojë se djali i vetëm nuk jeton më. E veshur me të zeza dhe e vetme brenda një dhome të marrë me qira në periferi të Tiranës, Xhyhere Hasanaj di aq sa i ka treguar nusja e Ervinit në bisedat e shkurtra përmes telefonit.
“Më tha se e kishin vrarë teksa po kthehej në vendin ku ata qëndronin. Ia kishin çuar trupin vetëm për ta parë dhe më pas e kishin varrosur pa praninë e saj,” thotë Xhyherja me lot në sy.
Prania e luftëtarëve shqiptarë në konfliktin sirian ka shqetësuar autoritetet shqiptare dhe ato të huaja përgjatë 3 viteve të fundit. Për t’u përballur me këtë fenomen, Ministria e Brendshme ka krijuar një drejtori të gjerë Antiterrori dhe ka shtuar shkëmbimin e informacionit me Europolin dhe shërbimet partnere perëndimore.
Megjithatë, vrasje si ato të Ervin Hasanajt rrallë zbardhen plotësisht nga autoritetet shqiptare. I pyetur për vrasjen e fundit në Siri, Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri deklaroi se po punohet në bashkëpunim me shërbimet partnere.
“Mbajmë kontakte të vazhdueshme me agjencitë partnere dhe me familjarët e këtyre njerëzve,” u përgjigj Tahiri.
Por në shtëpinë e Xhyhere Hasanajt, askush nuk ka trokitur gjatë tre viteve të fundit për ta pyetur për Ervinin. Për ikjen në Siri, por edhe për rrethanat e vdekjes së tij.
“Askush nga policia apo nga shteti nuk më ka pyetur për Ervinin. Ju jeni e para që vini këtu,” thotë Xhyhere Hasanaj.

Jetimi që u bë xhihadist

Ervin Hasanaj u largua nga Shqipëria drejt Sirisë më 16 janar 2013, së bashku me Diamant Rashën ( i vrarë më 27 dhjetor 2013). Ai ishte 21 vjeç, por baba i një vajze dhe në pritje të një foshnje të dytë.
Dokumentet e siguruara nga BIRN tregojnë se e shoqja e ndoqi në këtë rrugë menjëherë pas lindjes, së bashku me foshnjen 2 muajshe dhe vajzën dy-vjeçare. Vajzat e Ervin Hasanajt janë sot 4 dhe 2 vjeç, jetime dhe të mbyllura brenda një kampi lufte në Siri.
Xhyhere Hasanaj tregon se jeta e tyre ka qenë një ndërthurje mes fatkeqësive dhe varfërisë. 15 vjet më parë, ajo humbi të shoqin dhe u zhvendos nga qyteti i Mamurrasit në Tiranë, bashkë me dy fëmijët e vegjël.
E papunë dhe me dy fëmijë jetimë, Xhyhere Hasanajt iu gjend pranë një shoqatë arabe, e cila shpërndante ndihma dhe një shumë të vogël parash në muaj për familjen e saj të varfër. Bashkë me të birin, ajo është dërguar disa herë në ekskursione nga kjo shoqatë.
Xhyherja tregon se mbeti indiferente ndaj praktikimit të fesë, ndryshe nga i biri që u lidh me Islamin në moshë të njomë.
“Ishte vetëm 12-13 vjeç kur nisi të shkonte çdo ditë në xhami. Unë në fillim e mbyllja në shtëpi me çelës, por më pas nuk mund ta ndalja më,” tregon nëna e Ervinit.
Xhyherja është myslimane, por besimin e të birit e quan “feja tjetër”. Të njëjtën keqardhje kishte edhe për nusen, që në moshë fare të re ishte e mbuluar kokë e këmbë me hixhab.
“U njohën me mblesëri dhe u martuan fare të rinj. Familjarët e nuses sime janë të gjithë besimtarë,” shton ajo.
Xhyherja e përshkruan të birin një djalë të qetë dhe të mbyllur, që ia kishte kushtuar jetën Islamit. Megjithatë, ajo nuk e ka besuar për një kohë të gjatë se i biri kishte shkuar në Siri.
“Nuk më tregoi. Kur merrte në telefon, më thoshte që jam nëpër Europë. Të njëjtin version më tregonte edhe nusja, derisa njerëzit filluan të flasin,” shton Xhyherja.
Gruaja e mpakur nga dhimbja e ka mësuar vonë se i biri ndodhej në frontin e luftës. “Nuk do ta besoja kurrë që mund të shkonte atje, por atë e kanë mashtruar,” thotë Xhyherja. “E ka mashtruar ai që sot gjendet në burg”.
Në mars të vitit 2014, policia arrestoi një rrjet të gjerë rekrutuesish të xhihadistëve, të cilët furnizonin organizatat terroriste në Siri me ushtarë shqiptarë. Ky rrjet drejtohej nga dy imamët “ilegalë”, Genci Balla dhe Bujar Hysa.
Hetimet e mëvonshme të Prokurorisë së Krimeve të Rënda zbuluan se në listën e të rekrutuarve nga Bujar Hysa gjendet edhe Ervin Hasanaj. Martesa e tij me Nexhmije Bekën duket se e ka përshpejtuar rrugën e tij drejt radikalizimit.
Në dokumentet e hetimit gjenden biseda familjare të kunatit të Hasanajt me Bujar Hysën, që lidheshin me Sirinë. Njëra prej tyre i përket nëntorit 2013, kohë kur Altin Beka po dërgonte të motrën dhe dy mbesat në Siri.
“Kemi mbërritur në Hatai, por s’ka dalë njeri të na presë,” i thoshte Beka Bujar Hysës. Ndërsa ky i fundit e këshillonte të shkonin në Rejhanli dhe aty të prisnin në një hotel personin e kontaktit, çka tregon se gruaja e Hasanajt u trafikua në Siri nga lidhjet e Bujar Hysës.

Zhgënjimi i Ervin Hasanajt

Jeta prej luftëtari e Ervin Hasanajt mund të ndahet në dy pjesë; në kohën kur gjendej përkrah Al-Nusrës dhe kalimit tek ISIS. Në të dyja rastet, Hasanaj e ka pësuar nga militantët e Shtetit Islamik.
Përgjimet telefonike tregojnë se më 14 janar 2014, Hasanaj ishte marrë peng dhe ky lajm shqetësoi kunatin e tij, por edhe kreun e rrjetit të rekrutimit, imamin Bujar Hysa. Ky i fundit u njoftua për këtë pengmarrje, por e vuri në dyshim që pas saj fshihej ISIS.
“Mos është Ushtria e Lirë, se Shteti ka marrëveshje me Xhebet (Al-Nusran)” përgjigjet Hysa. Ndikimi i kësaj ngjarjeje tek Ervin Hasanaj nuk është shumë e qartë. Megjithatë, nëna e tij thotë se nuk ka dyshuar për ndonjë problem, pasi i biri i fliste qetësisht në bisedat e tyre telefonike.
“Një muaj para vrasjes filloi të më thonte që do të kthehej shpejt,” tregon Xhyhere Hasanaj për BIRN. “Ishte i zhgënjyer dhe nuk donte të luftonte më,” shton ajo.
E dëshpëruar për vdekjen e të birit, ajo i ka varur shpresat tek kthimi i mbesave dhe i nuses në shtëpi. Megjithatë, edhe kjo mundësi duket e largët dhe e vështirë.
Pas vdekjes së Ervin Hasanajt, bashkëshortja dhe fëmijët e tij kanë shtuar numrin e grave vejusha dhe fëmijëve jetimë që ndodhen në kampet e luftës në Siri. Nga fillimi i konfliktit e deri më sot rezulton se 6 nga 13 gratë shqiptare kanë humbur burrat në luftë. Numri i fëmijëve të mbetur jetimë është shumë më i madh.
Megjithë përpjekjet private të familjarëve, asnjë prej grave dhe fëmijëve shqiptarë nuk kanë mundur të kthehen nga Siria, pasi kryefamiljari ka humbur jetën gjatë luftimeve.
Por edhe pse historia nuk i ndihmon, shpresa vdes e fundit për nënën dhe motrën e luftëtarit të vrarë.
Edhe pse askush nga policia apo strukturat e tjera nuk i ka ofruar ndihmë, Xhyhere Hasanaj beson megjithatë se qarkullimi i lajmit në media do të ketë shqetësuar dikënd me pushtet.
“Im bir shkoi, por dua të më kthehen fëmijët dhe nusja sa më parë. Kjo është e vetmja shpresë që më ka mbetur”, përfundon Xhyhere Hasanaj.