Skemë izolimi në kufi për 160 shterarë dhe ish-funksionarë

511
Përparim HALILI
Kufiri i mbushur me lista shtetarësh, që ndalohen të dalin nga Shqipëria
Izolimi po bëhet, mbasi pas rastit “Tahiri” synojnë të arratisen familjarisht në vendet ku “Interpol” nuk ka tagër veprimi
Politikanët, shtetarët dhe zyrtarët shqiptarë të niveleve dhe kompetencave vendimmarrëse, janë futur në “syrin” e hetimit dhe goditjes së shërbimeve të drejtësisë ndërkombëtare. Për të siguruar kontrollin ndaj tyre, shërbimet e hetimit të specializuar ndërkombëtar, kanë hedhur hapin e parë konkret, duke kërkuar “izolimin” brenda territorit shqiptar, të personave me mandat politik e shtetëror, të skeduar si pjesë drejtuese, mbrojtëse dhe bashkëpunuese e e krimit dhe trafiqeve. Sipas burimeve të “Telegraf”, paralelisht me kërkesën për “zhveshjen” nga imuniteti dhe arrestimin e deputetit Saimir Tahiri, ndërkombëtarët kanë detyruar organet ligj-zbatuese shqiptare, që të urdhërojnë edhe pikat e kalimit kufitar tokësor, detar e ajror, një listë me emra shtetarësh, pushtetarësh e zyrtarësh të niveleve të larta që drejtojnë e shërbejnë në çdo sektor, për të mos u lejuar të largohen nga Shqipëria as për “vizita pune”! Thuhet, se ky urdhër ka lidhje me skemën e ndërkombëtarëve, që në bashkëveprim me strukturat sipërore të drejtësisë shqiptare, të pastrojnë dhe ndëshkojnë individët me “profil kriminal” që kontrollojnë deri edhe me grupe çdo pushtet në vendin tonë! Sipas informacioneve që ka siguruara “Telegraf”, lista emërore që ka shkuar në të 11 pikat kufitare shqiptare, por edhe në shërbimet sekrete për të vrojtuar të skeduarit për të mbajtur në “izolim të heshtur” brenda territorit shqiptar, ka në përbërje shumë emra nga parlamenti, qeveria, policia qendrore e rajonale, ekonomia, financat, bashkitë, deri edhe nga kupolat drejtuese të partive politike, të cilët janë me pushtet ose kanë qenë në pushtet. Kujtojmë, që edhe 18 muaj, konkretisht në maj 2016, janë dërguar lista me emra politikanësh e shtetarësh shqiptarë të lidhur me botën e krimit, por që nuk u zbatua. Tashmë që flitet për ndërhyrje konkrete “pastrimi” e ndëshkimi të tyre pa asnjë tolerancë, thuhet se “izolimi” dhe trajtimi i tyre me procesin e “Veting”-ut, do të realizohet! Rasti “Tahiri” dhe emra të tjerë që janë hetuar e janë nën hetim, provon këtë luftë kundër tyre! Sipas burimeve, në listat e bllokimit të daljes nga Shqipëria, janë emrat e 160 drejtuesve dhe ish-drejtuesve policorë nga kupola e ministrisë e deri në drejtoritë rajonale të policisë! Në këto lista janë emrat e 41 deputetëve dhe ish-deputetëve, të 67 drejtorëve dhe ish-drejtorëve qendrorë të ministrive, të qarqeve, të 57 prokurorëve dhe ish-prokurorëve, të 91 gjyqtarëve dhe ish-gjyqtarëve, të 36 funksionarëve dhe ish-funksionarëve të SHISH, të 21 bankierëve, të 52 notereve e ish-noterëve, të shumë shefave e ish-shefave të kufirit e të disa diplomatëve në administratën e Ministrisë së Jashtme në Tiranë. Në listat e çuara në kufi për bllokim kalimi jashtë Shqipërisë, janë edhe emra zyrtarësh të doganave, tatimeve, komisioneve të pronave, të shërbimeve kufitare detare, ajrore e tokësore, të kryebashkiakëve, të drejtuesve të agjencive e inspektorateve dhe të disa biznesmenëve “VIP”. Synimi është, që të inkriminuarit në korrupsion e trafiqe, sidomos të lidhurit me bandat e kultivimit dhe trafikimit ndërkombëtar të drogës së këtyre 3 viteve të fundit, të mos ikin jashtë vendit, për t’i shpëtuar drejtësisë. Kjo skemë “izolimi” e tyre është organizuar dhe po zbatohet, mbasi ka informacione, se shumë prej tyre, duke ditur që janë të përfshirë në botën e krimeve, po planifikojnë të largohen këto ditë pas rastit “Tahiri”, mbasi edhe fëmijët dhe llogaritë bankare, ata i kanë në vendet ku “Interpol” nuk ka “tagër” veprimi për ndalime! Ata që drejtojnë këtë operacion, janë hedhur në veprim, të nxitur prej rrezikut të largimit, mbasi shumica janë të pajisur me “karta” imuniteti funksionesh mbrojtëse, që u privilegjojnë arratisjen nga vendi! Kujtojmë, që gjatë këtyre 25 viteve, njihen 3 raste të mos lejimit të daljes së funksionarëve të lartë nga Shqipëria. Është rasti i një prokurori rajonal dhe i dy politikanëve të lartë, të cilët e kanë ende në fuqi këtë masë bllokimi! Dy ditë më parë, kjo masë bllokimi ka marrë përmasa më të mëdha, duke vepruar me lista masive funksionarësh e ish-funksionarësh, të cilët nuk duhen lejuar të dalin nga Shqipëria, për shkak të dosjeve të hetimit, që u janë hapur, si persona që duhet të ballafaqohen me drejtësinë shqiptare, rajonale,të disa vendeve të BE dhe atë ndërkombëtare! 
Denoncuar nga “Telegraf”, 1 vit më parë 

Administrata, 40% e drejtuesve me “damka penale” 
Sipas fakteve të evidentuara në dosjet e rekrutim-punësimit të nëpunësve, rezulton se në përqindjen më të madhe, pranimi i tyre në zyrat e shtetit është bërë në shkelje të plotë të ligjit, vendimeve dhe urdhëresave e udhëzimeve për rekrutim-punësimet në administratë e në shërbimet publike. Rezulton se 70% e atyre që “kapardisen” në administratën e lartë e të ulët publike, janë punësuar në kundërshtim të plotë me ligjin, me Kodin e Punës e madje edhe në kundërshtim flagrant e të qëllimshëm me Ligjin për Statusin e Nëpunësit Civil. Në këtë skandal abuzimi me emërimet dhe rekrutimet në administratë përfshihen edhe ata që fshihen pas gjoja termit “post përfaqësimi politik”, ku bëjnë pjesë ministrat, zv/ministrat, ambasadorët, drejtorët e lartë në qeverisjen qendrore dhe prefektët, madje edhe zv/kryetarët e bashkive, zv/prefektët etj, të cilët emërohen me lista të “pjesës së pushtetit” që kanë partitë politike në koalicion. Pikërisht këta, përpara se të emërohen e punësohen në zyrat e shtetit, apo si drejtues bordesh e administratorë në krye të shërbimeve dhe enteve publike nuk kalojnë në “filtër”, nuk i nënshtrohen verifikimit të figurës morale e ligjore dhe punësimit sipas Kodit të Punës, por politikisht emërohen funksionarë shteti e pushteti.
Drejtuesit politikë shtetërorë, nxitim për të “pastruar” dosjet penale me rigjykime
Drejt Gjykatës së Lartë, janë vërsulur funksionarë qendrorë e rajonalë, për të për të shpëtuar nga zbatimi Ligjit të Dekriminalizues, duke shfrytëzuar Vendimin Unifikues të Gjykatës së Lartë Nr. 3, datë 27. 09. 2002, të cilin ata e kanë “zbuluar” dhe kanë nisur ta aplikojnë. Janë zyrtarë subjekt të “Veting”-ut. Për t’i shpëtuar zbatimit të ligjit, kanë “vrapuar” drejt Gjykatës së Lartë (si gjykata kompetente), me kërkesa për rihapje e rigjykim të “dosjeve të zeza” që kanë në drejtësi, me objekt “rishikim të dënimeve” të tyre, pra për t’’i shfuqizuar ato, me synimin për të “dalë të pastër” e për të mbetur brenda e në krye të zyrave të shtetit siç janë aktualisht. Me dosje “provash të reja” në duar, natyrisht edhe me avokatë “sekserë esnafë për pazare”, ata pasi kanë “zbuluar prova të reja lehtësuese” që i nxjerrin “të pafajshëm”, kanë trokitur në “portën” e Gjykatës së lartë. Çdo ditë, sidomos që nga dje kur ligji dekriminalizues u bë publik, në sekretarinë e kësaj gjykate depozitohen kërkesa për “rishikim dosjesh”. Ata që kërkojnë “pastrim dënimesh” janë zyrtarë të shtetit me funksione publike dhe të zgjedhur në pushtetin lokal, por edhe persona që presin të marrin funksione drejtuese, sipas premtimeve që u kanë bërë shefat e tyre shtetëror e partiakë! 
Sigal