Skënderbeu bëri epokë historike

2523
Prof. Asoc. Dr. Bernard ZOTAJ

Rruga e gjatë historike e shqiptarëve
Luftërat i bëjnë njerëzit duke u mbështetur në një bazë ekonomike me mjete e materiale që zotërojnë. Historiografia jonë i ka dhënë përgjigje premisave objektive shoqërore politike të domosdoshme për shpjegimin e luftës titanike që ka bërë populli ynë nën udhëheqjen e Skënderbeut. Domethënia historike e epokës së Skënderbeut është e lidhur para së gjithash me periudhat pararendëse e pasuese të Historisë së Shqipërisë, shprehje e virtyteteve dhe e forcës jetësore të shfaqur gjatë shekujve nga shqiptarët. Rruga e gjatë historike, energjitë e jashtëzakonshme do të dështonin, siç ka shkruar Aleks Buda, se çdo përpjekje për t’i dëbuar shqipatarët nga trojet e tyre e për t’i përdorur për mbushjen e legjioneve të qezarëve, të ushtrive baziluese bizantike, të krajlëve serbë, etj. Në vitet ’80 të shek. XIV “Akinxhinjtë” osmanë u shfaqën për herë të parë te kufijtë e krahinave shqiptare, deri në epilogun e luftës skënderberiane në 1479, në rrethimin e Shkodrës, lufta ndaj tyre u bë detyrë e një shekulli të tërë. Që në hapat e para, në betejën e Maricës në vitin 1371, në Savër në vitin 1382, në betejën e Kosovës në vitin 1389, kudo gjejmë forcat e sundimtarëve shqiptarë për t’u bërë ballë vërshimit osman. Si në etapën e parë të qëndresës, por dhe në etapën e dytë me kryengitjet në Labëri, Mat, Dibër, Cermenikë, Tiranë, Dukagjin dhe sidomos ato të udhëhequra nga Gjergj Araniti, i cili ishte i pari që dha goditje dërmuese ushtrisë osmane të komanduar nga Ali Bej Evrenozi në vitin 1433, duke e futur në kurth e duke e bërë copë-copë në grykat akreceriane të Kurveleshit, nuk e ndryshuan gjëndjen në Shqipëri.
Në krye të luftës doli Skënderbeu
Etapë dhe epopkë e re erdhi në ndryshimin e gjendjes, kur u sigurua në krye të luftës doli Skënderbeu, i cili bëri vlerësimin e periudhës pararendëse, si një përvojë të rëndësishme historike. Të dhënat arkivore flasin se lufta e madhe që u zhvillua në Shqipëri nuk e nxori në mënyrë të befasishme Skënderbeun në skenën historike. Skënderbeu ishte pranë ngjarjeve të mëdha politike ushtarake që ndodhën në Shqipëri e për rrjedhojë mjedisi, atdheu, bashkatdhetarët dhe prindërit kanë shërbyer si vatra të edukimit e të formimit politik e atdhetar të heroit. Dalja e Skënderbeut në krye të jetës politike ushtarake, favorizohej nga një varg faktorë, si dihet roli i madh i Skënderbeut në organizimin e kryengritjes së përgjithshme në vitin 1443. Dihet se fillimi i viteve ’40 të shek. XV, rrethanat ndërkombëtare favorizuan shpërthimin e kryengitjeve antiosmane në Shqipëri. Ndërkohë, trupat hungareze të komanduara nga Janosh Huniadi arritën të ndalonin përkohësisht përparimin e osmanëve drejt Evropës Qendrore. Kjo fitore e ushtrisë së Huniadit ngjalli shpresa te popujt e Ballkanit dhe u vlerësua nga fisnikët shqiptarë, midis të cilëve dhe Gjergj Aranitit, i cili ndërmori aksione dhe arriti fitore konkrete kundër osmanëve. Në betejën e Nishit, të 3 nëntorit 1443, ndodhej dhe Skënderbeu në atë kohë sanxhakbeu i Nikopolit. Shpartallimi i osmanëve në këtë betejë u gjykua dhe u vlerësua si më i përshtatshëm nga Skënderbeu për çlirimin e tokave shqiptare. Në krye të disa qindrave luftëtarëve shqiptarë, pjesëmarrës në këtë betejë, i shoqëruar dhe nga nipi i tij, Hamza Kastrioti, ai mori rrugën në drejtim të atdheut e për të vijuar në drejtimin e Kryengitjes së Përgjithshme të vitit të 1443, për çlirimi e vendit. Arritjet me çlirimin e viseve të gjëra të vendit, në Shqipërinë Qendrore e të Epërme etj, në kryengitjen e përgjithshme të vitit 1443, ishin një fitore historike që duhej mbrojtur e çuar më tej. Perandorisë Osmane mund t’i bëhej ballë vetëm me bashkimin e forcave të brendshme politike, ushtarake, ekonomike etj., si dhe bashkëpunim me vendet e tjera. Më mirë se cilido këtë e kuptoi Skënderbeu, i cli gjykoi e inicoi mbajtjen e Kuvendit të Lezhës, si i pari në historinë e shqiptarëve me një përfaqësi të gjërë kombëtare. E njohur si Besëlidhja Shqiptare e Lezhës, ajo u krijua si një aleancë politike e ushtarake e luftës së përbashkët të fisnikëve shqiptarë kundër pushtuesve osmanë. Kryetar i saj u zgjodh Skënderbeu, ndërsa institucioni më i lartë vendimmarrës u bë Kuvendi i Anëtarëve të Besëlidhjes. Vendim shumë i rëndësishëm i Kuvendit ishte krijimi i ushtrisë së përbashkët dhe caktimi i Skënderbeut si Komandant i Përgjithshëm i saj. Për të përballuar shpenzimet e mbajtjes së ushtrisë, Kuvendi vendosi që pranë Skënderbeut të krijohej një arkë e përbashkët.
Shtrirja e zotërimeve të Kastriotëve
Në qendër të viseve të lira të vendit shtriheshin zotërimet e Kastriotëve në vijën detare Lezhë-Durrës, arrinte në lindje në afërsi të Shkupit, si dhe nëpër të kalonin rrugët më të rëndësishme që lidhni krahinat jugore me verioret dhe lindoret me perëndimoret. Në veri të Shtetit të Kastriotëve shtriheshin zotërimet e Dukagjinëve, të Zahariajve, të Spanëve, të Dushmanëve, të Gjurashëve etj. Në jug të Kastriotëve ishin zotërimet e katër familjeve të rëndësishme: të Aranitëve, të Topiajve, të Gropajve dhe të Muzakajve që ishin kritike me viset e pushtuara prej osmanëve, prandaj mbi to do të binte dhe pesha kryesore e luftës kundra pushtuesve osmanë. Zotërimet e tyre arrinin në jug deri te rrjedhja e lumenjëve Devoll dhe Seman, kurse në lindje shtriheshin deri në afërsi të Manastirit. Lidhjet farefisnore e martesore me sudimtarë të fuqishëm. Ndër to më të rëndësishmet ishin lidhjet martesore ndërmjet familjve fisnike. Martesa të tilla ishin bërë që në kohën e Gjon Kastriotit, që ishte martuar me Vojsavën, familja e së cilës, sipas Barletit, jetonte në Pollog. Që në kohën e Gjon Kastriotit motrat e Skënderbeut ishin martuar me anëtarë të familjeve fisnike më të fuqishme të kohës. Vetë Skënderbeu u bë dhëndërr i Gjergj Aranitit, ndërsa Muzakë Topisë i dha për bashkëshorte të motrën, Mamicën. Zotërimet e këtyre feudalëve, jo vetëm kishin një potencial shumë të madh, por ndodheshin në zona strategjike që diktonin masa të forta sigurimi e mbrojtjeje. Nëpër to kalonte Rruga Mbretërore (Egnatia) dhe degëzimet e saj në drejtim të viseve të Shqipërisë së Epërme e asaj të Poshtme, nëpërmjet të cilave trupat osmane mund të futeshin në thellësi të tokave të lira shqiptare për të sulmuar kryeqëndrën e tyre, Krujën. Këto lidhje, e sidomos mbështetja e fortë juridike e morale që i dhanë vendimet e Kuvendit të Lezhës, bënë, që në betejën e Drinit, të marrë pjesë dhe Gjergj Arianiti, ku trupat e tij shkojnë në thellësi deri në dyert e Shkodrës, megjithëse interesat e tij nuk ishin cënuar drejtpërsëdrejti nga Vendiku etj.
Personaliteti i Skënderbeut
Favorizuese për Skënderbeun ishte dhe qenia në duart e tij e Krujës, si qendra më e rëndësishme politike-ushtarake e tokave shqiptare të çliruara. Treva e Krujës në raport me viset e tjera të vendit zinte një pozitë shumë të rëndësishme nga rrugët që kalonin nëpër të e që mbikqyrnin mirë nëpërmjet kështjellës së Krujës, e cila ishte kështjella më e fuqishme në vend nga ku mund të vëzhgohej sistemi i rrugëve dhe i viseve të çliruara dhe për të hyrë në kontakt të shpejtë me shtetet e huaja antiosmane, prandaj u bë dhe kryqendra e vendit. Mbi të gjitha këto kushte favorizuese dominon personaliteti i Skënderbeut, që kishte të gjitha ato cilësi, më tepër se kushdo tjetër, për të përmbushur detyrat e kohës. Të gjitha burimet e kohës sjellin faktin se Skënderbeu ka patur një formim të plotë e të gjithanshëm që vihej në radhët e para të figurave politike e ushtarake të kohës. Kultura e gjithanëshme, vetitë e shkëlqyera, karriera brilante në radhët e kuadrove ushtarakë osmanë, njohës shumë i mirë i jetës e artit ushtarak osman, si më modern në kohë dhe sidomos njohja shumë e mirë e gjendjes e mundësive ekonomike, ushtarake e financiare të vendit të vet, ishin parakushtet e domosdoshme për të kaluar e dominuar si kapiten i përgjithshëm i luftës.
Sigal