Skenari për 23 mijë largime nga puna në administratë

1245
Përparim HALILI

“Skenari” për të realizuar dhe justifikuar 30 mijë largime e punësime politiko-nepotike nga puna, “transferime” në zona 
Ky spastrim është ideuar nga kupola e “Rilindjes”, po dirigjohet nga grupi i punës, po realizohet nga DAP dhe degët e PS
Për të realizuar e justifikuar me “qetësi’ dhe pa asnjë reagim publik, politik e ndërkombëtar, largimet nga puna dhe nga administrata, të atyre që nuk janë anëtarë dhe militantë të PS e familjarë të tyre, komisioni qeveritar i ngritur për gjoja “ristrukturimin e administratës publike”, do të përdorë metodën e “fshesës”, që 12 vjet më parë e përdori edhe ish-pushteti i PD e, që duhet thënë, se pati sukses në masën 80%., duke detyruar largimin e afro 50% të punonjësve, ish-militantë të PS e të së majtës! Tani, rolet janë ndërruar dhe fakti, që PS e ka pushtetin vetëm, ka menduar të bëjë të njëjtën gjë, duke pasur zyrat dhe vendet e punës, të mbushur vetëm me militantë të saj dhe familjarë të tyre. Sipas informacionit që disponon “Telegraf”, 23 mijë nëpunësit e administratës me dhe pa Status të Nëpunësit Civil, afro 12 mijë punonjës të sektorëve të shërbimeve publike dhe 1100 punonjës të njësive vendore që janë futur në “listat e zeza” të largimit nga vendet e punës, do të përfshihen në skenarin e transferimeve larg vendbanimeve të tyre! Sipas këtij skenari, listat janë bërë gati për ekzekutim, të hartuara nga çdo ministri, drejtori qendrore e rajonale, bashki, qarqe dhe prefektura në të gjithë vendin. Hapi i parë i këtij spastrimi është hedhur, duke zëvendësuar drejtorët qendrorë e rajonalë të çdo sektori. Këta do të vulosin vendimet për largimet e vartësve të tyre në çdo nivel dhe sektor, duke pasur urdhër dhe mbështetje nga ministrat! Listat janë bërë gati nga tre “duar”: Degët e PS në rrethe, deputetët e zonave dhe drejtorët e PS! Ky largim do të bëhet me skenarin e transferimeve. Punonjësit që janë futur në këto lista, do të transferohen nëpër qarqe e rrethe të tjera me afat të përkohshëm, përgjithnjë ose me afat pacaktuar, duke u dhënë vendimin me tekstin shabllon: “Për nevoja pune të institucionit, ndërmarrjes”! Pra, nuk do t’u jepet vendim largimi nga puna, por nga qendrat e banimit ku ata kanë vendet e punës, duke evituar akuzat për largime politike nga puna! Ata që do të refuzojnë vendimin e transferimit, do të cilësohen “Shkelës të Kodit të Punës, me pasojë cenimin e njëanshëm të kontratës së punës” dhe do të largohen! Sipas këtij skenari, parashikohet që drejtues, zyrtarë dhe specialistë, të cilët banojnë e punojnë p sh., në institucione e shërbime publike në qarqet Tiranë, Fier, Vlorë, Berat, Shkodër apo Elbasan, do të transferohen me punë në qarqet Gjirokastër, Kukës, Mirditë, Korçë, Lezhë e anasjelltas, larg familjeve të tyre. Natyrisht që ligji, përcakton pagesa transfertash, por ato janë aq të papërfillshme, sa ata edhe, nëse pranojnë të shkojnë nëpër zona për të mos humbur vendet e punës, duhet të punojnë vetëm për të ushqyer… veten e tyre! Masiv do të jetë ky lloj “transferimi” për punonjës dhe specialistë të policisë, ushtrisë, naftës, energjisë, ujësjellësve, bujqësisë, inspektorateve të kontrollit, transportit, rrugëve, KESH, OST, porteve detare, doganave, tatimeve, kulturës etj. Transferimi” nga një rreth e qark në tjetrin është “përzgjedhur” si metoda më efikase për të realizuar dhe justifikuar, jo vetëm politikisht, por edhe ligjërisht, largimet nga puna, të atyre që do të kundërshtojnë “transferimin” dhe parashikohet që afro 80% e 30 mijë punonjësve të skeduar, do të refuzojnë të shkojnë nga Tirana në Kukës, nga Vlora në Dibër, nga Elbasani në Malësi të Madhe!
Skenari për transferimet dhe largimet, i maskuar pas ligjit
Mënyrat për të larguar punonjësit janë Procedurat që do të ndiqen për shkarkimin nga detyra dhe kategoritë që rrezikohen, bazuar në Vendimin e qeverisë datë 17.02.2016. Sipas vendimit, në rastet e lirimit për shkak të mbylljes dhe ristrukturimit të institucionit, njësia e burimeve njerëzore të institucionit deklaron vendimin për lirimin nga shërbimi civil të nëpunësit civil, bazuar në njoftimin e Komisionit të Ristrukturimit ngritur për ristrukturimin apo mbylljen e institucionit. “Njësia e burimeve njerëzore deklaron vendimin për lirimin nga shërbimi civil të nëpunësit civil, për të gjitha rastet e parashikuara në nenin 66, të Ligjit nr. 152/2013, menjëherë me konstatimin e tyre. Të drejtën për të propozuar pranë njësisë për burimet njerëzore lirimin nga shërbimi civil të nëpunësit civil e ka edhe eprori direkt. Në këtë rast, njësia e burimeve njerëzore deklaron vendimin për lirimin nga shërbimi civil të arsyetuar 3 (tri) ditë pas propozimit të eprorit direkt”, thuhet në vendim. Sipas tij, nëpunësi që largohet nga shërbimi civil duhet të bëjë të gjitha veprimet e duhura për dorëzimin e detyrës në mënyrë korrekte dhe në përputhje me etikën e nëpunësit civil. Në rastin e transferimeve të përkohshme, nëpunësi i shërbimit shkon në një institucion tjetër për 6 muaj, për të ngritur rezultatin e punës. Ndërsa në rastin e transferimeve të përhershme, ato vijnë për shkak të mbylljes së ristrukturimit të institucionit, të shkurtimit të vendeve të punës dhe ndryshimit të kritereve të vendeve të punës. Në bazë të ligjit, nëpunësit e institucionit të ristrukturuar apo të mbyllur njoftohen individualisht nga njësia e burimeve njerëzore për fillimin e procedurës së transferimit apo përfundimit të marrëdhënies në shërbimin civil për shkak të mbylljes apo ristrukturimit të institucionit, në momentin e miratimit të aktit të ristrukturimit apo mbylljes së institucionit.
Postet e drejtorëve në 104 institucionet qendrore, do t’u jepen familjarëve të ministrave
Grupi i Punës për ristrukturimin e administratës së lartë publike, i drejtuar nga Niko Peleshi, ka bërë një “specifikim”, sipas të cilit “Rilindja-2” po jep sinjalin e plotë të krijimit të një pushteti qendror familjar, nepotik e klientelist, të kapur totalisht, nga klani i besuar në kupolën e PS. Burime nga grupi i punës “Peleshi” që po menaxhon emërimet në administratën qendrore, kanë bërë me dije për “Telegraf”, se postet e drejtorëve të 104 agjencive dhe institucioneve qendrore që do të mbeten, do t’u besohen familjarëve dhe miqve të krerëve të pushtetit “Rilindja”! këto poste drejtuese nuk do të përfshijnë në konkurset e DAP dhe as do të diskutohen në strukturat e partisë, por do të jenë ekskluzivitet i “klanit” të afërt të kreut të “Rilindjes”. Lista e këtyre “gradimeve” tashmë është bërë gati dhe është miratuar, duke vendosur që këto 104 drejtori agjencish e institucionesh qendrore ku “bëhen lekë e biznese” me tenderë, koncesione e privatizime, të komandohen nga vëllezërit, motrat, kunetërit, nipërit, mbesat, baxhanakët, krushqit e ministrave, të cilët kanë planifikuar t’i emërojnë nëpër ministritë e njeri-tjetrit! A ka mundësi, që një ministër t’i kërkojë llogari familjarit të tij, apo të kolegut të tij ministër, që të kryejë detyrën sipas ligjit?! A mund ta luftojnë korrupsionin?!
DAP, u dërgon “ferman” 88 mijë nëpunësve: “Bëhuni gati për transferime dhe largime”
Pasi i ka dërguar shkresën nëpër institucione, për të hartuar listat me emrat e punonjësve të administratës, të cilët janë piketuar për t’u larguar nga puna si “kundërshtarë të Rilindjes”, shtatë ditë më parë, Drejtoria e Administratës Publike (DAP), u ka dërguar një “ferman” elektronik edhe gjithë punonjësve të administratës në mbarë vendin, duke i njoftuar për projektin e ristrukturimit të institucioneve, në kuadër të “mono-qeverisë” së PS. Në këtë shkresë, të firmosur nga drejtorja e DAP, Albana Koçiu, thuhet: “Për shkak të ndryshimeve në kabinetin qeveritar, do të ketë ndryshime/shkurtime në funksionet dhe strukturat e ministrive… Si rrjedhim, ju jeni objekt i gjykimit për transferimin apo përfundimin e marrëdhënies suaj në shërbimin civil. Lutemi, të kujdeseni që çdo dokumentacion juaji, në lidhje me edukimin, kualifikimin, masat disiplinore, përvojën e punës dhe vlerësimet, të jetë në dosjen tuaj të depozituar pranë njësisë së burimeve njerëzore të ministrisë/institucionit, pasi ato janë dokumentacion i domosdoshëm, për të vendosur mbi ecurinë e marrëdhënies tuaj të punës në shërbimin civil”. 

FAKTI/50 mijë militantë të “Rilindjes”, po vijnë vërdallë “tepsisë” për punësime
Socialistët, të cilët në mandatin e parë 2013-2017 të pushtetit të “Rilindjes”, u mashtruan për vende pune nga deputetët, ministrat dhe drejtuesit e PS në zona, po përjetojnë rikthimin e shpresës për punësim në këtë mandat të dytë. Këtë shpresë e ka ngjallur marrja e pushtetit të “tepsisë” vetëm, lajmi për largimet masive e të shpejta të drejtuesve, nëpunësve dhe punonjësve të ish-partisë aleate LSI-së dhe njoftimi i krerëve të PS, për punësime të reja në administratë e në shërbimet publike. Ky njoftim është kuptuar si premtim nga mijëra anëtarë, militantë e familjarë të tyre të papunë, të cilët janë vërsulur në zyrat e PS-së në qendër dhe rrethe, në dyert e ministrive, drejtorive, bashkive, prefekturave qarqeve, ndërmarrjeve e institucioneve të shumtë dhe po rendin pas ministrave, deputetëve e drejtorëve, në kërkim të vendeve të punës. Sipas informacioneve nga baza e PS, në zyrat e kësaj partie në rrethe, janë regjistruar mbi 50 mijë anëtarë dhe militantë që kërkojnë punë, të cilët kanë depozituar, jo vetëm “CV”, por edhe rekomandimet e deputetëve, ministrave e udhëheqësve të kupolës qendrore të PS-së. 
Sigal