Skulpturat e parkut “Rinia” përfundojnë në një grumbull gurësh mbi trotuar

667
KORCË- Të gjitha skulpturat prej guri që gjendeshin në hapësirën e parkut “Rinia” të Korçës, u hoqën që andej dhe pasi i bënë të gjitha bashkë, i vendosën përgjatë trotuarit të rrugës që të çon te ky park. Duket se ky transferim skulpturash nga drejtuesit e Bashkisë Korçë u vlerësua si ide gjeniale, imagjinatë dhe fantazi shpërthyese, por në të vërtetë tek banorët e qytetit të Korçës la një shije të pakëndshme. Një muze, i çfarëdolloj arti që të jetë ai, së pari kërkon mundësinë e një vendi të qetë, mundësisht panoramik dhe mbi të gjitha të të japë kënaqësinë e soditjes dhe meditimit, Pasi në të kundërt askujt nuk i vlen. Tashmë skulpturat e gurta gjenden të ekspozuara nën pikën e diellit përvëlues. Nëse nisesh për atje, enkas për të shijuar bukurinë e skulpturave, duhet të durosh diellin që të qëndron vazhdimisht mbi krye, vapën zhuritëse, asfaltin që djeg dhe përvëlon, pluhurin që ngrihet nga automjetet, zhurmën e tyre që nuk ndalet për asnjë çast, morinë e njerëzve që kalon aty etj etj. Por nuk është vetëm kjo: skulpturat prej guri të mbledhura bashkë në një copë vend, të vendosur në rresht për dy apo për tre, ku skulpturat e larta janë vendosur pranë të voglave, në një kombinim të panatyrshëm e të rëndomtë, (pasi çdo skulpturë ka vlerat e veta dhe nuk mund t’i fitojë ato për arsyen se pranë kujt është vendosur), ngjasojnë, as më pak dhe as më shumë, me një grumbull gurësh të hedhur kuturu nga dikush që nuk di çfarë vlerash përfaqësojnë ato. Veç kësaj, të përdorura thjesht si tulla për të krijuar një mozaik, nuk përbën gjë tjetër veçse një fyerje për krijuesit e këtyre veprave të mrekullueshme. 
Përçmimi i artit
Nëse do të kishim vetëm një trëndafil ku rreth tij mund të kishte gjithçka tjetër, por vetëm trëndafila jo, atëherë ky trëndafil do të ishte më i bukuri, por nëse do të kishim një lulishte me trëndafila, e bukur do të ishte lulishtja, por jo trëndafilat dhe, nëse në mes të trëndafilave do të ishte një zambak, gjithë privilegjin e të qenit i mrekullueshëm dhe i veçantë do ta merrte zambaku, kurse në rastin e skulpturave të parkut “Rinia”, të vendosura të gjitha në të njëjtin vend, (dhe për më tepër kur ky vend është i papërshtatshëm), nuk flet për gjë tjetër veçse për përçmim të artit, për mosnjohje të tij dhe mediokritet. Tashmë të gjitha skulpturat ngjasojnë me një grumbull gurësh nën diell. Skulptori italian, Ugo Antinori, gjatë një interviste në vitin 2010, tha: “Jam mrekulluar nga bukuria e qytetit të Korçës. Vendosja e veprave të artit në mjediset e saj çlodhëse, do ta bëjë atë edhe më tërheqëse për turistët, edhe më të bukur”. Pra, edhe vetë artistët që i krijuan këto vepra, e kishin menduar vendosjen e tyre në ambiente çlodhëse dhe kështu u bë së paku për 7 vjet me radhë, që nga viti 2008 e deri më sot, ndërsa krejt papritur u vendos që të gjitha skulpturat të hiqeshin nga parku e të nxirreshin në rrugë. Nuk është çudi që pas disa kohësh, vendi i skulpturave të ndryshojë përsëri, dhe nëse do të ndodhë kështu, atëherë gjithçka do të jetë e qartë: drejtuesit e Bashkisë Korçë nuk kanë standarde estetike të konsoliduara, por shpërthime imagjinare të çastit që, nëse sot u duket e bukur, të nesërmen u ngjason e shëmtuar. Nisur nga ky këndvështrim, edhe nëse kulla e Korçës do të ishte e lëvizshme, tashmë drejtuesit e Bashkisë Korçë do të kërkonin ta kthenin kokëposhtë, ngaqë kështu siç është nuk u duket e bukur.
Zbulimi i së bukurës
Zbulimi i së bukurës është magji, por që ta zbulosh atë, së pari duhet ta njohësh, që kur ta gjesh të mrekullohesh prej saj. Mbi të gjitha duhet të dish ku ta vendosësh atë, që pastaj të kesh edhe mundësi për ta kundruar me ëndje e hijeshi dhe të jesh i këndellur prej saj Ndaj dhe skulpturat vendosen nëpër parqe dhe lulishte. Që të kesh mundësi të ulesh diku në një stol, mes gjelbërimit, hijeve të pemëve, cicërimave të zogjve, freskisë së shatërvanëve, qetësisë së hapësirave, fëshfëritjes së gjetheve, aromave të luleve dhe zhurmimit të çezmave që sjellin ujë të ftohtë. Një skulpturë vendoset diku përballë, një tjetër paksa e fshehur më të majtë, një e tretë që të del befas kur kthen rrugë; që të gjitha të kombinuara me të papritura të shumta. Vetëm kështu, ato të prezantohen si qenie të gjalla e ti detyrohesh të qëndrosh përballë tyre, pse jo mund t’u dalësh edhe anash për t’i vështruar më mirë e më bukur. A mund të ndodhte kjo me skulpturat e gurta të Korçës? Sigurisht që po. Në shëtitjet përgjatë parkut “Rinia”, (nëse do të ishte menduar kështu), do të mbetej një përshtypje e veçantë për të gjithë turistët dhe vizitorët, ashtu siç e kishte përjetuar edhe skulptori italian Ugo Antinori
Mediokritet
Tashmë asgjë për sa renditëm më lart nuk mund të ndodhë. Skulpturat dergjen mbi trotuar nën një vendosje mediokre që nuk ofron asgjë. Përgjatë parkut “Rinia”, nuk do të ketë më të papritura, nuk do të gjejmë më, diku në një vend të tij, skulpturën “Erdogan” të turkeshës Ayla Turan, që na tregonte se politikanët e kanë të vështirë të ngrihen nga karrigia; nuk do të gjejmë as skulpturën e qytetit fantazmë të Matteë Simmonds nga Britania e Madhe, që na kujtonte traditën e qyteteve antike; nuk do të sodisim as shpirtin e gdhendur në gur të italianit Guliano Giussani. Ndoshta shpirti ngjason me erën, me të padukshmen, por Giussani e solli të gurosur që të kishin mundësi të gjithë për ta parë. Gjithashtu nuk do të ndeshemi as me formacionin gjeometrik yjor të egjiptianit Nagi Fareed, i cili na mësoi se e shkuara dhe e tashmja janë të kapura përdore. Mund të shëtisësh nëpër park me një shok, me një mik, me mbesën apo nipin, me një të njohur apo me të dashurën, por nuk do të kesh asnjë mundësi t’i tregosh skulpturën e Paora Te Ranguiaia nga Zelanda e Re, të frymëzuar nga mitet e popullit të Maorëve. Gjithashtu nuk do ta gjesh pas pemëve apo luleve as veprën e gjermanit Jorg Plickat, skulptura e të cilit na sillte ndërmend lartësitë e katedraleve antike, ashtu sikurse në parkun “Rina” nuk do të gjesh as skulpturën e Yoshin Ogata nga Japonia, i cili u përkujdes të sillte temën e ujit, si elementi më jetësor i njerëzimit. Të gjitha këto nuk ke për t’i gjetur sepse tashmë ato ndodhen në trotuar, aty ku ty do të të duhet të durosh diellin që të qëndron vazhdimisht mbi krye, vapën zhuritëse, asfaltin që djeg dhe përvëlon, pluhurin që ngrihet nga automjetet, zhurmën e tyre që nuk ndalet për asnjë çast, morinë e njerëzve që kalon aty dhe stresin që të shtyp nga gjithë kjo imagjinatë sfilitëse dhe e pakuptimtë.
Sigal