Skënder Gjinushi, ka bërë muze për babain e tij, Shtëpinë e Kulturës në Hormovë të Tepelenës

1136
P. HALILI
Mund të duket çudi, por gjatë kohës që Skënder Gjinushi, ka qenë kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, përveçse u “rraskapit për të zgjidhur hallet e popullit”, ka punuar edhe për nderimin e babait të tij, Gjeneral Et’hem Gjinushi, një figurë e njohur e Luftës Nacional_Çlirimtare, nga meritat e të cilit, Skënderi (Sasha) përfitoi studimet në Francë, u bë Sekretar i Rinisë të Shqipërisë dhe Ministër Arsimi. Prej 26 vitesh është kryetar i një partie, me Seli (vilë) të dhënë nga shteti me 20 zyra, me 6 garazhe makinash, me 10 pemë dhe me.. 3 anëtarë! Skënder (Sasha) Gjinushi, me fuqinë që i jepte pushteti si Kryetar Kuvendi, rrëmbeu nga pasuritë e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë (BSPSH), Shtëpinë e Kulturës të ish-Ndërmarrjes Bujqësore “Polo Bezhani” në Hormovë të Tepelenës (fshati i lindjes) dhe e bëri… Muze Historik vetëm për babain e tij! Pa bërë komente, po publikojmë informacionin zyrtar të dorëzuar në kryeministri, nga Agjencia e Inventarit të Pasurive të Paluajtshme Shtetërore (AITPPSH), përfshirë në raportin përfundimtar të verifikimit të gjendjes fizike dhe statusit juridik, të pasurive që u janë dhënë në përdorim sindikatave shqiptare në rrethin e Tepelenës.
Ja informacioni i plotë zyrtar
“Pas verifikimit të pasurive, dhënë në përdorim Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë (BSPSH) në rrethin e Tepelenës, rezulton: “Nga ZVRPP Tepelenë, pasuria me nr. 273/6 me emërtesë “Shtëpia e Kulturës Hormovë”, ndodhet në Zonën Kadastrale Nr. 1960, me Indeks Harte K-34-137 (68-C, lloji ndërtesë, statusi “shkollë”, me sipërfaqe trualli 2120 m2, me sipërfaqe ndërtese 568 m2. Nga verifikimi fizik, rezulton se është bërë: “Muzeu Et’hem Gjinushi”. Nga ana e Agjencisë së Inventarit të Pasurive të Paluajtshme Shtetërore (AITPPSH), nuk mund të bëhet identifikimi i kësaj pasurie në listë, pasi pas tjetërsimit mungojnë të dhënat e plota në lidhje me Zonën Kadastrale dhe numrin e pasurisë, miratuar me Vendimin nr. 69, datë 21.1.2009, të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore të Komunës Qendër-Tepelenë, të Qarkut të Gjirokastrës”.
Sigal