Skënderbeu ka 15 vjet që rri i “burgosur”

94

Monumenti ishte vendosur në Përrenjas, u vodh në 1997 dhe prej asaj kohe ndodhet në Komisariatin e Librazhdit

Asnjë nuk kujtohet për këtë memorial që u ndërtua me rastin e betejës së parë të Skënderbeut kundër ushtrisë turke në fushën e Domosdovës (ose betejës së Torviolit). Me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë duhet të vendoset në vendin që i takon, vend i cili është i zaptuar nga privatët dhe duhet të lirohet sa më parë.

Situata

Pak kush e di që në Përrenjas është ndërtuar një monument kushtuar betejës së parë të Skënderbeut. Monumenti është pesë metra i lartë në formën e një kalaje. Në njërën anë është përkrenarja dhe në anën tjetër është shqiponja (por që sot mungon), të dyja prej bronzi. Në vitin 1997 keqbërës,të  zonës, vodhën shqiponjën për ta shitur jashtë shtetit, por një banor i zonës njoftoi policinë e atëhershme, ku më pas monumenti u dërgua në postën e Policisë së Përrenjasit dhe më pas në komisariatin e Librazhdit, ku gjithkush e shikon në hyrje të policisë, ku siç shikohet dhe nga pamjet, ndodhet në këtë institucion. Shumë turistë të huaj shpesh e vizitojnë këtë monument aty ku është, në komisariat, por do të ishte shumë më mirë që të rikthehej e të vendosej në vendin bosh, ku vetëm shenjat kanë mbetur.

Historia

Mbas arratisjes së Skënderbeut nga Turqia duke u kthyer në Shqipëri, Porta e Lartë vendosi të hakmerret ndaj tij dhe me një ushtri të madhe u nis drejt Shqipërisë për të shfarosur kombin shqiptar.  Dhe pikërisht në fushën e Domosdovës, ku kalonte rruga Egnatia u zhvilluan luftimet, ku Skënderbeu  shkatërroi tërësisht ushtrinë turke. Sipas historianëve ka qenë 29 Qershori 1444 me komandant Ali Pashën. Ushtria turke pësoi disfatën e parë nga ushtria e Skënderbeut  dhe madje ishte ndeshja e parë e shqiptarëve me turqit. Dhe këtë beteje Sulltan Murati e quajti “tersllëk”. Madje dhe Marin Barleti në librin e tij “Historia e veprave të Skënderbeut-Princit të Epirit”, flet për betejën e fushës së Domosdovës. Dhe me rastin e 500- vjetorit të kësaj beteje u vendos të ndërtohet ky monument që ju shikoni.

Paradoksi

Qytetarët falënderojnë  policinë që e ka ruajtur nga vjedhja, megjithëse janë ndërruar shumë drejtues  në komisariatin e Librazhdit dhe ata të tanishmit nuk e dinë se nga ka ardhur ky monument, por dhe sipas drejtuesit të muzeut duhet të vendoset në vendin që i takon. Në prononcime konfidenciale drejtuesit e institucioneve shprehen se është detyrë e Komunës Rrajcë dhe jo e tyre që të merret me këtë punë, ndërkohë që nga Ministria e Kulturës është përcaktuar qartë se kush mban përgjegjësi. Por punonjësit “gjumashë” ju mjafton vetëm rroga që fusin në xhep, por dhe vetë punëdhënësit nuk dinë se kë paguajnë dhe si i harxhojnë fondet.