Skema e re, si do të kontrollohen pagesat për të përndjekurit

576
Ish-të përndjekurit politikë mund të verifikojnë pagesat për këstet e dëmshpërblimit në portalin “e-Albania”. Shërbimi i ri elektronik u jep mundësinë të gjithë ish-të përndjekurve politikë të kontrollojnë ecurinë e pagesës së kësteve të dëmshpërblimit në kohë reale, pa qenë e nevojshme të paraqiten në zyrat e Agjencisë së Pagesave.
Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, nëpërmjet një videoje informoi në rrjetet sociale funksionimin e shërbimit online për verifikimin e pagesës së kësteve të dëmshpërblimit nëpërmjet kartës së identitetit.
PROCEDURA 
Marrja e informacionit online do të kryhet nëpërmjet portalit të shërbimeve qeveritare “e-Albania”, ku për çdo ish-të përndjekur do të ketë llogari personale. Ministria e Financave shpjegon se hapat që do të ndiqen për procedurat online janë të thjeshta dhe do të kryhen nëpërmjet numrit personal të kartës së identitetit.
Nëpërmjet kartës së identitetit, ish-të përndjekurit mund të kontrollojnë online llogarinë e tyre personale në “e-Albania” për shpërndarjen e këstit. Ministri Ahmetaj garantoi vëmendjen e qeverisë ndaj kësaj kategorie, duke iu referuar edhe ecurisë së kësteve të shpërndara. “’Shumë’ nuk është asnjëherë mjaftueshëm.
Ka gjithmonë edhe më shumë për të bërë. Por kemi një diferencë të dukshme nga e kaluara dhe mbi të gjitha kemi një vëmendje të posaçme ndaj atyre që kanë ndier barrën e rëndë të harresës në vite e vite. Çdo ditë bëjmë një tjetër hap konkret përpara drejt Shqipërisë së gjeneratës tjetër”, u shpreh ministri Ahmetaj në rrjetet sociale. Nisja e shërbimit për kontrollin e procedurave online u lajmërua më herët nga ministri i Financave, Ahmetaj.
“Është një veprim i thjeshtë që i lehtëson të gjithë të interesuarit brenda kësaj kategorie, pra tashmë nuk është më e nevojshme që qytetari të paraqitet në zyrat e Agjencisë së Pagesave për të marrë vesh se çfarë ka ndodhur dhe cila është ecuria e pagesave për të, apo familjarët e tij që përfitojnë në bazë të ligjit”, u shpreh ministri. Po ashtu, sipas Ministrisë së Financave, për periudhën 2014 deri në 2016 ish-të përndjekurve u janë shpërndarë 48 milionë dollarë për këstet e dëmshpërblimit.
Sigal