Skënderbeu, krijuesi i artit ushtarak në mesjetë

905
Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj
Artin ushtarak e përshtati me kushtet konkrete
Shkrimtari islandez Hanns Bajnnerson ka thënë se, dhuntia ime poetike është e varfër dhe pafuqi, kur vjen rasti t’i këndoj një burri të tillë, që në fushën e mejdanit e mbajnë më të mirin ndër të gjithë kombet. Skënderbeu me fitoret e arritura në krye të popullit shqiptar, kundër ushtrisë më të fortë të kohës u bë një figurë e njohur politike dhe ushtarake dhe u radhit në strategët e mëdhenj të mesjetës. Mënyrat, format e metodat e të luftuarit, përbërjen e ushtrisë dhe artin ushtarak të saj, kundër ushtrive osmane dhe venetikase, në territorin e Shqipërisë dhe në krahinat e sheshta të Puljes në Itali kanë tërhequr vëmendjen e teoricienëve e specialistëve ushtarak, vendas dhe të huaj, për orgjinalitetin e tyre. Skënderbeu veçoritë e artit ushtarak të kohës, jo vetëm që ua përshtati kushteve konkrete të Shqipërisë dhe karakterit luftarak të shqiptarëve, por u tregua novator, duke e zhvilluar atë edhe më tej. Në planin strategjik Skënderbeu i propozon Papës bashkërendimin e veprimeve luftarake të kryqëzatës për dëbimin e osmanëve nga Evropa.
Karakteri i ushtrisë së Skënderbeut
Duke iu referuar dokumenteve, burimeve arkivore ekzistuese si Historia e Skënderbeut e Marin Barletit, F. S. Nolit, burimeve Osmane e Bizantine si dhe burimeve arkivore italiane, islandeze e finlandeze të gjetura kohët e fundit mbi jetën dhe veprën e Skënderbeut, mund të krijojmë një përfytyrim të saktë mbi përbërjen, kompletimin e ushtrisë shqiptare në kohën e Skënderbeut e cila me fitoret e saj kundër ushtrive të shumta Osmane u bë e njohur dhe e famshme në të gjithë Evropën. Humanisti M. Barleti, biografi kryesor i Skënderbeu na jep të dhëna të plota për ushtrinë tij. i cili thotë se “.. unë nuk kam shkruar trillime, por ato që më kanë treguar me kujdes më të mëdhenjtë dhe ato që kanë parë me sytë e tyre disa që kanë marrë pjesë, dhe kam parasysh besimin e shumë burrave që thonë të vërtetën…” Kryengritjet e vazhdueshme të popullit shqiptar dhe sidomos ato të gushtit 1443 u kurorëzuan me sukses kur Skënderbeu u kthye në Shqipëri dhe u çlirua Kruja më 28 Nëntor 1443. Shpartallimi dhe humbjet e mëdha që pësoi ushtria osmane nga Janosh Huniadi më 3 Nëntor 1443 në Nish nuk i dha mundësi Sulltan Muratit II të kundërvepronte me forca të mëdha për të shtypur kryengritjen në Shqipëri sepse siç thotë Barleti “Murati s’dinte gjë për këtë ngjarje dhe ishte nga ana tjetër, i zënë në luftën hungareze”. Por me gjithë sukseset e arritur liria e fituar nuk ishte siguruar, pavarësia ishte në rrezik.

Bashkimin e forcave në funksion të mbrojtjes të vendit
Skënderbeu pasi çliroi principatën e vetë bëri një pune përgatitore të gjithanshme dhe intensive, mblodhi në Lezhë të gjithë princat shqiptar, nga malësia e Shkodrës deri në jugë dhe mbajti Kuvendin e Lezhës. Ai organizoi një federatë të principatave shqiptare dhe organizoi Forcat e Armatosura, të cilat patën karakterin e një ushtrie federale si e vetmja force e aftë për të mbrojtur pavarësinë e fituar. Për këtë Gjon Muzaka në kujtimet e tij shkruan se princat e Shqipërisë bënë kongresin në Lezhë. Dikush shkoi personalisht, dikush dërgoi përfaqësues. Skënderbeu u bë kryeprijës i tyre në Shqipëri. Nën drejtimin e tij Lidhja e Lezhës u bë bërthama e parë efektive për njësimin politik e ushtarak të forcave të popullit shqiptar kundër agresionit Osman. Kjo nuk ishte një dukuri e rastit. Por, më qartë se të gjithë bashkëkohësit Ai e kuptoi rrezikun Osman dhe bashkoi të gjithë popullin kundër pushtimit të huaj. Rrezikun e agresionit nga jashtë e shndërroi në një faktor përshpejtues për njësimin e bashkimin e forcave në funksion të mbrojtjes të vendit. Kuvendi i Lezhës hodhi themelet e krijimit dhe të organizimit të Forcave të Armatosura shqiptare. Për krijimin e ushtrisë Skënderbeu në Kuvendin e Lezhës sipas Barletit ka thënë se duhet t’i biem anë e mbanë gjithë vendit. Duhet të shpallet vendimi, duhen numëruar kokë për kokë njerëzit të shkruhen pa humbur kohë ushtarë. Ushtria shqiptare që luftonte në udhëheqjen e Skënderbeut në fillim ishte një ushtri e karakterit federal, si të gjitha ushtritë feudale në mesjetë, të cilin e ruajti për një kohë të shkurtër, por me disa veçori dalluese që kushtëzoheshin nga rrethanat e vendit dhe karakteri e traditat e popullit shqiptar. Në mesjetë nuk ekzistonin ushtri të mirëfillta, por ato mblidheshin kur e lypte nevoja e luftës. Pas mbarimit të luftës ajo shpërbehej dhe ushtarët ktheheshin nëpër shtëpi ku kryenin punët e tyre të përditshme. Nga studimi i materialeve ekzistuese del se ushtria e Skënderbeut, nga kompletimi ishte e shumëllojshme dhe përbëhej nga Ushtria e Përhershme dhe Ushtria Ndihmëse.

Organizoi ushtrinë e përhershme i pari në Evropë
Skënderbeu nuk do të ishte në gjendje që t’u qëndronte rrebesheve të fuqishme e të shpeshta dhe të korrte fitore kundër ushtrisë osmane vetëm me forcat e fisnikëve dhe të mercenarëve po të mos organizonte bërthamën e Forcave të Armatosura shqiptare, ushtrinë e përhershme, siç ishte ajo e jeniçerëve të ushtrisë turke, rolin e së cilës e kishte njohur nga afër, kur ishte në oborrin e Sulltanit. Kjo ushtri ishte kombëtare, paguhej nga Skënderbeu dhe përbëhej nga luftëtarë të zgjedhur, me përvojë e trima, për këtë ushtri Ai tregonte një kujdes të veçantë dhe përgatitjen e saj e drejtonte vet. Kjo ishte garda e Skënderbeut ose siç e quan Barleti Garda Pretoriane që kishte një efektiv 2.000-3.000 vetë. Këta luftëtarë zgjidheshin e njiheshin personalisht nga Skënderbeu dhe qëndronin gjithmonë pranë tij. Në radhët e saj thirreshin djem të rinj dhe besnik. Ajo për bëhej tërësisht nga kalorës të armatosur lehtë dhe në luftë komandohej nga Skënderbeu. Për këtë Barleti thotë …përveç 3.000 që s’i hoqi kurrë nga roja e tij e zakonshme. Për ushtrinë e përhershme të Skënderbeut flet dhe humanisti venedikas, Michael Meleshor kur shkruan, se Skënderbeu mbajti vazhdimisht në ushtri më shumë se dy mijë burra të zgjedhur. Përveç gardës pretoriane në ushtrinë e përhershme bënin pjesë edhe forcat e kufirit të komanduar nga Moisi Golemi. Repartet e kufirit kishin një efektiv 3.000-5.000 vetë. Këto forca kishin për detyrë që të mbronin kufijtë lindorë të vendit të lajmëronin Skënderbeun mbi ardhjen e forcave turke, të mbronin kështjellat në kufi, të evitonin goditjet e befasishme të forcave turke dhe t’u krijonin kushte për t’u futur në mënyrë të organizuar në luftim. Për këtë Barleti thotë se në këtë roje kishte pak më shumë se 5.000 vetë. Ushtria e përhershme ishte forca e gatshme kryesore goditëse e ushtrisë shqiptare në Mesjetë dhe Skënderbeu e përdorte gjithmonë për të dhënë goditjen kryesore në betejë. Në sajë të kësaj ushtrie ai nuk u zu asnjëherë në befasi nga forcat osmane. Si një strateg ushtarak i zot ai fatet e mbrojtjes së vendit, nuk mund t’i varte në forcat që mobilizonte në rast fushate, por synonte që në momentin fillestar të ishte në gjendje të përballonte sulmin e forcave osmane me ushtrinë e përhershme, e cila së bashku me forcat e kufirit arrinte një efektiv 5.000-8000 vetë. Ushtria e përhershme e rregullt, natyrisht jo në kuptimin e sotëm të fjalës, u organizua nga Skënderbeu në vitin 1443, dy vjet më përpara se ta organizonte Karli II i Francës. Kështu që Skënderbeu ishte i pari në Evropë që krijoi ushtrinë e përhershme në periudhën e Mesjetës. Me krijimin e ushtrisë së përhershme Skënderbeu kishte në duart e tij dhe të shtetit shqiptar një armë të fuqishme me të cilën mund të përballonte në periudhën fillestare agresionin dhe të kryente detyra të rëndësishme në interes të shtetit shqiptar.

Organizimi i ushtrisë së detyrueshme
Ushtria Ndihmëse, përbehej nga forcat e detyrueshme, mercenare dhe forcat e fisnikëve, të cilët ishin të detyruar që në rast lufte të thirreshin nën armë me një kontingjent të caktuar ushtarësh. Forcat e Detyrueshme, përbënin pjesën më të madhe të ushtrisë shqiptare mbi të cilën ra pesha më e rëndë ë luftës 25 vjeçare kundër pushtimit osman. Në përbërje të saj mobilizoheshin fshatarë të lirë nga principata e Kastriotëve dhe krahina të tjera të vendit. Fshatarësia e lirë e çliruar nga robëria feudale ishte e vendosur për të mbrojtur lirinë e fituar. Për këtë F. S. Noli thotë se bujkrobërit s’kishin asnjë interes të mbronin zotërinë e tokës së vendlindjes së tyre dhe asnjë vështirësi të ndërronin zotërinjtë. Por, fshatarët e lirë shqiptarë i mbrojtën liritë e tyre dhe ndryshe nga fqinjët, bënë një rezistencë më të gjatë dhe më të hidhur që mund të ketë regjistruar ndonjëherë historia. Kur Skënderbeu foli në Kuvendin e Lezhës, se duhet t’i biem anë e mbanë gjithë vendit për të mbledhur ushtarë kishte parasysh ushtrinë e detyrueshme, duke u bazuar në traditën e popullit tonë që për të mbrojtur vendin nga armiqtë ishin të detyruar si prej zakoni, që me t’u dhënë kushtrimi të rrëmbenin armët dhe t’u shkonin prapa të parëve të tyre, pa shpërblim për të mbrojtur lirinë e vendit. Kjo traditë vërtetohet nga një dokument i arkivave të Venedikut ku thuhet, se në Shqipëri të gjitha shtresat ishin të detyruara të bënin shërbimin ushtarak.
Sigal