Skrapari, vendi ku burrat e odës e pinin rakinë me opingë

1660
Sigal

Bëhen gati kazanët e rakisë dhe drutë prej lisi. Turistët: “Rakia e Skraparit ja kalon uiskit skocez dhe atij gjerman”

Kazanët e rakisë dhe drutë e zjarrit (prej lisi) janë refreni i ditës gjatë këtij muaji në qytetin e Çorovodës dhe në zonat përreth. Dihet se zona e Skraparit njihet për prodhimin e rakisë, e cila është e një cilësie të mirë, jo vetëm në shkallë vendi, por edhe më tej. Kështu specialistët e rakisë, meqenëse tani edhe moti ka qenë i mirë kanë menduar dhe për sigurimin e drurëve prej lisi, të cilat, sipas tyre janë të përshtatshme për zjarrin e rakisë, pasi ato bëjnë shumë prush. Servet Tusha, 78-vjeç nga Potomi i Skraparit, ka një jetë që merret me përpunimin e rrushit, e bërjen e rakisë. Tusha u shpreh për gazetën “Telegraf”, se rakia e kësaj zone është me famë. “Ajo zihet në kushte shumë të mira, si artizanale ashtu dhe në fabrikë. Rrushi i kësaj zone është shumë i pastër dhe nuk ka ngarkesë nga spërkatjet e ndryshme me ilaçe. Rrushi rritet në pjergulla dhe pjesa tjetër në vreshta. Skrapari njihet për zierjen e rakisë me një cilësi të lartë. Ne, për zierjen e rakisë përdorim dru lisi, sepse ky dru mbanë shumë shpuzë”, u shpreh 78-vjeçari. Zonat, të cilat njihen për nxjerrjen e rakisë janë Therepeli, Vendresha, Çepan, Zabërzani, e shumë zona të tjera. Specialistët janë shprehur se në Zabërzan një veshë rrush në hardhi ka arritur rreth tre kilogram, kjo ka befasuar jo vetëm specialistët vendas, por dhe ata të huajë, që kur janë njohur më këtë fakt janë habitur. Prandaj këto ditë Skrapari ka nisur garën e zierjes së rakisë. Kjo garë nis tani e mbaron në fund të muajit tjetër, sepse në këtë zonë ka lloje të ndryshme të rrushit, ato që piqen shpejt e ato që piqen më vonë. Tani po bëhet rakia e rrushit që piqet shpejt. Ndërsa një vend të veçantë zë rrushi korith me ngjyrën e tij në rozë. Ky lloj është më i privilegjuari, sepse përdorët vetëm për tavolinë dhe nuk hidhet brenda në fuçi për t’u bërë raki. Ky rrush e ka kokrrën të madhe në formë vezake, rritet në veçanti afër lisave. Ai është i pakët në prodhim, por përdoret gjerësisht. Serjan Guri, një i moshuar është shprehur se Skrapari njihet ndër vite që është një përdorues i madh i rakisë. “Burrat e odave të Skraparit rakinë e kanë pirë me opingë. Kjo tregon se pija më e preferuar për skraparllinjtë ka qenë dhe vazhdon të jetë rakia. Tashmë burrat e moshuar janë mbledhur dhe diskutojnë për zierjen e rakisë, ndërsa pjesëtarët e familjeve, janë duke e vjelë rrushin dhe më pas për ta hedhur në kazanët me përmasa të mëdha”, tha Guri. Po sipas Gurit, 68 vjeç bëhet me dije se kur vijnë turistët e huajë në këtë zonë për të vizituar kanionet pijen e parë në tavolinat e tyre kanë rakinë e Skraparit. Ata shprehen se, “kjo raki ja ka kaluar disa herë uiskit skocezë dhe atij gjerman”. Ata rendin pas kësaj rakie duke konsumuar sasi të mëdha gjatë kohës që ndodhen në Çorovodë. Dhe sigurisht para se të largohen nga kjo zonë porosisin raki për ta marrë me vete.