Skënderbeu, simboli i lirisë

2977
Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj
(Në kuadrin e 550 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut)
Simbol i bashkimit shqiptar
Lavdia dhe kujtimi i kohës së Skënderbeut u rrit duke frymëzuar më tej të gjitha luftërat e shqiptarëve në shek. XVI, XVII e me tej. Kjo lavdi u duk në lulëzimin më të madh të kuvendeve shqiptare që hartuan, projektuan e drejtuan luftëra për çlirimin e vendit. Emri dhe tradita e Skënderbeut, bashkë me elemente të tjerë të vetëdijes shqiptare, u bënë simbol i bashkimit shqiptar, simbol i forcës luftarake, i aspiratave dhe i krenarisë. Në pikat kulmore të historisë së luftërave të popullit tonë si Lidhja Shqiptare e Prizrenit, luftërat për pavarësi dhe epopeja e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, u bënë të lavdishme për historinë kombëtare, jo vetëm nga kushtet historike, por në një shkallë të mirë nga fakti se populli kishte krijuar në histori një shkollë të madhe të luftërave burrërore për liri. Luftërat e Skënderbeut zinin e meritonin një vend nderi të veçantë. Figura e Skënderbeut në zemrat e shqiptarëve erdhi duke u rritur e duke u bërë legjendare. Ajo u radhit midis figurave më të zgjedhura të botës mitologjike, në figurat e ndritura të së kaluarës të njerëzimit. Skënderbeu për shqiptarët ishte “kuçedra e botës së Arbrit” dhe “Lavdia e nderi i gjithë derës arbëreshe”, sikundër ka shkruar dhe theksuar Frang Bardhi, në një kohë që populli shqiptar kishte tepër nevojë për këtë figurë historike.
Figura e Skënderbeut çimentohet në vetëdijen kombëtare shqiptare
Edhe tek të mërguarit nga truallit arbëror, figura e heroit jetoi si vigan dhe u bë burim frymëzimi. Tradita heroike të formuara në atë kohë, i ndihmuan shumë shpejt arbëreshet të dalin në arenën e ngjarjeve historike të Italisë së Jugut. Ata shumë shpejt u bënë një forcë e gjallë dhe e rëndësishme e një populli të aftë “për të luajtur një rol aktiv në zhvillimet historike në përputhje me tendencat objektive përparimtare”. Repartet e ushtrisë shqiptare të vendosura pas vdekjes së Skënderbeut në Transilvani, në gjysmën e dytë të shek. XVI, u kthyen në vatra lufte antiosmane, mbështetje e fuqishme e trupave aleate të Vllahisë dhe Transilvanisë etj. Idetë dhe fryma e lëvizjes humaniste evropiane, që ishte përhapur në atë kohë dhe te shqiptarët, ndikua që lufta e tyre titanike kundër pushtimit osman dhe, sidomos, figura e Skënderbeut të çimentoheshin në vetëdijen kombëtare shqiptare. Këto ide u materializoheshin në krijimtarinë e tyre jo vetëm nëpërmjet gojëdhënave, tregimeve dhe këngëve popullore, por edhe nëpërmjet veprave të para të historiografisë kombëtare. Këto ide dhe vepra i përshkruan një patos i fuqishëm patriotik, Marin Barleti, Dhimitër Frangu, Frang Bardhit etj. Lufta e pashembullt që bëri populli gjatë një shekulli kundër fuqisë ushtarake më të fortë të kohës nuk mund të kuptohet pa kulturën shqiptare. Vepra e Marin Barletit ishte puna e një talenti jo të zakontë, përshkrimi i epopesë së Skënderbeut, ishte gjetja më origjinale që i dha shpresë dhe besim popullit për fitore në rrugëtimin e tij historik.
Së bashku përsëritnim njëzëri emrin e ëmbël të lirisë
Udhëheqës të luftërave çlirimtare, si Skënderbeu janë të rrallë që kanë gjetur pasqyrim të gjerë në letërsinë botërore. Bibliografia e heroit tregon për 1 mijë vepra në më se 21 gjuhë. Letërsia botërore është ushqyer para së gjithash nga vepra shkencore letrare e monografike e humanistit shqiptarë M. Barleti. Dhe kjo nuk është e rastit: Skënderbeu i takon shekullit më aktiv të humanizmit dhe figura e tij si njeri, si udhëheqës e luftëtar mund të kuptohej e ngrihej lartë në radhë të parë nga humanistët. Kjo letërsi përfaqësohet nga punimet e shumë humanistëve të njohur të shek. XV-XVI, siç janë Francës Filelfi, Anton Sabelliko, Cepiko, Pal Jovi, Xhiovani Pontane, Rafael Volaterrani, Françesko Sonsovino, Jokan Pincani, Leniçeri, Kaspër Hidi, Martin Bjelski etj, si dhe të studiuesve të shekujve të mëvonshëm nga shumë vende të Evropës si Gjergj Bartolai – Pantonus, Ricard Noles (Knollei), Johan Ajkanzeni, Jakob Filip, Falmerajeri, Karl Hopfik, Johan Georg, Hahni, Cikante Makusheve, Ludvig Pastori, Julians Pitko, Nikolas Jorga etj. Sigurisht në këtë letërsi burim kryesor letrar ka qenë vepra e M. Barletit e botuar dhe ribotuar në vende të ndryshme, por dhe vepra të autorëve të tjerë. Veçohet këtu në Evropën Perëndimore vepra e Zhak Lavardenit: “Histoire de George Castriot, surneme Scanderbeg Roy d’Albanie”, botuar në Paris më 1576 dhe në Evropën Lindore vepra e humanistit polak Martin Bjelskit: “Kronika wszytkiego świata”, botuar në Krakov, më 1564 etj. Nxitja themelore e këtyre veprave ka qenë në fund të fundit përpjekja e popujve të Evropës për tu mbrojtur nga rreziku osman. Në kohën e Skënderbeut, ka shkruar humanisti Kasper Hidi, të gjithë së bashku përsëritnim njëzëri emrin e ëmbël të lirisë, zemrat e njerëzve të lartësuara nga ky emër, si nga zëri i trumbetës, përpiqeshin të mbronin lirinë, luftonin për të njësoj si për altarët e vatrat e veta. Sigurisht në qoftë se nuk na bashkojnë të këqijat që na kanosen, kam frikë se brenda një kohe të shkurtër do t’i shkruajmë epitaf lirisë. Të gjithë ata që kanë shkruar për Skënderbeun, për Gjergjin e madh, i cili përmbushi një jetë nga më të rrallat në kalvarin e ekzistencës së popujve e të kombeve kanë qenë të ngacmuar nga një argument shumë domethënës – i vogli përballë gjigantit. Ishte pikërisht fitorja 25 vjeçare e një kombi totalisht inferior në numër e pasuri, përballë një makinerie shumë të sofistikuar të luftës, siç ishin otomanët. Skënderbeu arriti të bëhej mit që kur ishte akoma në jetë. Në Evropë dhe më gjerë nuk kishte oborr mbretëror që të mos dinte emrin e heroit, i cili në krye të një populli të bashkuar arriti të zmbrapste sulmet e pafundme osmane. Figura e Skënderbeut është konturuar në përmasa gjigante, jo vetëm për shqiptarët, por edhe për tërë njerëzimin. Ai ishte njeri, i cili la gjurmë të pashlyeshme, duke u bërë pasardhës i denjë, ku kapërceu dhe mjaft nga dinastitë e lashta shqiptare. Princi i Tarantos shkruan me dorën e tij në korrespodenca të ndryshme, ku tregonte vijimësinë e gjakut shqiptar, që nga Pirro e Aleksandri i Madh e deri te ai i kombit, të cilin e udhëhiqte.
Manual luftarak për burrat e shtetit
Në mjaft vepra të autorëve evropianë nën shembullin e betejave e të taktikës fitimtare të Skënderbeut po kërkoheshin sa më shpejt rrugët për dëbimin e osmanëve nga Evropa. Taktikat e përdorura nga Skënderbeu në beteja u bënë, si të thuash, direktiva për vendimmarrje e manualeve luftarake për burrat e shtetit, strategët dhe luftëtarët e tjerë. Pjetri i Madh urdhëronte përkthimin e librit “Mjellma” të shkrimtarit ukrainas J. Galatovski, i shkruar nën shembullin e betejave fitimtare e të taktikës së Skënderbeut botuar në polonisht më 1679, të cilën e mbante vazhdimisht në bibliotekën e tij. Kollokotroni shkruan në kujtimet e tij, se historinë e Skënderbeut e mbante gjithmonë me vete, ndërsa njërit prej bastioneve të kalasë të Mesolongjit iu vu emri i Skënderbeut. Elizabeta do të shënonte me dorën e saj në “Luterusin” e saj më 17 janar 1659 në kujtim të vdekjes së Skënderbeut, se këtë ditë vdiq princi i mirë Skënderbe, mbret i Epirit dhe ngadhënjimtar mbi osmanët. Dëshmi e përhershme e vlerësimit dhe e respektit të thellë, që kanë popujt e tjerë për Skënderbeun, krahas botimeve për të, janë sheshet dhe rrugët e Romës, të Parisit, të Brukselit, të Gjenevës dhe të qyteteve të tjera të vendeve të ndryshme, ku janë vendosur buste e monumente dhe që mbajnë emrin “Gjergj Kastrioti – Skënderbe”. Figura madhështore e heroit Gjergj Kastrioti Skënderbeu është pasqyruar në një numër shumë të madh veprash të arteve figurave. Galeria skënderbejane nis që nga vitet e para të shek. XVI e deri në ditët tona. Shumë autorë të Shqipërisë e të huaj kanë bërë portretin e kryetrimit plot adhurim e dashuri. “Nuk dua të mbyll sytë pa parë malet e Shqipërisë, dëshmitarë të luftës së atij gjeniu luftëtar”, do të shkruante me admirim Ernesto Sabato.
Sigal