Skenar për të grabitur miliardat e drogës

644
Gazmir ZADRIMA
Mund të mendohet, se skenarët dhe praktikat e pushteteve të 50, 70 e 100 viteve më parë “kanë dalë nga moda” dhe nuk kanë më efekt në ditët e sotme. Por në fakt, disa prej atyre “modeleve” të sjelljes së krerëve të shteteve e pushteteve të 50, 70 e 100 viteve më parë, në përpjekjet e tyre për të kontrolluar situata krize, për të plaçkitur pasuri nga shteti dhe nga “kaçakët” e botës së krimit e për të “zgjidhur probleme” të caktuara me synime sundimi afatgjatë, konstatohet se janë funksionale edhe sot. Mjafton t’i kopjosh të plotë këto skenar e t’i zbatosh pa asnjë ndryshim në praktikë dhe ka sukses. Një nga këto “modele” të përpara 72 viteve, të ideuar, inskenuar, të zbatuar e realizuar në Shqipëri nga ish-pushteti komunist i Enver Hoxhës është menduar të zbatohet “kallëp” edhe prej kupolës së pushtetit të “Rilindjes”. 
Denoncon një drejtues policie, pjesë e skenarit në zonën veri-lindore
Në bisedë me një drejtues policie pjesë e këtij skenari në zonën veri-lindore të Shqipërisë, ai na bëri me dije se kupola e “Rilindjes”, pra grupi “Rama-Tahiri” po bëhet gati të zbatoj një skenar plaçkitës të drogës së prodhuar në Shqipëri, të zbatuar në vitin 1945 prej ish-regjimit komunist për plaçkitjen e prodhimeve bujqësore e blegtorale të bejlerëve dhe agallarëve, që i blinin nga fshatarët, ose tregtarët e zonave. Për të realizuar sekuestrimin, ish-pushteti komunist përdori “policinë popullore” të krijuar me “djemtë e luftës”. Edhe sot, ky skenar do të realizohet po nga shtabi i “policisë së rilindjes”, i krijuar me “çunat” e besuar të Saimirit. Sipas informacionit që na dha drejtuesi policor, konfirmohet se ministri Tahiri dhe shtabi i tij i besuar, tashmë e kanë përfunduar dhe e kanë gati planin e veprimit operacional, për të realizuar plaçkitjen e drogës që po kultivohet në çdo ngastër tokë, stallë, bodrum e tarracë shtëpie, deri nëpër fuçi, arka perimesh e bananesh dhe vazo lulesh nëpër ballkone! Kjo sasi hashashi e mbjellë në sasi e peshë më të madhe se gjethet e pemëve, barit, pyjeve e shkurreve të mbetura të Shqipërisë, pritet që së shpejti të “paketohet” dhe të futet në tregun “zinxhir” nga prodhuesit e zonave tek blerësit në qytete e prefektura dhe nga këta, të kalojë tek “distributorët” e prej këtej të përfundoj në rrjetin e tregut të eksportit në vendet fqinj dhe mandej në tregun rajonal e atë evropian. Ky lloj zinxhiri i tregu vendas dhe eksportit masiv të hashashit “Made in Albania” njihet dhe ka shumë raste të zbuluar e të kapur nga policitë fqinje deri 12 orë më parë, por edhe që pas informacioneve të kupolës policore shqiptare kanë “çarë ferrën”, pa harruar raste e shumta kur policia e shtetit ka lënë të lirë transportin dhe shitjen e lëndës narkotike, duke zbatuar “urdhrat e ditës” të dhënë nga kupola e “Rilindjes”. Faktikisht, kupola e policisë së “Rilindjes dihet dhe është provuar në shumë raste, se “ka dorë” në lejimin, kultivimin, tregun e drogës dhe mbrojtjen e prodhuesve e trafikantëve, duke u përfaqësuar me “krye-fermerët” e prodhimit të hashashit, me shitësit zonalë, me blerësit dhe grumbulluesit e “tregut të shumicës”. Për të fshehur këtë fakt, policia ka kryer disa aksione “festive” për korrje droge në disa zona simbolike, sa për të thënë se gjoja po lufton drogën dhe se gjoja e ka situatën nën kontroll, por realisht është e kundërta. Policia jo se nuk e vendos dot kontrollin e eleminimit të kultivimit dhe arrestimit të kultivuesve e tregtarëve të drogës siç veproi në Lazarat, por nuk do se është pjesë e këtij biznesi. 
Gati plani “Rilindja”, për plaçkitjen e lekëve të drogës nga duart e blerësve të shumicës
Tashmë ka ndryshuar plotësisht skenari. Kupola e policisë “Tahiri” është ngarkuar me misionin të mbledh miliardat e drogës. dhe kjo do të bëhet me skenarin e plaçkitjes së tregtarëve në vitin 1945, të cilëve u sekuestroheshin “verdhushkat” në momentin e shit-blerje së mallrave. Kështu është menduar edhe me plaçkitjen e miliardave të drogës nga tregtarët. Kupola e policisë, ka planizuar të mbledh lekët e shitjes së drogës, biznes të cilit i “di rrënjë e dhëmballë”, mbasi prej mëse 2 vitesh ajo është pjesë kryesore komanduese dhe përfituese e këtij biznesi kriminal që prodhon miliarda, afro 60% e të cilave përfundojnë si llogari personale për kupolën e “Rilindjes” së… hashashit! Skenari që do të realizohet është ky: Kupola e policisë “Tahiri” po lejon kultivuesit e drogës ta korrin, ta përpunojnë e ta paketojnë prodhimin e tyre dhe në bashkëpunim me këta prodhues që i ka “punësuar” vetë, të komandoj e të veproj në momentin kur do të bëhet shitja me shumicë. Ky moment i skenarit të plaçkitjes së miliardave nga duart e tregtarëve, do të koordinohet me kultivuesit dhe shitësit, të cilët në fakt janë pjesë e kupolës së policisë, por edhe policë të infiltruar në këtë treg. Fermerët e punësuar prej policisë, të cilët janë kultivuesit dhe tutorët faktik të drogës në Shqipëri si të besuar e familjarë të kupolës “Tahiri”, do të jenë të pajisur me “çip” nga policia. Ata do të bëjnë të ditur datën, vendin, orën, numrin e grupeve të shitje-blerjes, identitetet dhe shtetësitë e deklaruara të blerësve, rrezikshmërinë e tyre, sasinë e drogës e të miliardave që do të jenë në çantat e blerësve të huaj, ose vendas! Pasi të jenë pajisur me çdo të dhënë, do të hidhen në veprim “kaçakët” e ngarkuar me këtë mision nga ministri Tahiri, disa prej të cilëve do të jenë pjesë e pazarit në terren, të maskuar si prodhues e shitës të drogës, të instruktuar për të manifestuar gjeste dhe sjellje prej trafikantësh të sprovuar në këtë lloj krimi! Sipas informacionit, me këtë skenar realizohen dy qëllime: Kapen sasi të mëdha droge e publikohen në medie si “sukses në luftën kundër drogës” dhe grabiten (mblidhen) miliardat e trafikantëve, të cilat po sipas informacionit do të ndahen në pjesë të paracaktuara brenda kupolës së “Rilindjes”, duke veçuar 40% të tyre për shpenzimet që kërkon mbajtja e pushtetit në zgjedhjet e radhës! 
——————————————
Policia dekonspiron tek bosët e drogës, shtetarët lokalë që dhanë informacione
E gjendur përballë pamundësisë për të identifikuar plotësisht kultivuesit e drogës dhe parcelat e mbjella, mësohet se 45 ditë më parë Ministria e Brendshme ka bërë një takim “sekret” me drejtuesit e 61 bashkive të Shqipërisë, me prefektët, zv/prefektët dhe kryetarët e Këshillave të Qarqeve, për të ndërtuar një skemë të re për luftën kundër kultivimit të hashashit, pra për të zhdukur sasitë e mbjella dhe për të bllokuar përfundimisht këtë aktivitet. Sipas informacionit, në këtë mbledhje nuk është folur me “lutje”, por me urdhra të formës së prerë e me gjuhë të ashpër nga ministri Tahiri, duke i kërcënuar edhe me burgosje kryetarët e bashkive, prefektët, kryetarët e qarqeve, administratorët dhe kryepleqtë e zonave, në rast të mos bashkëpunimit me policinë e shtetit! Drejtuesve lokalë, u është vënë përballë nga një kopje e printuar e Ligjit Nr. 9559, datë 8 qershor 2006 me objekt “Për një shtesë në ligjin nr. 7975, datë 26 korrik 1995 “për barnat narkotike dhe lëndët psikotrope”, i cili ka si përmbajtje prangosjen e tyre, në rast të mos kryerjes së detyrimit ligjor për të bashkëpunuar me policinë e shtetit dhe institucionet e tjera ligj-zbatuese anti-krim, për zbulimin dhe informimin e saktë dhe të shpejt lidhur me zonat, parcelat e individët që kultivojnë drogën në territoret e bashkive, qarqeve, prefekturave dhe njësive administrative ku ata drejtojnë! Ultimatumi i dhënë për të zgjedhur lokalë nga ministria e Brendshme, ishte ky: brenda muajit të dorëzohen të dhënat e plota për zonat. sipërfaqet dhe individët që kultivojnë drogën, madje edhe për zyrtarë, apo shtetarë lokalë e qendror që i mbrojnë e i financojnë këta kultivues! Pas marrjes së ultimatumit, drejtuesit lokalë, kanë mbledhur me urgjencë administratorët dhe kryepleqtë e zonave ku ata drejtojnë, duke përsëritur ultimatumin për informacion të shpejt dhe kërcënimin për burgosje sipas Ligjit Nr. 9559, datë 8 qershor 2006, prej të cilit, drejtuesit lokalë të çdo niveli nga kryeplaku e deri tek kreu i Këshillit të Qarkut, detyrohen të informojnë policinë për kultivuesit e drogës në zona, në të kundërt dënohen me burg sipas neneve 248, 300 e 310 të Kodit Penal, me akuzën “Për mos kallëzim krimi, bashkëpunim me krimin dhe favorizim e mbrojtje të krimit”. Por ka ndodhur “çudia”. Kupola e policisë që është komanduese dhe mbrojtëse e kultivuesve të drogës, i ka spiunuar shtetarët lokalë tek bosët e drogës, duke dhënë emrat e atyre që kanë informuar! 
Sigal