SKEMA/ Taksa e pronës dhe shtëpitë e dyta, ja se si do të funksiojë

657
Sipas FMN, Shqipëria është një nga vendet që mbledh më pak të ardhura nga taksat e pronës.
Ngritja e kadastrës fiskale dhe ndryshimi i sistemit të taksimit ka qenë një nga kërkesat më të përsëritura që Fondi ka bërë ndaj qeverisë në tre vitet e shkuara.
Mësohet se tani, veç përfshirjes së biznesit të vogël në skemën e tatimit mbi vlerën e shtuar, paketa e re fiskale, që duhet të hyjë në fuqi nga 1 janari i vitit të ardhshëm, parashikohet të sjellë dhe një tjetër ndryshim të rëndësishëm, që lidhet me taksimin e pronës.
Sipas variantit paraprak të paketës, taksa e pronës nuk do të jetë më fikse mbi sipërfaqen siç është aktualisht, por do të bazohet mbi vlerën e pronës sipas çmimeve referencë që përcakton qeveria. Për shtëpitë e dyta dhe të treta taksa do të rritet. Sipas variantit që po diskutohet, familjet që kanë më shumë se një apartament do të detyrohen të deklarojnë shtëpinë e parë.
Projektligji i ri për tatimin mbi pronën mendohet të jetë gati për miratim në Kuvend me paketën e re fiskale dhe menjëherë Këshilli i Ministrave do të miratojë metodologjinë e vlerësimit mbi të cilën do të vilet tatimi mbi pronën, sipas burimeve zyrtare nga Ministria e Financave. Ministria e Financave ka tashmë gati të dhënat për pronat, pasi adresari i ri që do të konfiguronte gjendjen më të fundit mbi pronat ka përfunduar.
Për të mundësuar zbatimin praktik të tatimit të ri mbi pronën, është caktuar një grup pune i nivelit të lartë që përfshin të gjitha palët e interesuara për të përgatitur një plan veprimi dhe metodologjinë për vlerësimin e tatimit të pronës. Në vijim të Grupit të Punës, u hartua Memorandumi i Mirëkuptimit (MM) ndërmjet MF dhe OSHEE (Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike) për ndarjen e bazës së të dhënave kombëtare të pronave të Operatorit. Përveç kësaj, Ministria e Financave hartoi katër memorandume me bashkitë e Tiranës, Durrësit, Korçës dhe Fierit për të mundësuar integrimin e faturave të tatimit të pronës me faturat e energjisë elektrike dhe të ujit dhe për të mbledhur tatimin në bazë të zonës, vendndodhjes së pronës.
Së fundi, një Memorandum Mirëkuptimi u hartua me MF të Kosovës për ndarjen e përvojës së tyre me sistemin kadastral fiskal që Kosova po përdor që nga viti 2012. Si pasojë e këtyre zhvillimeve, projektligji i ri për tatimin e pronës mendohet të dorëzohet në Parlament këto muaj të mbetura të 2017-ës dhe metodologjia e vlerësimit do të miratohet më pas menjëherë.
Sipas projektit të parashikuar, pronat e patundshme të qytetarëve do të regjistrohen të gjitha në një sistem online, së bashku me çmimet e zonave përkatëse, në mënyrë që të përllogariten taksat që duhet të paguajë secili për banesën, dyqanin apo truallin që ka në pronësi, të cilat në katër qytete të mëdha do të vilen nga fatura e dritave. Kadastra Fiskale synon të vendosë rregull në këtë sektor, që konsiderohet më informali edhe për sa u përket të ardhurave në buxhet.
Sigal