Skema e pensioneve në vështirësi, pakësohen kontributet

754
Skema publike e pensioneve për fshatin është duke u përballur me një krizë të vërtetë, për shkak të rënies së numrit të shpejtë të kontribuuesve, të cilët duket se, nuk e kanë “mirëpritur” rritjen e pagesës me reformën e re te pensioneve. Sipas statistikave zyrtare të Institutit të Sigurimeve Shoqërore për gjashtëmujorin e parë të këtij viti, shihet se numri i kontribuuese në zonat rurale ra më tej gjatë gjashtë mujorit të parë 2017 në raport me fundin e vitit 2016. Gjatë periudhës janar-qershor 2017 kanë derdhur kontribute 51,366 persona në raport me 53,168 persona në fund të vitit 2016, me një rënie mbi 3.3 %. Rënia mësohet të jetë drastike në raport me vitin 2015, ku kontribuuesit e fshatit në skemë gati u përgjysmuan. Në vitin e parë të reformës kontribuuesit nga zonat rurale ishin më shume se 80 mijë persona me një rënie 40.6%. Teksa reforma e pensioneve synonte të rikthente parimin e drejtësisë për fshatin, ku pensionet të përfitoheshin në bazë të kontributeve, duket se në vend që të sistemohej është deformuar edhe më tej. Ligji i ri i sigurimeve synonte barazimin e kontributeve të sigurimeve për pensionet rurale me zonat rurale deri në vitin 2018. Sipas “Monitor”, ekspertët e ISSH-së, thonë se rënia e kontribuuesve në bujqësi më shumë se sa reformës, i dedikohet rënies së produktivitetit në këtë sektor. Sipas tyre, kjo ndodh për disa arsye, së pari për shkak të produktivitetit të ulët të ekonomisë familjare agrare, urbanizimit dhe braktisjes së bujqësisë, si dhe rritjes së masës së kontributit që duhet të paguajnë fermerët. Një arsye tjetër është fakti, që një pjesë e mirë e fermerëve, kryesisht mosha e mesme dhe afër moshës së pensionit, për shkak të faljes së kamatëvonesave dhe interesave të kontributeve që u bënë në vitin 2014, blenë shumë vite sigurimi (deri në 21 vite sigurimi) dhe duke pasur edhe vite pune në ish-kooperativat bujqësore kanë plotësuar vitet e nevojshme për të përfituar një pension pleqërie. Po zhvillimet e skemës së sigurimeve për zonat rurale janë deformuar më tej, teksa numri i përfituesve është 161% më i lartë se numri i kontribuuesve, për rrjedhojë edhe deficiti financiar në skemën e fshatit është në të njëjtin trend. Para reformës, kontributet e drejtpërdrejta që paguheshin nga të vetëpunësuarit në bujqësi mbulonin vetëm 18.7% të shpenzimeve për pensionet rurale, por pas reformës, ky tregues është përkeqësuar. Për pasojë, skema e sigurimeve në fshat po sponsorizohet në një masë edhe më të madhe nga taksat e të gjithë shqiptarëve. Bujqësia dhe fshati, edhe pse punësojnë më shumë se 40% të shqiptarëve, janë gati një sektorin ekzistent për nga kontributi në taksa dhe tatime dhe në sigurime shoqërore.
Sigal