Skrapar, stina e vjeshtës apo “stina e rakisë”

3145
Sigal

Stina e vjeshtës në Skraparit njihet ndryshe “stina e rakisë”. Vjeshta, ka vënë në lëvizje fermerët, të cilët merren me zierjen e rakisë në këtë zonë. Dihet që Skrapari nuk njihet vetëm për patriotizëm dhe mikpritje, por edhe për prodhimin e rakisë me famë botërore, e cila ka çarë të gjithë tregjet evropiane. Kjo është një traditë e trashëguar ndër breza, pa harruar këtu prodhimin e verës, pekmezit dhe në veçanti të trahanasë. Rakia e Skraparit preferohet më shumë krahasuar më krahinat e tjerë të vendit dhe kjo ka të bëjë me mjeshtërinë shekullore. Fermerët për raki përdorin rrushin e pjergullave i hedhur tek lisi, lajthata, dushku etj.. Në përgjithësi zona perëndimore e Skraparit, nxjerr raki me cilësi të lartë që shkon deri në 22 gradë. Por në veçanti mund të përmendim zonat e Zabërzanit, Muzhakut, Rokut, Vëndreshës dhe Prishtës që një veshë rrush arrin në peshën 1.5 kilogram. Sipas të moshuarve mësohet se, rakia në Skrapar ka shekuj që përdoret dhe burrat e odës e pinin rakinë me opinga. Tashmë kjo stinë për banorët e Skraparit është stinë e “aksioneve” për vjeljen e rrushit dhe më pas hedhjen e tij në kazanë speciale dhe më pas zierjen e rakisë. Mjeshtrit e zierjes së rakisë, Sali Hysi nga Spathara dhe Hysen Kurti nga Zabërzani tregojnë se rakia zihet në kazanë speciale dhe raki cilësore del ajo që zihet më dru lisi apo dushku, të cilat krijojnë prush të fuqishëm, që zbërthejnë bërsitë e rrushit që kthehen në avull. Ky avull kur kalon nëpërmjet një tubi bakri, i cili është i vendosur në një enë më ujë të ftohtë shndërrohet në lëng dhe derdhet në fund të tubit, në një fitil pambuku, i cili kullohet në një enë qelqi. Burrat e fshatit, tashmë krenohen pasi janë duke zierë raki dhe duke matur gradacionin e saj. Skraparllinjtë, vetë e përdorin rakinë në gradacioni 22 gradë. Në Skrapar ka edhe zona që nuk bëhet rrushi, por është e çuditshme se në këto zona që nuk zihet raki, ajo konsumohet më shumë së në ato zona që prodhohet rakia.