Skema ” legale” për të spastruar administratën

778
Si po krijohen kushtet “legale” për shkurtime në administrate
Ish-zv/ministri i Punës, Kastriot Sulka, flet për rreziqet që u kanosen punonjësve të ministrive. Shkrirja e strukturave, lëvizjet kaotike, roli i DAP-it dhe “ushtria” e sekretarëve të përgjithshëm
Ish-zv/ministri i Punës, Kastriot Sulka, në një intervistë për “Telegraf”, shprehet se pakësimi i numrit të ministrive nuk ka të bëjë me ndërtimin e një qeverie të vogël, por është një manovër për të hequr njerëzit nga puna. Sulka shpjegon edhe rreziqet për punonjësit e ministrive pas shkrirjes së strukturave, pavarësisht statusit të nëpunësit civil, lëvizjet nga një dikaster në tjetrin dhe rolin e DAP-it.

Qeveria ka paralajmëruar një seri lëvizjesh në administratë, nisur edhe nga fakti se struktura e Këshillit të Ministrave ka ndryshuar. Si e vlerësoni zgjedhjen e kryeministrit për të ndërtuar një qeveri më të vogël dhe a i rrezikon kjo masë të gjithë punonjësit e ministrive që shkrihen apo bashkohen?
“Së pari, do të theksoja se kjo është një manovër e pastër për të hequr disa njerëz nga puna dhe s’ka të bëjë fare me ndërtimin e një qeveri të vogël. Koncepti i i Qeverisë së vogël nuk qëndron në heqjen e disa ministrave dhe shtimin e disa zv/ministrave, por në barrën që kjo qeveri zë si shpenzim për qytetarin dhe nga ky këndvështrim do të duhej të ishte një filozofi e tërë, e cila do të duhej të shtrihej në shpenzimet në total të kësaj qeverie, në të kundërt do të na ndodhte e njëjta situatë me reformën administrative, e cila u bë në emër të shkurtimit të shpenzimeve (se kishim shumë punonjës nëpër bashki e komuna dhe reforma territoriale do ti shkurtonte këta), por kjo jo vetëm që nuk u bë, por u shtuan. Në këtë pikë nuk do të ndalesha në qasjen politike institucionale, ku një parti e majtë zhduk ministrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale, e cila këtu dhe në gjithë botën trajton problemet e shtresave më të pambrojtura dhe të papunëve, dhe në mënyrë ironike krijon një ministri për biznesin.

Së dyti, është e pafalshme që kemi zhdukjen e dy ministrive, të cilat në një kuptim simbolik përbënin edhe ndryshimet me qeveritë e mëparshme, pasi ministri Financash, ministri Ekonomie, ministri Arsimi, ministri Mbrojtje, ministri Drejtësie, ministri të Brendshme etj., kemi pasur gjithmonë, por Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale është edhe një simbol i ndërtimit dhe përballimit të problemeve sociale në mënyrë institucionale dhe jo ideologjike. Po e njëjta gjë mund të thuhet edhe për Ministrinë e Integrimit. Por sigurisht simbolikja është edhe më pak e rëndësishmja. Ajo që është më e rëndësishme është fakti që shumë specialistë dhe ekspertë do të shkurtohen nga puna në emër të ristrukturimit. Nga eksperienca e deritanishme, specialistët dhe ekspertët, tek të cilët është investuar dhe trajnuar ndër vite, janë edhe ata të cilët nxirren nga sistemi të parët, për të mbajtura ata të cilët kanë kontribuar në fushatën elektorale ose për t’i hapur vendin atyre të cilët kanë qenë kontribuesit e “rinj” politikë. Në këtë kuptim, halleve të deritanishme siç ishin ato të rentabilitetit në punë dhe informatizimit të sistemit në administratën civile do t’i shtohen edhe paaftësia dhe inkompetenca, çka nënkupton potencialisht edhe rritjen e korrupsionit”. 

Një pjesë e punonjësve të administratës tashmë kanë marrë statusin e nëpunësit civil. A janë ata të mbrojtur nga kuadri aktual ligjor?
“Teorikisht këta punonjës, të cilët e kanë marrë statusin e nëpunësit civilë duhet të jenë të mbrojtur. Praktikisht, edhe qëllimi i gjithë këtij ndryshimi është pikërisht që të krijohen kushtet “legale” për shkurtime. Në emër të shkurtimeve të deklaruara, punonjësve ju janë dërguar letra ku ju është thënë se do të kenë pagat edhe për muajin shtator, por në vazhdim nuk jepet asnjë shpjegim se cilat do të jenë procedurat e kalimit/emërimit në institucionet e tjera, pagesat etj., hapa të domosdoshme dhe të parashikuara nga ligji për raste të tilla. Për disa nga institucionet kjo procedurë është edhe më kaotike, pasi një pjesë e punonjësve shkojnë në një dikaster dhe një pjesë tjetër në një dikaster tjetër, siç është edhe rasti i punonjësve të Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale të cilët kalojnë pranë ministrisë së Financave dhe disa pranë Ministrisë së Shëndetësisë. 

Në mënyrë që të plotësohen edhe detyrimet ligjore ndaj punonjësve me status civil, ka shumë të ngjarë që t’i afrohen vende pune në grada më të ulëta ose në institucione të varësisë, kur ata kanë qenë pjesë e stafeve të institucioneve qendrore, në mënyrë që të lodhen e të mërziten me procesin e denigrimit dhe në këtë mënyrë të mos e ndjekin procedurën e ankimimit apo hapat e tjera të parashikuara nga ligji i shërbimit civil. Unë mendoj se kjo rrugë nuk do të funksionojë, pasi kushtet e tregut të punës janë ekstremisht të vështira pra kemi një papunësi shumë të madhe dhe së dyti, për shumicën prej tyre, do të ishte e pamundur që të akomodoheshin në sektorin privat për shkak të specializimit që ata kanë. Duke e përmbledhur këtë pikë, do të theksoja, se armatës së deritanishme të atyre që shteti i paguan rrogën duke ndenjur në shtëpi sepse e kanë fituar me gjyq, do ti shtohen edhe disa rrogëtarë “të rinj”, të cilat vetëm sa e shtojnë barrën e taksapaguesve shqiptarë për qeverinë e tyre”.

Një debat i veçantë është hapur edhe për caktimin e sekretarëve të përgjithshëm në ministritë e reja, përzgjedhja e të cilëve duhet bërë në bazë të disa normale ligjore. A mund t’i emërojë vetë qeveria apo ministri përkatës këta drejtues?
“Edhe kjo është një temë e trajtuar prej kohësh, pasi edhe pa këtë ristrukturim të fundit të qeverisë, janë shumë sekretarë të përgjithshëm të cilët marrin rrogën duke ndenjur në shtëpi prej vitesh. Kësaj “ushtrie sekretarësh” do t’i shtohen edhe ata që do t’ju shkrihen ministritë, pra që do të ngelen pa punë. Në fakt këta ngelen pa punë, por jo pa pagë. Nga pikëpamja legale sekretarët e përgjithshëm janë maja më e lartë e shërbimit civil, për rrjedhojë ata nuk do të duhet të ndryshohen, të paktën në ato ministri që do të thithin ministritë e tjera, p.sh sekretarët e ministrisë së Financave, ministrisë së Shëndetësisë, ministrisë së Drejtësisë, ministrisë së Brendshme, ministrisë së Arsimit, ministrisë së Mbrojtjes etj. Praktikisht, gjatë kësaj periudhe, ka ndodhur që ministrat e rinj, përveç kabinetit të tyre, kanë preferuar që të marrin edhe sekretarët e përgjithshëm, dhe me shumë gjasa kjo do të ndodhë përsëri, pavarësisht se politikisht nuk ka ndryshime se është po i njëjti kazan që i ka nxjerrë si të parët edhe të dytët”.

Si e vlerësoni në tërësi rolin e DAP-it dhe qasjen qeveritare ndaj kësaj strukture?
“Departamenti i Administratës Publike është një nga institucionet më të rëndësishme të sistemit shtetëror, pasi është ky institucion që ndërton nëpërmjet procedurave administrative dhe kritereve përkatëse politikat për rekrutimin, kualifikimin dhe trajnimin, promovimin, testimin e të gjithë sistemit të administratës publike në vend. Në të vërtetë roli i DAP nuk është më as në rolin e këshilltarit për qeverinë shqiptare pasi vetë numri i madh çështjeve gjyqësore të humbura nga shteti nënkupton që jo vetëm janë shkelur procedurat dhe kriteret për lëvizjet administrative, por as nuk është marrë opinioni i DAP-it për rastet përkatëse. Në këto moment që po flasim, nëpërmjet letrave që ju kanë nisur nëpunësve të institucioneve, DAP ka krijuar një pështjellim shumë të madh, pasi nuk udhëzon se cilat do të jenë hapat për të ardhmen në këto dikastere”.

Intervistoi Esmeralda Pirra
Sigal