Skema e piramidës së naftës, kush i mbron konsumatorët

745
Ikja e kompanisë “Sun Petroleum” (shumicë e pakicë), e cila tregtonte karburant në pikat e “Gulf” dhe ndërpreu aktivitetin, pasi kishte shitur qindra tollona, ka hapur sërish Kutinë e Pandorës në tregun e naftës në Shqipëri. Prej tre ditësh, në pikat e tregtimit të “Gulf” është krijuar amulli, pasi “Sun Petroleum Albania” shpk (e cila bën tregtimin me pakicë të naftës) ka ndërprerë furnizimin, ndërkohë që konsumatorët kishin blerë me qindra tollona. Askush nuk po u jep zgjidhje atyre se çfarë do të bëhet, teksa të dy kompanitë e lidhura me të “Sun Petroleum Albania” (e pakicës) dhe “Sun Petroleum Albania Trading” (e shumicës) janë offshore dhe si të tilla është e pamundur të identifikohen aksionerët. Aksioner zyrtar është “Universal Energy Group”, me seli në Delauare të SHBA-ve, një zonë e njohur për krijimin e kompanive guackë. Burime nga tregu pohuan se muajin e fundit “Gulf” kishte shitur tollona edhe me 120 lekë për litër, që është 25-40% më lirë se nafta që tregtohet në pikat e tjera të pakicës (165-178 lekë/litër), në një skemë mini piramidë, teksa nafta ka mbaruar dhe tollonat kanë mbetur në duart e konsumatorëve. Aktorët e tregut pohojnë se në pikat e pakicës së “Gulf” është tregtuar nafta e rafinerisë ARMO, e cila ka punuar deri në fund të nëntorit të vitit të kaluar. ARMO shfrytëzohej nga kompania IRTC (edhe kjo një offshore) që prej tetorit të vitit 2016 dhe e ndërpreu aktivitetin në nëntor 2017, pasi “Bankers Petroleum”, që e furnizonte me naftë bruto ndërpreu marrëdhënie për shkak të mospagesave. Në momentin që ndërpreu aktivitetin, IRTC kishte rreth 30 milionë euro detyrime të papaguara, sipas burimeve zyrtare të tatimeve në një material për Komisionin e Ekonomisë. Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave bëjnë të ditur se në vitin 2017, importet e karburanteve ranë me 21% në 400 mijë ton, ose rreth 100 mijë tonë naftë më pak se viti i mëparshëm, teksa nafta vendase zuri gati 30% të tregut. Por, pavarësisht se neni 15 i ligjit 8450 I ndryshuar “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre” sanksionon se “Në çdo stacion të shitjes se karburanteve duhet të jenë të ekspozuara, në mënyrë të dukshme dhe të qarte llojet e karburanteve që tregtojnë”, në asnjë pikë në Shqipëri nuk u bëhej e ditur konsumatorëve, nëse blinin naftë vendi apo importi. Aktualisht, burime nga Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial pohuan se asnjë rafineri nuk është në punë në Shqipëri dhe nafta për konsum vjen e gjitha nga importi. Mësohet se “Sun Petroleum” ka krijuar detyrime ndaj tatimeve, ndonëse ka deklaruar se do i paguajë me këste dhe përgjithësisht ka qenë konsideruar si kompani e rregullt, ndërsa ka akumuluar dhe borxhe ndaj furnitorëve që arrijnë në miliona euro dhe nuk ka paguar as qiratë e pikave muajt e fundit (pjesën më të madhe të pikave e kishte me qira).

Marrë nga “Monitor”
Sigal