Skënderbeu strateg dhe takticien ushtarak

4820
Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj
(Në kuadër të 105-vjetorit të shpalljes së Shtetit shqiptar)
Arti ushtarak i Skënderbeut
Arti ushtarak që ndërtoi dhe përpunoi Skënderbeu në procesin e zhvillimit të luftës, parashikonte: parimet, format, metodat e një lufte të rregullt, zhvillimin e betejave në fushë të hapur, por dhe parimet, format e metodat e luftës guerile. Ky karakter i artit ushtarak i ndërtuar prej Skënderbeut ishte kusht i domosdoshëm, sepse ndryshe nuk mund të arrihej fitorja kundër Perandorisë Osmane me superioritet të lartë forcash e mjetesh, e që zotëronte artin ushtarak më të përparuar të kohës. Arti ushtarak i Skënderbeut përcaktoi drejt raportin ndërmjet njeriut, terrenit, fortifikimit dhe armës. Shkaku kryesor i fitores ishin luftëtarët shqiptarë, shpirti i atdhedashurisë, heroizmi masiv dhe vendosmëria e tyre për të përballuar çdo sakrifice. Ishin luftëtarët siç e pohojnë vetë osmanët, si diva me natyrë çeliku kishin lindur për të mos u përulur. Ishin forca dhe trimëria e luftëtarëve të Skënderbeut, të cilët si tigra kthetër – fortë dhe luftarak luftonin edhe me retë që u kalonin sipër tyre. Edhe luftëtari me i dobët i tyre ishte nga më trimat e fushës së luftës. Duke vlerësuar rolin e faktorit njeri, si faktorin parësor që përcaktoi fitoret e mëdha të shqiptarëve, në të njëjtën kohë ne evidentojmë rolin shumë të rëndësishëm që ka luajtur terreni ynë, malet dhe kështjellat e papushtueshme, të cilat u bënë baza të fuqishme strategjike. Studiues të huaj, duke kërkuar shkakun e fitoreve të lavdishme që arriti populli shqiptar në luftën kundër osmanëve në shek. XV, në një kohë kur të gjitha shtetet e tjera ballkanike u detyruan të ulin kokën nën zgjedhën e tyre, mundohen ta gjejnë atë në karakterin malor e të papërshkueshëm të vendit dhe në kështjellat e forta. Ky argument dhe shpjegim i tyre është njëanshmëri. Ata nisen nga pozita të padrejta të raportit ndërmjet dy elementeve kryesore të luftimit: njeriut dhe terrenit. Skënderbeu vlerësoi dhe e përshtati mjaft mirë terrenin malor të vendit të tij, si një faktor objektiv të rëndësishëm për zhvillimin me sukses të luftës. Karakteristikat e terrenit të thyer malor, natyra e tij e pyllëzuar, njohja e tij e mirë dhe përdorimi i këtyre në interes të luftëtarëve shqiptarë i krijoi shumë të papritura ushtrisë osmane.
Kështjellat shqiptare
Skënderbeu përdori me zgjuarsi, efikasitet, trimëri e vendosmëri kështjellat shqiptare të kohës. Ato, të vendosura gjatë vijës së kufirit dhe në thellësi, gjatë rrugëve të komunikimit u bënë hallka shumë të rëndësishme në sistemin e mbrojtjes së vendit. Kështjellat u bënë bazat e përshtatshme strategjike për strehim dhe për të ndërmarrë nga ato goditje të fuqishme kundër armikut. Kështjellat dhe zonat malore u bënë bazat kryesore të furnizimit për luftëtarët e Skënderbeut. Në çdo fushatë të madhe të osmanëve në territorin shqiptar, Skënderbeu vendosi rezerva të shumta. Në këtë mënyrë masivet e larta malore u bënë për Skënderbeun, jo vetëm baza të përshtatshme ushtarake nga të cilat vërsulej dhe dëmtonte armikun, por edhe baza të fuqishme ekonomike. Në kushtet e një lufte të gjatë kundër një armiku më superior në forca e mjete, Skënderbeu zgjidhi drejt çështjen e furnizimit të ushtrisë, si një nga problemet më themelore të strategjisë. Ai dhe komandantët e tij vlerësuan dhe gërshetuan në mënyrë më të drejtë burimet e rëndësishme të furnizimit të ushtrisë që ishin: ekonomia e vendit, plaçka e luftës dhe ndihma e jashtme. Këto faktorë i siguruan ushtrisë furnizim të pandërprerë gjatë gjithë kohës së luftës. Ende deri më sot nuk gjendet asnjë dokument, edhe nga historianë osmanë, që të thuhet se ushtria e Skënderbeut u gjend pa ushqime, pa pajisje dhe pa armatime. Por ka shumë të dhëna e dokumentare të historianeve të vjetër e të rinj, që vërtetojnë masat e mira që Skënderbeu kishte parashikuar dhe merrte për furnizimin e ushtrisë së tij. Luftërat shqiptaro-osmane në shek. XV, në tërësi zgjatën për shumë vite. Në çdo fushatë ushtria osmane shpartallohej dhe thyhej për një kohe relativisht të shkurtër. Fushatat zgjasnin nga disa ditë deri në disa muaj.
Prita e goditje të befasishme
Forma më kryesore e luftës për thyerje e fushatave osmane nga Skënderbeu u konsiderua mësymja. Ajo realizohej në shkallë strategjike duke kryer beteja mësymëse masive, si në Torvioll, në Albulenë e të tjera. Por zhvillohej dhe në shkallë taktike nëpërmjet sulmeve e goditjeve të befasishme. Përdorim të gjerë ju kushtua dhe mbrojtjes. Mbrojtja ishte apozicionale, e cila u realizua me shumë sukses në mbrojtjen e kështjellave. Deri diku edhe mbrojtja e manovruar në terren malor, si dhe shumë pak gjatë luftimeve me front të rregullt. Fushatat osmane ndërmerreshin me forca relativisht jo shumë të mëdha. Ushtria e Skënderbeut i shpartallonte që në afërsi të kufirit. Ai zhvillonte beteja të rregullta fushore, sulme, pritave e goditjeve të befasishme. Ai mbështetej në kështjella që ishin në brezin kufitar dhe që mbulonin drejtimet më të rëndësishme të hyrjes së forcave osmane në territorin e Shqipërisë. Ndërsa fushatat osmane me forca të mëdha, ushtria shqiptare u detyrua t’i shpartallojë në thellësi të vendit. Kundër tyre ndërmerreshin prita e goditje të befasishme. Më tej bënte ndezjen e luftës guerile në prapavijat e territoreve të pushtuara. Skënderbeu kombinoi me mjeshtëri luftimet mbrojtëse të realizuara me forca të pakta të kështjellave me luftimet mësymëse. Veprimet luftarake të forcave kryesore jashtë kështjellave bënin që të krijoheshin kushtet për të kaluar në mësymje të përgjithshme. Mësymja përfundonte me ndjekjen e armikut të rraskapitur e të dëmtuar dhe në shpartallimin e tij nga krahinat ku kishte depërtuar. Në 25 vitet e luftës shqiptaro-osmane, të udhëhequr nga Skënderbeu, vetëm katër fushata të mëdha osmane me forca 50-150 mijë veta mundën të futeshin në thellësi të vendit tonë dhe të dilnin para portave të Krujës. Këto ishin fushatat e viteve 1450, 1457, 1466 e 1467. Të gjitha të tjerat Skënderbeu i shpartalloi në brezin kufitar, pa i lënë kohë osmanëve të futeshin në thellësi të vendit. Në këto kushtet iu kushtua rëndësi organizimit dhe kryerjes me sukses të manovrës në shkallë strategjike. Skënderbeu ishte i paparashikueshëm në artin e manovrimit të ushtrisë. Manovra e guximshme dhe e shpejtë u bë faktor shumë i rëndësishëm për të përballuar dhe asgjësuar forcat e mëdha të armikut, që shumë herë mësynin edhe në disa drejtime. Manovra u bë element parësor duke zbutur raportin e forcave dhe të mjeteve, e duke krijuar përshtypjen te osmanët sikur ushtria shqiptare vepronte me forca të shumta. Me anën të manovrës u arrit të krijonte balancimin në forca e mjete ose epërsi taktike. Sukses i manovrës prej ushtrisë së Skënderbeut u favorizua dhe nga kalorësia e lehtë, gjë që i dha shpejtësinë dhe lëvizshmërinë. Shpejtësia e kalorësisë që arrinte deri në 80 km në ditë, krijonte lehtësi për fshehtësi, befasi në veprimi dhe për mashtrim të armikut. Kështu u bë e mundur që ushtria shqiptare të realizojë me sukses manovra të thella strategjike, ku spikati qartë në betejën e Albulenës. Kjo manovër dallohet rrënjësisht nga manovrat e kufizuara dhe të ngathëta të ushtrive të vendeve të tjera, të cilat kryesisht realizonin një manovër të shkallës taktike. Detyrë e rëndësishme e strategjisë ishte dhe krijimin e përdorimi i rezervës. Skënderbeu këtë detyrë e lidhi ngushtë me parimin e kursimit. Në zbatimin të këtij parimi ai mbajti parasysh nevojën e ruajtjes dhe të ripërtëritjes së forcave për të përballuar luftërat e pareshtura, me të cilat po ndeshej populli shqiptar. Duke vënë në themel të strategjisë së tij synimin, që me forca të pakta të mundte një armik më të madh në numër, Skënderbeu formuloi parimin se fitorja nuk varet nga numri i ushtrisë. Zbatimi i këtij parimi në kushtet e vendit tonë ishte një domosdoshmëri objektive, që vinte si rrjedhim i pabarazisë së dukshme midis forcave shqiptare dhe atyre osmane. Merita e madhe e Skënderbeut qëndron në faktin se, jo vetëm vlerësoi drejt këtë parim, por e vuri në jetë në mënyrë të përsosur, me konsekuencë e vazhdimësi për 25 vjet rresht, duke dalë gjithmonë fitimtar. Fitoret e 25 betejave të mëdha dhe e sa e sa luftimeve të tjera deri te fushatat në Itali, e ngrenë figurën e Skënderbeun. Ai për kohën, nga mjaft studiues qëndron mbi shumë komandantë e strategë të tjerë të mëdhenj në fushën e artit ushtarak. Atë e vendosin për kohën pararendës novator. Strategjia e përdorur nga Skënderbeut bëri që të vlerësohet drejt sasia dhe cilësia e ushtrisë. Skënderbeu për këtë qëllim, rriti efektivat e ushtrisë dhe brenda mundësive që lejonin kushtet e vendit, vëmendje të veçantë i kushtoi përmirësimit të vazhdueshëm të cilësisë, si në pikëpamje të cilësive morale ashtu edhe të aftësive taktiko-profesionale. Nëpërmjet zbatimit me krijimtari të këtyre detyrave të strategjisë në fushën e luftës, Skënderbeu dhe ushtria e tij u ndeshën dhe fituan kundër dy sulltanëve më të mëdhenj të perandorisë osmane.


Sigal