Skandal,pensionistët në radhë të gjata për të marrë pensionet

511
Sigal

VLORA/ Më shumë se 80 pensionistë hyjnë e dalin në një dhomë 16 metra katrorë, ku punohet me dy sportele

Është përsëritur për të disatën herë ngjarja përpara zyrës së Postës “Vlora1”, në shëtitoren kryesore Vlorë-Skelë, në afërsi të “Kalit të Trojës”. Pensionistët shtyhen në radhë, dikujt i ka rënë të fikët dhe taksitë janë në gatishmëri për t’i dërguar në spital. Një grumbull pensionistësh flasin me një zë të vetëm: Qeveri mashtruese!

Ngjarja

Ndërsa të moshuarit presin në radhë për të marrë pensionin, që e kërkojnë prej 4-5 ditësh, sportelistja i përgjigjet turmës se, ‘lekët për ditën e sotme mbaruan’. Nuk mjaftoi ky lajm, që i tronditi të moshuarit, por do të pasohej me një gjest antinjerëzor nga punonjësja e institucionit të shtetit. Ajo ka hedhur jashtë një grumbull të madh pasaportash të pensionistëve që kishin zënë radhë për të marrë pensionin, ku në mes të dokumentit të identifikimit kishin edhe librezat e pensionit. Ka qenë ky gjest, që irritoi grumbullin e madh të burrave dhe grave të moshuara, që vraponin të gjenin dokumentet e tyre. Skena të tilla janë trishtuese dhe janë përcjellë me indinjatë nga kalimtarët, madje shumë prej tyre kanë ndërhyrë, duke reaguar ashpër ndaj gjestit të arkëtares.

Vijnë pak të holla

Thuajse në çdo rast, sportelistët punojnë deri në orën 12:00 të drekës, pastaj lajmërojnë: Mbaruan lekët, dukuni nesër. Shumë kush nga hallexhinjtë shprehet se ky veprim bëhet nga arkëtaret, pasi lodhen dhe nuk përballojnë rrëmujën, por e vërteta është ndryshe. Pyetur për gazetën, njëra nga arkëtaret është shprehur se në atë orë mbarojnë të hollat që ka sjellë thesari, për të vijuar të nesërmen.

Mosbesimi

Pas situatës së krijuar, ju drejtuam disa pensionistëve duke ju kërkuar përgjigjen: Përse nuk prenotoni radhën e pensionit në shtëpi, kundrejt një vlefte minimale, sikurse është 100 lekëshi. Përgjigja e tyre është si në kor. Nuk kemi besim, ka ndodhur që janë vënë firma falso dhe pensioni nuk ka shkuar në destinacion. Përveç kësaj mund të ndodhë që kur vjen personi nga posta, pasi nuk dihet as data dhe koha se kur vjen, çka mund të ndodhë që pensionisti, mund të mos jetë në shtëpi.

Dy vjet më parë

Pikërisht në këtë zyrë të postës, “Vlora 1”, dy vjet më parë, krimi ekonomik arrestoi njërën nga punonjëse, pasi kishte shpërdoruar detyrën, kishte falsifikuar duke përvetësuar pensionet e njerëzve që kishin vdekur.